Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ina te Blloku, vajza që të mëson ushqimin e shëndetshëm

Ina te Blloku, vajza që të mëson ushqimin e shëndetshëm

Nga Dritare.net

A e dini se çfarë kanë të përbashkët Bill Klinton, Al Gore, Miley Cyrus, Sia, Brad Pitt, Pamela Anderson, Kate Winslet, Anne Hathaway, Natalie Portman dhe lista vazhdon...? Janë të gjithë veganë.

A e dini sa in është veganizmi? A e dini çfarë është veganizmi?

Më ndiq, eja me mua të të njoh me Inën dhe VeggiesTirana. Do të të hap një portë, nga ku s'do të duash më të dalësh.

Ina që vjen nga e ardhmja

Ina është një vajzë e re, gjithë sharm e ëmbëlsi, elegancë dhe delikatesë, sikur del nga një libër i 1900. Në të vërtetë ajo nuk ka lidhje më të kaluarën, por me të ardhmen. Sepse ushqimi që sugjeron Ina është ushqimi i së nesërmes së afërt.

Por, kjo është një rrugë e re dhe si çdo e tillë, në fillim do udhëheqësh, do dikë që të mëson me shijet, që të pyet, të mëson, të bën rrugë drejt një mënyre të re jetese, asaj që të mban përjetësisht të ri. Dhe kjo është Ina, e vetmja që ka hapur në Tiranë një restorant vegjetarian, e vetmja që ofron dieta vegjetariane dhe vegane, e vetmja që guxoi, në një vend me kaq shumë mishdashës.

Po vijnë veganët!

Gjithnjë e më shumë, njerëzit po drejtohen tek kjo mënyrë ushqim,  pa produkte shtazore. Edhe në Shqipëri vegjetarianët dhe veganët po shtohen. Kujdes, nuk është çështje përkthimi.

Edhe  pse ngjan sikur është e njëjta gjë, në thelb këto janë dy koncepte të ndryshme.

Ina Kadi, themeluese e “Veggies” në Tiranë, tregon për dritare.net ndryshimin midis këtyre dy formave të ushqyerjes dhe mrekullinë e njohjes me këto stile jete që pasi i zbulon, nuk do të ndahesh më kurrë.

“Vegjetarianë janë ata persona që nuk konsumojnë asnjë lloj mishi të gjallë, duke përfshirë mishin e bardhë e të kuq, por edhe  peshkun. Veganë janë ata persona të cilët bëjnë një zgjedhje më shumë morale, etike, sociale në lidhje me mjedisin, e jo vetëm për ushqimin. Personat veganë përjashtojnë jo vetëm mishin, por edhe të gjitha nënproduktet shtazore, si djathi, qumështi, veza apo edhe mjalti.

Veganizmi më shumë se mënyrë ushqimi, është mënyrë jetese. Është shumë e rëndësishme që njerëzit t’i kushtojnë më tepër rëndësi trupit të tyre dhe asaj që hamë. Pasi e brendshmja jonë është shumë më e rëndësishme se e jashtmja.

Në stilin e jetesës së një personi vegan, përfshihet edhe zgjedhja e kujdesshme e rrobave, produkteve kozmetike apo barna të testuara në kafshë, të cilat nuk përdoren.

Ina vetë nuk është vegane, prej më shumë se dy vitesh është vegjetariane. Edhe pse në fillim e kishte të vështirë të shkëputej nga mishi, ajo thotë se ky ishte vendimi më i mirë që ka marrë për shëndetin e saj.

“Unë personalisht jam vegjetariane, nuk jam vegane për gjithë vitin. Zgjedh të jem vegane për 1 ose 3 muaj, për pastrim të trupit. Fillimisht lexon e njihesh me filozofinë e veganizmit dhe mua kështu më ka lindur dëshira e brendshme.

Duke qenë një person i ndjeshëm për sa i përket mjedisit, kafshëve, vendosa që të mos e konsumoja më mishin. Unë kam më shumë se dy vite që jam bërë vegjetariane dhe ndryshimi më ka ndodhur brenda natës.

Më parë, e konsumoja shumë mishin dhe proshutën e kisha pjesë të pothuajse çdo vakti. Ndryshimi i kthimit tim në vegjetariane, u ndje që në javët e para. Ndërkohë, sot mund të them që jam bërë një njeri më i mirë, më pozitiv, më i lumtur, padyshim edhe shëndeti është me më pak probleme. Unë jam një njeri tjetër. Ndaj vendosa ta ndaj eksperiencën time me të tjerë. Sepse dua që të bëhemi bashke dhe më shumë. Më të dobët, por më të shëndetshëm dhe me të mirë,"- kjo është motoja e vajzës së re, që kur e dëgjon për të herë të parë, mendon se thjesht po i bën reklamë të bukur biznesit të saj. Por Ina nuk ka hapur biznes, ka përqafuar një filozofi.

Çmimi i një jete të re

Ushqimet organike kanë një kosto të lartë dhe shpesh është e vështirë për njerëzit të zgjedhin këtë jetesë, Ina shprehet për dritare.net se duke konsumuar sa më tepër perime,  bëjmë një investim për të shmangur sëmundje dhe rrjedhimisht kursejmë e investojmë në shëndetin tonë.

"Është e vërtetë që kjo jetesë është e kushtueshme, pasi çmimet janë shumë të larta, kjo është dhe arsyeja pse këto pjata janë disi të shtrenjta.

Por, unë dua ta vendos në këtë perspektivë, së fundmi, dëgjojmë të lakohen shumë sëmundje, si tensioni, diabeti, mbipesha, intoleranca të ndryshme ushqimore, disbalanca hormonale. Shkaku kryesor i këtyre sëmundjeve është konsumi i lartë i produkteve shtazore.

Një vajzë e cila është kliente jonë, është e lindur anemike dhe pasi ka ndjekur dietën vegane, hemoglobina i ka shkuar në nivele optimale. Zgjedhim që të bëhemi vegjetarianë në radhë të parë për veten tonë. Është një investim që t’i bën tani, për të shmangur sëmundje apo komplikacione të shëndetit tënd. "

Pse te Veggies dhe jo në shtëpinë tënde?

Restoranti “Veggies” është hapur në Tiranë që prej muajit qershor të vitit të kaluar dhe përgatit ushqime shumë të veçanta jo vetëm për vegjetarianët, por edhe veganët.

Ndërkohë, që prej muajit tetor, ofron edhe dietat detoks, për të pasur një ushqyerje sa më të shëndetshme. Tani korrierët e Veggies, që dallohen nga gjithë korrierët e kateringjeve të tjerë, sepse janë të vetmit që buzëqeshin, i sheh ngado nëpër Tirane. Me çantat e bukura: Të bëftë mirë!

Veggies është ndryshe, pasi filozofia që ndjek dhe mesazhi që përcjell është shumë i fortë. Nuk është e domosdoshme të hamë një sufllaqe pasi nuk kemi kohë e duhet ta hamë shpejt. Për të njëjtën kohë, në më pak se 10 minuta, që është koha maksimale për të pasur një pjatë te Veggies, ne mund të hamë një ushqim shumë më të shëndetshëm dhe me vlera.

Pyetja është nëse do të bëhesh vegjetariane apo vegane, pse nuk bëhesh në shtëpinë tënde? Sepse në fillim është e vështirë. Të njohësh kombinimet, të dish vlerat dhe ku t'i gjesh proteinat që do të mungojnë prej lamtumirës nga mishi. Ndaj shkohet te Ina, të mësohesh me ushqimin, të nisësh vetë të kuptosh çfarë do dhe si do të shkosh. Dhe padyshim, nëse nuk mundesh të vazhdosh, mjaftohu me një muaj pastrim, apo tre muaj detoksifikim, apo thjesht shijen e një dreke ndryshe.

Ja si nis një dietë!

"Dietat janë një alternativë ndryshe nga të gjitha dietat në Shqipëri, pasi pakkush merr parasysh gjendjen metabolike të personit. Ne mundohemi të edukojmë personin që i shërbejmë me një stil jete të ri dhe e ndihmojmë të njohë trupin e vet.

Ajo që ne ofrojmë nuk është një dietë e bazuar në kalori. Gjëja e parë që në bëjmë kur vjen një klient i ri është plotësimi i një formulari me rreth 25 pyetje metabolike dhe psikologjike. Në bazë të këtij profili, një nutricioniste përgatit profilin metabolik. Çdo ditë menuja ndryshon, ajo është shumë e pasur."

Ideja që njerëzit kanë, është se kur mungon peshku, mishi, çdo gjë tjetër është thjesht e mërzitshme. Ndaj veganët dhe vegjetarianët paragjykohen, si njerëz që sakrifikojnë ushqimin e mirë dhe stilin e jetesës së shumicës. Por shko ha një drekë me Inën , ose bëhu kliente e Veggies dhe kur të të vijë çdo vakt një super ushqim, nga sushi te kinoa, avokado e oriz i zi, do e besosh se kanë të drejtë kur të thonë;

“Asnjëherë mos thuaj që je duke hequr dorë nga ushqimet e tua të preferuara. Ti nuk heq dorë nga asgjë. Ti e ke fuqinë tashmë për të bërë zgjedhje të kontrolluara dhe zgjuara, për çfarë do të fusësh ose jo në trupin tënd."

"Dieta që ne përdorim bazohet 80% në fruta e perime, e 20% janë elementë të tjerë, si frutat e thata etj. Pasi duke eliminuar yndyrat shtazore, i zëvendëson me yndyrat që merr nga bajamet, arrat etj. Duke qenë një vegan, nuk është se  heq dorë nga proteinat, ti thjesht zëvendëson proteinat shtazore me ato bimore.  Efektet e dietës ndjehen që në javët e para, edhe rënia në peshë është e ndjeshme”, tregon Ina për dritare.net

Vipat dhe Veggies

Ashtu si edhe në Hollywood, që ishin personat vip të cilët e sollën këtë stil jetese në qendër të vëmendjes, edhe në Shqipëri nuk mund të ndodhte ndryshe.

“Në Veggies kemi klientë shumë të njohur të ekranit shqiptar. Ka që janë në muajin e gjashtë të abonimit me ne.

Xhemi Shehu,  Fatma dhe Aulona, Arbana Osmani, Amarda Toska, Jonida Vokshi, Olta Gixhari, Arlinda Dudaj e shumë emra të tjerë.”

Ina është e kujdesshme dhe modeste. Ajo nuk flet gjate për personat që zbuluan veganizmin me të, por kur mendon ndryshimin e mahnitshëm të Arbana Osmanit, këtë Big Brother 9, të vjen dëshira të nisësh me vrap, dietën e Inës.

"Ne nuk kemi për qëllim t’i kthejmë njerëzit në vegjetarianë apo veganë, çdokush  e zgjedh vetë. Ne jemi një alternativë për një shëndet më të mirë dhe nëse një ditë, një muaj apo më tepër vendos të hash ushqime vegane, mirësevjen në Veggies, te ish-Blloku.”/ dritare.net

Të famshëm veganë 

Prezantuesja Ellen DeGeneres, politikani Bill Clinton, këngëtari  Bryan Adams, këngëtarja Carrie Underwood, aktori Alan Cumming, aktorja  Natalie Portman, ish kampioni i boksit Mike Tyson, atleti Carl Lewis, aktori Jared Leto, aktori Brad Pitt, këngëtaret Miley Cyrus, Sia, aktorja Pamela Anderson, aktori britanik Peter Dinklage.

Edhe këngëtarët e famshëm italian Jovanotti, Gianni Morandi dhe Adriano Celentano ndjekin këtë stil jetese të shëndetshëm, pasi prej kohësh i kanë thënë mirupafshim ngrënies së produkteve shtazore. Njëjtë edhe aktoret si, Ornella Muti, Manuela Arcuri, Claudia Cardinale.

Por, vegjetarian apo veganë nuk janë vetëm vipat e kohërave moderne. Ja disa prej atyre që zgjodhën të ishin kundër ngrënies së mishit gjatë jetës së tyre. Të lavdishmit e kohërave të shkuara.

Platoni, Pitagora, Ovid, Plutarku, Leonardo da Vinci, MichelangeloGiuseppe Garibaldi, Van Gogh, Lev Tolstoj, Albert Einstein, Martin Luther King, e shumë emra të tjerë, të famshmish të vdekur.

Ps. Ju thamë që veganizmi të mban të ri, jo të pavdekshëm. / dritare.net

Copyright dritare.net/ Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë