Na ndiqni edhe në

Arkiv

Historitë e dhunës në familje, “Babai na rreh me rrip pantallonash! “Na ka vdekur mami dhe babi, i vranë”

Historitë e dhunës në familje, “Babai na rreh me rrip
Në emisionin “Njerëz në Fokus” të moderatores Ola Bruko u sollën histori të gjalla të dhunës në familje, teksa trajtohej tema “Të mbijetuarit e krimit në familje”.

Dëshmia e parë i përket një 14-vjeçareje nga Dibra, e cila rrëfen dhunën ekstreme të të atit, mbi të, mbi nënën dhe mbi anëtarët e tjerë të familjes çdo natë, kur vjen i dehur në shtëpi.

“Çdo natë ai vjen pijshëm, mama thotë me shku tek dhoma tjetër se ka frikë se na rreh. Ai na rreh shpesh, kena frikë kur e shohim babin, ai merr rripin e pantallonave dhe na rreh të 4 gocave sikur ne jemi. Gjëja më e vështirë është kur ai rreh mamin, mezi e durojmë edhe ne. Një ditë ia ka nxi shumë synin, e kur ka dalë përjashta ka thënë se është rrëzu se kishte turp me tregu që e ka rraf baba. Na dhemb shumë por çka me bo. Kam një shoqe të ngushtë, që ja kam kallëzu të gjitha dhe i kam thënë mos me ja kallu të tjerëve. Të gjithë e dinë që unë s’rri me shoqe, rri veçmas tjerëve”.

Duke folur për dhunën e vazhdueshme, adoleshentja tregon rastin e fundit para një jave: “Para një jave babi erdhi aq i pijshëm sa na ka rraf të gjithave. Mama të nësërmen na ka çuar tek dalja në fshat. Babi nuk punon rri në lokale të ndryshme”.

Frika është ajo që i mban vajzat dhe nënën të mos denoncojnë dhunën. “Mama ka thënë mos me i kallzu kujt, kena frikë nga baba. Sepse ai i ka thënë mamës po treguat ju vras”.

Historia tjetër është ajo e Erjon Selimajt nga Vlora. Ai thotë se babai i tij dhunonte nënën, e cila nuk ka mundur të rezistojë dhe është larguar nga shtëpia. Sot Erjoni është i pastrehë.

“Kam 24 vjet që jetoj vetëm, që në moshën 1 vjeç. Jam rritur nëpër befotrofe, konvikte, në burgje. Babai im e dhunonte mamanë se ishte shumë xheloz dhe mamaja ime u detyrua të na braktiste të 3 ne si fëmijë dhe u largua. Babai na çoi në jetimore. Më vonë e tërhoqi vëllain tim të madh për ta mbajtur vetë dhe ai vdiq në 97-ën. Babai im pastaj kaloi në një gjendje…u sëmur dhe sot është në një spital psikiatrik”, tregon Erjoni.

Ai thotë se i ka përjetuar skenat e dhunës megjithëse i vogël. “Skenat e dhunës të babit në syrin tonë dhe në fshat. Sepse babai që atëherë ka pasur luhatje me sëmundjen, ishte me kartelë dhe e dhunonte nënën”, thotë ai.

Erjoni rrëfen se babai nuk e ka lënë që ta adoptojnë. “Nga fshati unë përfundova në një brefotrof me fëmijë të vegjël, foshnje. Vinin familje që të më adoptonin, mua nuk më la plaku që të ikja. Mua mu dha një mundësi që të ikja në Kanada. Pastaj pas brefotrofit, 7 vjeç erdha në shtëpinë e fëmijës në Tiranë, për të vazhduar shkollën. E mbarova 8-vjeçaren me rezultate shumë të mira pastaj ika në konviktin e Vlorës, tek shkolla tregtare me bursë nga shteti. Aty jeta e konviktit, edhe vetëm, jo libra, jo rroba nuk kisha mbështetje dhe u detyrova ta lija shkollën në vit të dytë. Pastaj përfundova në burg. Doja edhe unë si të gjithë njerëzit të kisha dhe unë lekë, të blija një çantë, një diçka se ma bënin njerëzit me gisht dhe mua më vinte rëndë dhe përfundova në burg. Vodha një kuletë. Kam bërë burg 4 herë, njëherë se vodha 2 paketa Slims”, rrëfen 24-vjeçari.

Ai thotë se prindërit nuk janë kujtuar asnjëherë për të, por ai donte ta ndihmonte babain.

“Jo, jo, prindërit e mi nuk janë kujtuar asnjëherë për mua. Unë jam kujtuar. Para 2 vitesh kam shkuar ta takoja babanë tim. Doja t’i krijoja jetesën babait, po rashë prapë në burg. E mendoja gjithmonë me vjedhje. Ashtu u rrita unë, u bëra kriminel. Nuk do vidhja bankë po ndonjë 5-milionsh. Më bluante mendja që duhet të bëja diçka që të ndihmoja babain. Se thosha ai është në vdekje dhe dua ta ndihmoj. Sot është 70 vjeç dhe është në spitalin e Psikiatrisë në Vlorë. U rifuta në burg. Dola dhe jam rehabilituar. Më 22 shtator 2015 dola nga burgu dhe gjithë këtë kohë jam marrë me babain, e çova në spital. Dola në televizor dhe kërkova ndihmë se nuk më ndihmonte asnjëri”, thotë ai.

Pavarësisht se ka kërkuar ndihmë, i riu që nga hallet është tashmë i vjetër, nuk ka marrë asnjë ndihmë.

“Kam folur me mamanë por nuk është i interesuar për mua. Ajo ndodhet në Itali, ka krijuar familje. Nuk ka kuptim të më marrë tani. Unë pres të më marrë. Por nuk mundohet as të më ndihmojë, asgjë, pavarësisht se e di se çfarë kam kaluar. Kam kërkuar ndihmë tek Prefektja, shërbimi social, kryetari i bashkisë, por asnjë nuk më ka ndihmuar. Dua ta marr babanë tim nga spitali, do shkoj tek kryetari i bashkisë të kërkoj një banesë që të strehohem me babain e të gjej një punë që të jetoj. Unë di të bëj shumë gjëra se më ka mësuar jeta. Si elektricist, hidraulik, di dhe gjuhë të huaja, anglisht dhe pak italisht. Kam kontaktuar edhe tek zyrat e punës, si bojaxhi po nuk më ka marrë njeri në punë”, tregon Erjoni.

Megjithë peripecitë, ai thotë se ka shpresë. “Jam me shpresën që të më gjejë një punë, por halli më i madh dua një shtëpi. Nesër do martohem nuk dua të fus nuse në konvikt”, thotë Erjoni.

Kryebashiaku Leli reagon për rastin e Erjonit

Në lidhje me historinë e Erjonit ka folur edhe kreu i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili thotë se Erjoni ka nevojë për trajtim me psikolog. “E kam takuar disa herë Erjonin, i kam ofruar mbështetje maksimale. Djali ka thënë versione të ndryshme të jetës së tij, ka nevojë për trajtim me psikolog

“Çdo person në nevojë do ta ketë të hapur derën time, edhe Erjonit i kam ofruar strehim në konvikt, i kam ofruar t’i paguaj qiranë e shtëpisë por s’ka pranuar”, tha Leli më tej.

Një apel tjetër për ndihmë vjen nga fshati Gjenomadh, aty ku dy fëmijë kanë mbetur jetimë pas vrasjes së prindërve së tyre Daniela Meçollari, Belimon Meçollari nga Bashkim Latollari. Gjyshërit e tyre kërkojnë ndihmë që të mund të ushqejnë nipërit e tyre.

“Jetoj me gjyshin dhe nënën, na ka vdekur mami dhe babi, i vranë…Ishim brenda në dhomë erdhi një burrë, ai burri i qëlloi mamin dhe babin dhe babi na tha neve thërrisni gjyshin, ne u larguam vetë nga shtëpia. Unë jam në klasë të 4-ët”.

“Çfarë po ndodh me këta fëmijë, që kur u vra çupa asnjë ndihmë asgjë..s’na ka ndihmuar shteti, asnjë asistencë. Ata duan nga 50 lekë kur shkojnë çdo mëngjes në shkollë. Ne jemi bërë si të trullosur, më parë vija në Greqi, tani as punë asgjë nuk bëj dot. Fëmijët e kujtojnë natën e vrasjes, thërresin në gjumë erdhën na ia vranë prindërit në gjumë, marrin e puthin çdo ditë fotografitë”,- shprehet gjyshi.

“Më kanë thënë dërgoi në shtëpi të fëmijëve unë i kam rritur që të vegjël. Patën asistencë për një vit, por edhe ato ua prenë. Aq ua lashë më tha 6 muaj. Jetojmë me një pension 140 mijë lekë. Fëmijët i kërkojnë prindërit, më thonë të shkojmë dhe ne në qiell nëna t’i takojmë”,- thotë gjyshja.