Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historia e Bertit, nje gay ne Tiranë

Historia e Bertit, nje gay ne Tiranë
Streha LGBT është e vetmja strehë në Shqipëri që u ofron të rinjve LGBT mundësi strehimi dhe përgatitje për karrierë. Ajo u hap në fund të vitit 2014 dhe gjatë viteve 2014-2016 aty janë strehuar më shumë se 35 persona, kryesisht me probleme familjare, shoqërore dhe probleme me diskriminimin për shkak të orientimit të tyre seksual.

17 maji është dita ndërkombëtare e homofobisë.  dritare.net sjell një histori të një djali në lufte me homofobine.

Pas shumë insistimesh të gazetarit të  dritare.net Isa Myzyraj, mundëm të kontaktojmë me një ish-banor të STREHA, i njohur me emrin Berti , të cilin stafi i  qendrës STREHA e njeh si histori suksesi.

Berti tregon, për herë të pare, për dritare.net historinë e jetës së tij, që nuk është një histori normale e çdo të riu në vendin tonë, por është një histori e mbushur me sfida, dhe plot drama mbijetese.

Dritare.net: Berti në fillim dua të pyes pse kaq shume vendosmëri për të mod dhënë një intervistë ?

Berti: Në fakt nuk kam preferuar kurrë që historinë time ta ndaj me askënd tjetër, përveç atyre personave që unë kam qenë i bindur se në asnjë rast nuk do të më identifikonin mua si person LGBT, e kam pasur gjithmonë problem  të shfaqem në publik me prirjet e mija seksuale sepse mendoj që më përkasin vetëm mua dhe askujt tjetër, dhe s’ka arsye pse dikush tjetër të jetë në dijeni për orientimin tim seksual, por pasi më kontaktuan dhe më dhanë siguri për këtë intervistë unë pranova ta ndaj me ju historinë time.

Dritare.net: Berti mund të na thuash cila ishte jeta jote para se të hysh në STREHA?

Berti: Unë vij nga një qytet i vogel i Shqipërisë dhe historia ime ështe imja dhe nuk kam dashur ta ndaj me njerëz, edhe pse shumë herë e kam pasur të nevojshme një gjë të tillë. Unë e mora vesh shumë vonë orientimin tim seksual dhe u mundova ta mbaj sekret , nga familja dhe shoqëria ime. Unë u ndava nga familja ime dhe erdha për të jetuar në Tiranë, dhe këtu gjithçka ishte ndryshe, krijova shoqërinë time të re dhe fillova nëse mund ta them një jetë të re, por që shumë shpejt u gjenda në një udhëkryq të madh të jetës sime, unë nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte me mua, gjendja ime ekonomike ishte shumë dobët, jeta ime private shkoi si mos më keq dhe një shok më sugjeroi qendrën STREHA si mundësinë e vetme që mund të dilja nga kjo situatë.

Dritare.net: Berti, ti the që u ndave nga familja dhe se gjendja jote emocionale ishte shumë e rëndë, mund të na thuash më shumë rreth këtyre situatave?

Berti: Sa i përket familjes sime unë nuk dua të flas më shumë dhe nuk mund të them arsyet e shkëputjes sime me to. Por unë kur erdha në Tiranë sigurisht që fillova duke u njohur më shumë me njerëz që kishin preferenca seksuale të njëjta me mua, unë njoha një djalë këtu dhe u lidha me të, qëndruam rreth dy vite bashkë por ai bashkë me familjen e tij ikën nga Shqipëria dhe bashkë me ikjen  e tij përfundoi edhe lidhja jonë. Unë këtë ndarje e përjetova shumë rëndë , sepse pas shumë vitesh unë e gjeja veten të plotësuar emocionalisht. Situata më rrëshqiti nga duart dhe unë shpeshherë nuk kontrolloja dot veprimet e mia.

Dritare.net:  Çfarë do të thotë “ nuk kontrolloja dot veprimet e mia?"

Berti: Do të thotë që unë gjendesha në një situatë shumë të rëndë psikologjike, saqë tentova disa herë të vetëvritem . Pasi hyra në STREHA, aty u përballa me një staf të mrekullueshëm që mu gjetën  pranë në të gjitha rastet e vështira për mua. Unë fillova terapinë time ne psikologun e STREHA dhe të them të drejtën më ndihmoi shumë, fillova tanimë duke përdorur edhe ilaçe anti-depresivë, isha në një ambient ku unë e ndjeja veten rehat dhe dukej se gjithçka po shkonte mirë, pavarësisht se herë pas here unë  gjendesha përballë anktheve dhe situatave psikologjike mjaft të vështira, por punonjësit e STREHA më ndihmuan në çdo rast, duke bërë që unë të nis një rrugëtim të ri në jetën time.

Dritare.net: Pasi dole nga STREHA , çfarë bëre, sepse tanimë gjendesh përsëri vetëm?

Berti: Është e vërtetë jam përsëri vetëm, por tanimë më i fortë se kurrë, dhe me mendimin se punonjësit e STREHA ishin aty për mua, në çdo rast që unë kisha nevojë, pasi këtë ma kishin premtuar. Unë përfundova shkollën, gjeta dhe një punë në profesionin tim dhe sot, jam këtu i mbijetuar  falë disa njerëzve që unë do u falënderohem gjithmonë.

Dritare.net: A je ndjerë ndonjëherë i diskriminuar në punë, në shoqëri në ambientin që të rrethon për shkak që  ti je GAY?

Berti: Ashtu siç edhe e thashë më sipër askush s’ka pse ta dije orientimin tim seksual, ose e thënë më ndryshe askujt nuk duhet t’i interesojë se çfarë bëj unë në shtratin tim, ashtu siç as mua nuk më intereson çfarë bëjnë njerëzit në shtratin e tyre, sepse mendoj që është jeta private e çdokujt, që mund ta zgjedhë ai ose ajo si të dojë. Nuk është që nuk ka diskriminin, por për mua asnjë nuk e di që jam GAY, unë bëj punën time shumë mirë dhe marr përgjegjësitë e mia si individ./ dritare.net

Berti është emri i përdorur vetëm në intervistë dhe jo emri i vërtetë i personit.