Rrëfimi i Lia Tosi, vajza e një oficeri italian që gjeti strehë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore
Dritare.net

Një histori e jashtëzakonshme njerëzillëku dhe guximi vjen nga vajza e ish-oficerit italian, Carlo Tosi, i cili gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore u shpëtua nga shqiptarët dhe u bë pjesë e rezistencës në vendin tonë.
Në një rrëfim të rrallë për Dritare TV, Lia Tosi kujton me emocion mënyrën se si i ati i saj u prit dhe u ndihmua nga njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë në ditët më të errëta të historisë.
"Ishin shqiptarët që i dhanë bukë, strehë dhe e shpëtuan kur çdo gjë dukej e humbur,” tregon Lia Tosi.
Carlo Tosi, pjesëtar i regjimentit të 127-të të Divizionit “Firenze”, u dërgua në Shqipëri në mars të vitit 1941. Pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943, ai refuzoi t’i dorëzohej forcave gjermane dhe zgjodhi të bashkohej me partizanët shqiptarë, duke luftuar përkrah tyre.
Në rrëfimin e vajzës, Tosi kujtohet jo vetëm si ushtar, por edhe si njeri me shpirt human. Në zonat ku kishte shpërthyer një epidemi, ai ndihmoi si mjek i improvizuar, shpëtoi dhjetëra jetë dhe u kujdes për shqiptarët e plagosur.
Pas përfundimit të luftës, Carlo Tosi qëndroi edhe për disa muaj në Shqipëri, përpara se të kthehej në Itali në nëntor të vitit 1945.
“Ai e kishte zemrën shqiptare. Fliste gjithmonë me respekt për mikpritjen dhe trimërinë e shqiptarëve. Më mësoi që mirënjohja është më e fortë se çdo armë,” – shton Lia Tosi.
Ky rrëfim i rrallë sjell në vëmendje një faqe të panjohur të historisë së përbashkët shqiptaro-italiane, ku ish-armiqtë u bënë miq, dhe mikpritja shqiptare u shndërrua në një akt heroik që i shpëtoi jetën një njeriu të huaj.
Historia e Carlo Tosit mbetet dëshmi e humanizmit që kalon kufijtë, një kujtesë se në mes të luftës, njerëzimi mund të triumfojë mbi urrejtjen./dritare.net