
Mark Kosmo, një shqiptar i mrekullueshëm i Amerikës
Dritare.net
Mark Kosmo është një shqiptar i mrekullueshëm i Amerikës. Në një intervistë për dritare.net, Mark Kosmo flet për fëmijërinë në Amerikë, tregon sesi e krijoi Fondacionin Global Shqiptarët sfidat që ka hasur gjatë punës dhe kontributin e fondacionit të tij për të ndihmuar ata shqiptarë që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
Dritare.net: Ne dimë për Fondacionin Global Shqiptarët, që ju drejtoni, por duam të njohim më shumë njeriun që e krijoi atë. Si lindi nisma juaj për të krijuar Fondacionin Global Shqiptarët (GAF)?
Mark Kosmo: Të them të vërtetën, ideja më erdhi në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, në qershor të 2015-ës, kur po kthehesha në Boston. Sigurisht, u ndërtua në eksperiencën e viteve të punës në Shqipëri dhe brenda diasporës, por aty ishte hera e parë që mendova për të. Disa javë më vonë, u takova në Massachusetts me miq nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane dhe Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane dhe ramë dakord të lançojmë GAF-in si një iniciativë e të dy organizatave dhe mblodhëm 20,000 dollarë nga 20 persona për të dhuruar 20 OJQ, në fund të vitit 2015.
Atëherë ideja u testua për më shumë se 2 vjet, deri në maj 2018 kur shkova në një konferencë të quajtur “DiasporaFlat” në Prishtinë, e organizuar nga Germin në Kosovë. E njihja Germinin si një organizatë të re dhe dinamike joqeveritare, dhe atëherë kuptova se ishte momenti i duhur për një organizatë lokale të besueshme, që ishte e nevojshme. Në qershor 2018, GAF-i u krijua ligjërisht, por u desh një vit pas kësaj për të ngritur aftësinë e tij operacionale. Ishte një kompani pa personel, kështu që unë duhej të isha edhe jurist, edhe llogaritar, edhe ndërmarrës që ta çoja atë në një pikë ku do të ishte e mundur të tërhiqja më shumë njerëz për të ndihmuar.
Dritare.net: Ju e përshkruani veten si një shqiptar të rilindur. Çfarë do të thotë të jesh një shqiptar i rilindur?
Mark Kosmo: Unë e quaj veten "shqiptar i rilindur", sepse zemra ime është shqiptare, por koka ime është amerikane dhe mendoj se është një kombinim i mirë, veçanërisht kur shqiptarët pëlqejnë të ankohen për shqiptarët e tjerë. Jam me fat sepse njerëzit më shohin si shqiptar kur është mirë të jesh shqiptar, dhe si amerikan kur është mirë të jesh amerikan. Kam lindur dhe jam rritur në Boston, në Shtetet e Bashkuara. Familja ime erdhi nga Korça në Amerikë 100 vjet më parë. Kur isha fëmijë thosha se isha amerikan nga e hëna deri të shtunën dhe shqiptar të dielave, kur shkonim në kishë (unë u rrita duke shkuar në kishën e Fan Nolit, Katedralja e Shën Gjergjit) e vizitonim me gjyshërit, hallat, xhaxhallarët dhe shumë kushërinj. Nuk mësova shqip kur isha fëmijë, përveçse si të betohem. Unë e përshkruaj veten si një shqiptar i rilindur pasi ndjej një lidhje me atdheun, Shqipërinë, në atë kuptim.
E di që të jesh shqiptar është një pjesë e madhe e identitetit tim dhe vlerave që kam, por nuk e kuptova deri kur isha në mes të të tridhjetave dhe fillova të shkoja në Shqipëri për Bankën Botërore, në maj të 1992-shit. Vetëm atëherë kuptova sesi të qenit shqiptar më ka dhënë formë. Ngrënia e lakrorit të gjyshes, të dielave, të mëson kaq shumë. Më duhej të udhëtoja për në Shqipëri, të vizitoja fshatrat e gjyshërve të mi dhe të jetoja në Shqipëri që të filloja të vlerësoja ndikimin e kulturës shqiptare mbi vete, që kur u rrita, në një kohë kur Shqipëria u mbyll hermetikisht. Për mua, si fëmijë dhe i ri, Shqipëria ishte si Hëna, shumë larg, misterioze dhe nuk mund të shkoje atje.
Kam kaluar shumë kohë në Shqipëri nga 1992-1999-ën, por e kam vizituar vetëm 5-6 herë në 20 vjetët e fundit. Kujtimet e mia më të gjalla janë kur po jetoja në Shqipëri në mars 1997-ën dhe pasojat, duke ecur në male drejt fshatit Trebicka, të gjyshërve të mi, argëtimin dhe gëzimin e takimit të shumë kushërinjve të mirë, të humbur prej kohësh, që tani si i rritur jam akoma në kontakt.
Dritare.net: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur në arritjen e qëllimeve tuaja në këtë projekt?
Mark Kosmo: Që të jem i sinqertë, unë e urrej ta them, por sfida më e madhe është se shqiptarët mund të jenë njerëz shumë të vështirë për të punuar me ta. Unë po bashkëpunoj me dhjetëra njerëz të shkëlqyeshëm dhe nuk kemi ndonjë problem të madh, por kur bëhet fjalë për angazhimin e komunitetit të gjerë global shqiptar hasim shumë cinizëm dhe mosbesim. Shqiptarët janë armiku i më i keq i vetes dhe kjo do të vazhdojë t'i lërë shqiptarët prapa, deri sa të ndryshojnë. Ju nuk mund të ecni përpara në shekullin e XXI, nëse qëndroni të ngulitur te mënyrat e vjetra të të bërit të gjërave, sepse gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Shokët e mi më të mirë i kam moshatarë, por unë punoj me shumë shqiptarë 20-30 vjet më të rinj se unë, të cilët janë goxha të zgjuar dhe të emancipuar sa i përket mendimeve të prapambetura, cinizmit shqiptar dhe teorive të pabazuara konspirative, por edhe ata më irritojnë ndonjëherë.
Dritare.net: Fondacioni Global Shqiptarët tani, a është ajo që keni ëndërruar para se ta krijoni?
Mark Kosmo: John Lennon i Beatles dikur tha se: "Jeta është ajo që ndodh, ndërsa ti po bën plane të tjera". Kështu që nuk ëndërroj shumë për ato që dua të bëj dhe thjesht e lë fatin të kujdeset për ëndrrat e mia të nënndërgjegjeshme. Unë dua të ndihmoj për ta bërë botën një vend më të mirë, si miliona njerëz të tjerë dhe çfarëdo gjëje që ndodh është mirë për mua. Unë jam “duke parë dhe duke bërë”, me GAF-in dhe gjithçka tjetër, unë shkoj aty ku më çon jeta. Ne të gjithë jemi si copa druri në një lumë, shkojmë atje ku rryma na çon edhe nëse jemi budallenj që mendojmë se mund ta kontrollojmë rrymën.
Unë nuk planifikoj më shumë se disa muaj përpara. Unë preferoj të shkoj me rrjedhën. Dhe më pëlqen shumë ndryshimi i rrjedhes Për mua, drejtimi i Fondacionit Global Shqiptarët është pak a shumë si të luash basketboll ose futboll, sigurisht që kam një plan të përgjithshëm të lojës, por pjesa më e rëndësishme e planit është që të përshtatesh, ndërsa loja zhvillohet. Plani im kryesor është të vazhdoj si kryetar i Germin dhe Fondacionit Global Shqiptar, në të ardhmen e parashikueshme, për të promovuar më mirë angazhimin e komunitetit shqiptar, në nivel global. Nuk jam i sigurt se si do të ndodhë apo nëse do të jem efektiv, por do të kënaqem me udhëtimin dhe nuk do të shqetësohem shumë për destinacionin ekzakt dhe përfundimtar. Mbi të gjitha, kjo ka të bëjë me të qenit mendjehapur dhe aventuresk. Sigurisht që ne kemi plane për të promovuar Filantropinë Shqiptare të Diasporës dhe Rrjetin e Profesionistëve dhe Ndërmarrësve Globalë Shqiptarë, por përmirësimi i detajeve do të jetë një proces fleksibël dhe i përshtatshëm me kalimin e kohës.
Dritare.net: Cilat kanë qenë sfidat tuaja si shqiptar në Amerikë, dhe a mund të thoni që ato kanë qenë një nxitje për të ndihmuar mijëra shqiptarë të tjerë në diasporë?
Mark Kosmo: Unë u rrita në një klasë të mesme dhe nuk kisha ndonjë sfidë të veçantë si shqiptar në Amerikë. Siç thashë, familja ime ka 100 vjet në Amerikë, kështu që gjithnjë identiteti im i parë ishte amerikan dhe i dyti shqiptar, personalisht, kulturarisht dhe profesionalisht. Për mua motivimi për të ndihmuar shqiptarët erdhi kur vizitova për herë të parë Shqipërinë në maj 1992, dhe pashë që do të duheshin dekada që vendi të ishte në një nivel me vendet e tjera evropiane. Unë u përfshiva më shumë me problemet e Diasporës rreth 20 vjet më parë, kur u zhvendosa përsëri nga Shqipëria në Amerikë, pasi jetova në Shqipëri për tre vjet. Të them të vërtetën, kur u largova nga Shqipëria në 1999-ën, isha pak i zhgënjyer, pasi ishte më e vështirë të punoja atje, por gradualisht e tejkalova dhe fillova të punoja më shumë me shqiptarët, ose siç tha një mik, ishte sikur unë u ktheva te një ish e dashur.
Dritare.net: Cilat janë vështirësitë më të mëdha që kanë shqiptarët në diasporë?
Mark Kosmo: Unë mund të flas vetëm për shqiptarët e Amerikës. Shqiptarët përballen me të njëjtat probleme që kanë të gjithë emigrantët. Si fillim, natyrisht, ka të bëjë me gjetjen e vendeve të punës dhe sigurimin e familjes. Pas kësaj ekziston problemi i asimilimit dhe i ndërtimit të një jete më të qëndrueshme me arsimim dhe mundësi më të mira. Sa i përket asimilimit për emigrantët shqiptarë, unë mendoj se ka një ndryshim të madh midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, që ia vlen të përmendet. Ti mund të bëhesh amerikan, por nuk është aq e lehtë të bëhesh francez, gjerman, italian ose të marrësh ndonjë kombësi tjetër. Në Amerikë, të gjithë janë një pakicë etnike dhe është komb i emigrantëve, kështu që është më e lehtë për t’u asimiluar, gjë që ndonjëherë çon në humbje të ndjenjës së lidhjes me Atdheun.
Dritare.net: Kush janë donatorët më të mëdhenj për shqiptarët?
Mark Kosmo: Nuk dua të përmend emra, por janë sigurisht shumë shqiptarë të pasur. Fondacioni Global Shqiptarët nuk ka asnjë donator të madh, ne kemi shumë të vegjël dhe të mesëm (rreth 3000 donatorë deri më tani). Duhet të them se shqiptarët nga Kosova, Shqipëria e Veriut dhe Mali i Zi janë donatorët më bujarë. Pjesë e problemit me shqiptarët nga Shqipëria, është se diaspora nuk është aq e organizuar, pasi nuk pati emigracion për 40 vjet të komunizmit, kështu që është lidhja më e dobët në Diasporën Globale Shqiptare. Shqiptarët nga Shqipëria janë gjithashtu më cinikë dhe mosbesues ndaj institucioneve në Shqipëri dhe kjo përkthehet në më pak shpresë, optimizëm dhe zemërgjerësi. Duket se shqiptarët nga SHBA-ja dhurojnë më shumë sesa shqiptarët nga vendet e tjera, por kjo mund të jetë vetëm nga përvoja ime, pasi shumica e kontakteve të mia janë amerikane. Studimet për filantropi ende tregojnë se është shumë më e lartë se në Evropën Perëndimore, pasi ekziston një ndryshim i madh kulturor dhe politika publike adreson çështje sociale shumë më mirë në Evropë, sesa në Shtetet e Bashkuara, kështu që në Evropë ekziston më pak një kulturë dhurimesh.
Dritare.net: Ju keni hapur thirrjet për të kontribuuar për projektet e emergjencës ndaj Covid-19. Cili është plani juaj për fondet që do të mblidhen?
Mark Kosmo: Të gjitha fushatat tona aktuale mund të gjenden në këtë link. Me pak fjalë, planet tona janë të shpërndajmë paketa ushqimore, artikuj higjienikë dhe materiale edukative për familjet në nevojë, gjatë verës. Sesa bëjmë, varet nga sa para mund të mbledhim. Ne jemi duke u përqendruar në tri grupe: (i) fëmijë dhe të rinj; (ii) personat me aftësi të kufizuara dhe (iii) dhe gratë në nevojë dhe organizatat e grave.
Dritare.net: Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim njoftoi se kishte zhvilluar një takim me ju. Cila ishte tema e diskutimeve tuaja?
Mark Kosmo: Ne diskutuam për mënyrat e ndryshme se si mund të punojmë së bashku. Tri idetë konkrete, të cilat planifikohet të ndjekë Fondacioni Global Shqiptarët janë: udhëheqja e rinisë dhe fuqizimi për të promovuar demokracinë; angazhimi më i mirë i Diasporës Shqiptaro-Amerikane në një mënyrë më të organizuar dhe institucionale në lidhje me dialogun me Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe ambasadat e SHBA-së në rajon, si dhe organizimi i një delegacioni të filantropëve, udhëheqësve të biznesit, sipërmarrësve, politikëbërësve dhe profesionistëve në 2021-shin (shqiptarë dhe joshqiptarë).
Dritare.net: A është arritur objektivi juaj prej 150,000 dollarësh për të ndihmuar ata që janë prekur nga tërmeti?
Mark Kosmo: Po. Ne mblodhëm rreth 216,000 dollarë për tërmetin dhe mbase shuma do të arrijë në 220,000 dollarë ose më shumë këtë verë. Ndërsa do të fillojmë të zbatojmë projektet këtë verë dhe vjeshtë, ne shpresojmë që suksesi i tyre të tërheqë donacione të tjera. Ideja për të gjithë ka qenë që ne të përdorim përpjekjet tona për lehtësimin e tërmetit si një katalizator për një ndikim më të qëndrueshëm dhe afatgjatë përtej lehtësimit emergjent.
Dritare.net: Si po ndihmohen familjet e prekura nga tërmeti?
Mark Kosmo: Kriza e COVID-19 na e ngadalësoi pak zbatimin e projekteve, kështu që na u desh që të rishikojmë dhe vlerësojmë 23 propozime të granteve që morëm në shkurt. Gjashtë OJQ-të shqiptare u morën me grante për rreth 10,000 dollarë secila për të ndihmuar në riparimet e strehimoreve, blerjen e mobileve, këshillimin dhe arsimimin e fëmijëve, si dhe sigurimin e ushqimit dhe produkteve higjienike për familjet në nevojë. Organizatat tona partnere janë: World Vision Albania, Caritas Albania, Fundjave Ndryshe, New Vision Organisation, Vizion OJF dhe Shqipëria Fetare Shumëkulturore dhe e Integruar. Së bashku me Adriatik Hotel në Durrës kemi ushqyer 100 veta për dhjetë ditë në Vitin e Ri, të cilët qëndronin në Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës. Ne gjithashtu kemi ndarë 10,000 dollarë për të ndihmuar familjet në nevojë në zonën e tërmetit, të cilët janë ndikuar negativisht nga kriza e COVID-19, dhe kemi shpërndarë pako deri më tani në 100 familje dhe presim të shpërndajmë 200 të tjera. Ekziston gjithashtu një shans i mirë që do të aprovojmë një shtesë 10,000 dollarëshe për të financuar vullnetarët e rinj, për të ndihmuar më tej familjet në nevojë në zonën e tërmetit këtë verë. 150,000 dollarët e mbetur ne presim t’i akordojmë për organizatat jofitimprurëse në fund të vitit, dhe unë dyshoj se do ta përfundojmë zbatimin e projekteve tona për lehtësimin e tërmetit në 2021-shin.
Dritare.net: Në një vit ose më shumë aktivitet, a mund të thoni sa shqiptarë janë ndihmuar nga Fondacioni Global Shqiptarët?
Mark Kosmo: Deri tani do të thosha në qindra, deri në mijëra. Duhet kohë për të ndërtuar kapacitete dhe ne nuk duam të bëjmë shumë gjëra, për shumë shpejt. Ne kemi ndihmuar dhe do të ndihmojmë shumë njerëz të prekur nga tërmeti dhe COVID-19, ndihma të cilat shpresojmë se do të vijnë në 300,000 dollarë të kombinuar. Por qëllimi ynë nuk është të bëjmë agjencitë e ndihmave. Ne duam t'i ndihmojmë të gjitha vendet të zhvillohen, duke i mësuar njerëzit se si të peshkojnë dhe jo t'u japim atyre peshk.
Dritare.net: Si mendoni se mund të përmirësohet bashkëpunimi midis shqiptarëve?
Mark Kosmo: Unë mund të shkruaja pafund për këtë, dhe prapë të mos jap një përgjigje. Gjëja më e rëndësishme është krijimi dhe ndërtimi i institucioneve në nivel kombëtar dhe global që promovojnë më shumë angazhim në komunitetin global shqiptar. Në pjesën më të madhe, organizatat shqiptare të diasporës janë efektive vetëm në nivelin lokal. Në nivele kombëtare, ato janë të dobëta dhe me siguri në nivelin global nuk kemi asgjë. Ndërlidhe këtë edhe me institucionet e dobëta qeveritare për angazhimin e diasporës dhe shumë mbetet për të dëshiruar, për të përmirësuar bashkëpunimin midis shqiptarëve. Kjo është arsyeja pse unë jam i lumtur që jam kryetar i Germinit, Fondacionit Global Shqiptarët, dhe ish-kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Massachusetts.
Dritare.net: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen për Fondacionin Global Shqiptarët?
Mark Kosmo: Qëllimi përfundimtar është promovimi i një lëvizjeje për ndryshime në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë bazuar në idealet dhe praktikat perëndimore. Fokusi është në promovimin e filantropisë së diasporës dhe krijimin i një Rrjeti Global Profesional të Shqiptarëve së bashku me organizatën tonë partnere, Germin. Në planin afatgjatë dëshirojmë të krijojmë një platformë online për mijëra shqiptarë që të angazhohen me profesionistë të tjerë shqiptarë, në vendet e atdheut dhe diasporë, dhe të gjithë të krijojmë një platformë dhurimesh online për të ndihmuar mijëra organizata jofitimprurëse shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Presheva, të mbledhim para për të mbështetur punën e rëndësishme që ata bëjnë./dritare.net

















