
Florian Furxhiu, shpikësi shqiptar i "Illegal Tacos" në SHBA
Dritare.net

Nga Enkeleda Bodini-dritare.net
Amerika, mijëra kilometra larg Shqipërisë ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë “dera” që shumë shqiptarë kanë zgjedhur për të ndërtuar jetën e tyre. Këtë zgjedhje në vitin 1996 e ka bërë edhe babai i personazhit që sot do të ndajë historinë e tij të suksesit me ne, Florian Furxhiu.
Ishte viti 1996 kur babai i Florian Furxhiut emigroi në Amerikë për t’i siguruar jetesë me të mirë dhe më të sigurt familjes së tij. Kaluan katër vite dhe më në fund pas shumë procedurash të stërzgjatura dhe verifikime dokumentesh, qeveria amerikane aprovoi letrat duke bërë që Floriani bashkë me familjen e tij të bashkoheshin me babain.
Florian Furxhiu nga Fieri është vetëm 32 vjeç dhe ka arritur të ndërtojë baza të forta në Amerikë. Largimi nga Shqipëria ka qenë një nga
momentet më të vështira që ai ka kaluar në jetë. Në një rrëfim për dritare.net ai thotë: “ Largimi ishte shumë shumë shumë i vështirë, nuk do t’i harroj asnjëherë lotët e asaj nate, madje dhe tani që po të tregoj më dolën lot”.
Jo vetëm largimin nga Shqipëria e kujton me lot, por edhe ndarjen nga shoku i tij më i mirë që e ka përcjellur edhe në aeroport.
Tashmë, Floriani jeton në Filadelfia të Amerikës, ai ka kryer studimet e larta në një nga Universitetet më të mira amerikane për Adminstrim Biznesi.
Shkolla dhe pasioni për biznesin kanë qenë dy indikatorë të rëndësishëm që Floriani sot zotëron tre biznese.
Biznesin e parë e ka hapur në moshën 24-vjeçare, është një lokal i quajtur “Mediterranean Cafe”, i hapur në vitin 2010. Është një vend i frekuentuar kryesisht nga emigrantë që vijnë nga Shqipëria, Algjeria, Tunizia, Spanja, Portugalia dhe nga vendasit amerikanë.
Biznesi i tij i dytë është një Agjenci Imobiliare e quajtur “Selling in Philly”, hapja e saj erdhi si pasojë e insistimit të babait të tij dhe një miku të afërt, të cilët e bindën dhe sapo Floriani mori licensën, ai e nisi si biznes.
Biznesi i tretë dhe më i përfoluri kohët e fundit në Filadelfia është “Illegal Tacos”, një restorant me shije tradicionale meksikane. Sapo Florianit iu dha mundësi për të blerë një hapësirë në qendër të Filadelfias, një cep që ka shumë lëvizje, ai vendosi të hapë një biznes.
Fillimisht nuk e kishte të qartë se çfarë biznesi, por e donte atë vend me patjetër. Më në fund i erdhi ideja teksa ishte duke ngrënë në një restorant meksikan.
Ai tregon për dritare.net: “ Duke ngrënë një ditë në një restorant meksikan, më erdhi ideja për një biznes të tillë, plus që ushqimi meksikan po del në modë këtu në Filadelfia. Kur më erdhi ideja në kokë më pëlqente më shumë sa herë që e mendoja, më dukej ide brilante”.
Ajo që ka bërë bujë me këtë restorant nuk ka qenë ushqimi apo vetë restoranti, por emri “Illegal Tacos” ose shqip Takos të paligjshme. Me emrin e restorantit, Floriani, ka dashur t’i largohet të zakonshmes. Ai donte një emër tërheqës, që shtonte kuriozitetin dhe që të ishte autentike meksikane.
Floriani tregon: “Duke mbajtur parasysh klimën politike kundrejt emigrantëve meksikanë që ju janë bashkangjitur terma ilegalë nga politika e Trump, më erdhi ideja që t’i bëj takos aq autentike sa janë ilegale në Amerikë”.
Zgjedhja e këtij emri, Floriani thotë se ishte me risk, sepse jo të gjithë kanë sens humori të njëjtë dhe mund ta merrnin për ofendim.
Menjëherë sapo ka vendosur emrin në ndërtesë reagimet kishin shkaktuar një rrëmujë të madhe. Tema e emrit të restorantit u bë shumë e diskutueshme saqë edhe mediat ndërkombëtare kishin mbërritur në Filadelfia.
Madje është hapur një peticion në “Google” për votim që Bashkia të ndërhyjë për të ndryshuar emrin. Deri tani janë mbledhur 1300 firma dhe pavarsisht kësaj, ai është i bindur se emri nuk do të ndryshohet.
Floriani rrëfen për dritare.net se: “ Peticioni mori shumë vota që Bashkia të ndërhyjë, por ata që kanë firmosur kanë një ide të gabuar për biznesin dhe mua duke menduar se jam kundër emigrantëve meksikanë. Është komplet e kundërta, unë kam 9 punëtorë meksikanë që punojnë aty dhe tani peticioni është i vdekur sado që numri i firmave të mbledhura ishte i madh”.
Ju mbase tani që po lexoni jeni duke menduar se si një njeri në një moshë kaq te re mund të arrijë kaq shumë gjëra në jetë.
Pasioni dhe vizioni janë ajo çfarë e kanë udhëhequr Florianin drejt suksesit. “Nëse keni një qëllim në mendje, çdo pengesë apo vështirësi duket thjesht një pjesë e një procesi të madh”, thotë Floriani.
Gjatë gjithë këtyre viteve, Floriani
ka arritur të krijojë eksperiencë. Eksperiencë fitimi dhe eksperiencë humbjeje.
Por cili është çelësi i këtij suksesi?
Ajo që për Florianin ka shumë rëndësi është shërbimi dhe trajtimi i njerëzve në atë mënyrë që të ndihen rehat kur flasin, bisedojnë apo bëjnë biznes . “Unë gjithmonë them 20% e biznesit është emri, 30% është produkti dhe 50% është shërbimi. Shërbimi i mirë përkthehet në sukses dhe vlera monetare”.
Pasioni i madh për biznesin e shtyn Florianin të punojë 7 ditë në javë, dhe ditët e tij kanë një itinerar zinxhir të lidhur me bizneset, është person që flenë shumë pak orë
dhe me familjen nuk kalon shumë kohë.
Ai tha për dritare.net se koha e pakët pranë vajzës 1 vjeçare, djalit 4 muajsh dhe bashkëshortes, është një nga gabimet e tij.
Ai gjithmonë përpiqet të krijojë kohë për veten dhe familjen në mënyra të ndryshme. Në punë ai ka krijuar një sistem biznesesh lehtësisht menaxhues dhe pushimet vjetore gjithmonë e kalon me familjen e tij duke vizituar shtetet e ndryshme.
Verën e kaluar ai ka qenë në Shqipëri dhe e ka kaluar në Jug për 10 ditë.
Floriani e dashuron Shqipërinë, ai dëgjon çdo ditë këngën e Vaçe Zelës- Moj e bukura Shqipëri. “Dëgjoj pothuajse çdo ditë këngën
e Vaçe Zelës- Moj e bukura Shqipëri dhe më rrëqethet mishi, madje sot në mëngjes e këndoja nëpër shtëpi”, thotë ai
Largimin nga Amerika nuk e ka menduar, sepse sipas tij është e vështirë duke qenë se ka krijuar baza të forta atje. Ka familjen, shoqërinë, por ai gjithashtu thotë që asnjëherë nuk i dihet.
Ajo çfarë Floriani sugjeron për të gjithë është që gjithkush duhet të ketë një qëllim për veten, duhet fillimisht të dini cili është qëllimi, dhe të luftoni deri në fund për të arritur. Bëni atë që keni pasion edhe nëse bota është kundër jush. Mos e gënjeni asnjëherë veten, sepse zgjuarsia
më e madhe që mund të ketë një njeri është vetëdija
për atë që është./dritare.net
https://www.youtube.com/watch?v=Oh-xFVnS1JY

















