
Si do t’i hiqet non-grata, Berishës! Flet Floriana Garo!
Dritare.net
Floriana Garo, zëdhënëse e Partisë Demokratike, e ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare Tv, ka komentuar vendimin e SHBA-së për shpalljen non-grata të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në vitin 2021.
Ajo ka shprehur besimin se ky vendim do të hiqet. Garo ka shtuar se Sali Berisha ka lidhje me administratën e presidentit Donald Trump, dhe se kjo mund të ndikojë në një përmirësim të marrëdhënieve me SHBA-në.
Sa i përket shpalljes non-grata, Garo theksoi se nuk ka asnjë fakt apo provë që të mbështesë këtë vendim dhe se gjithkush e di që ai ishte një hap për të goditur opozitën, në bashkëpunim me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim.
“Non-grata e Sali Berishës do të hiqet, por unë besoj që jo vetëm për Sali Berishën, por për të gjithë ata me të njëjtin vendim. Doktor Sali Berisha ka lidhjet e tij me administratën e Donald Trump.
PD-ja do të ketë marrëdhënie të mrekullueshme me SHBA-në, sidomos tani që u inaugurua Donald Trump. Dhe nëse do të flasim për një shenjë që tregon këtë përmirësim të marrëdhënieve, është fakti se, edhe pse me të gjitha ata urdhra ekzekutiv që po e shkundin administratën, do ta shikoni që do të përkthehet shumë shpejt në Shqipëri. Sa i përket non-gratës, nuk ka asnjë fakt apo provë dhe të gjithë e dinë që ishte hap për të goditur opozitën, bashkë me ambasadoren Yuri Kim.”- tha Garo/E.P-dritare.net

















