Na ndiqni edhe në

Emisionet

Inxhinieri i urave që ndërtoi një urë për gjuhën shqipe, historia e Urim Qovanajt

Inxhinieri i urave që ndërtoi një urë për gjuhën

Kush është djaloshi me mendje të artë pas tastierës së parë shqiptare? Urim Qovanaj, megjithëse duket shumë i ri, është një inxhinier ndërtimi 30-vjeçar i diplomuar në Zvicër, i specializuar në projektimin e urave.

Ai ndan historinë e tij unike në Shqip nga Rudina Xhunga, në Dritare TV. I lindur në Prizren, por i rritur dhe edukuar mes Italisë dhe Zvicrës. Ky formim multikulturor jo vetëm që i dha njohuri në fusha si inxhinieria dhe dizajni, por gjithashtu i forcoi lidhjen me rrënjët dhe gjuhën e tij amtare. Pasioni për dizajnin dhe nevoja për të kontribuar në kulturën e tij e shtynë të krijonte "AlbaType".

Ai shpjegon se ndërsa profesioni i tij është të ndërtojë ura fizike, me këtë projekt ai ndjen se po ndërton një urë simbolike, duke lidhur shqiptarët e diasporës me gjuhën dhe identitetin e tyre, një mision që buron nga një përgjegjësi e thellë personale dhe kombëtare.

Një inovacion me rëndësi kombëtare si tastiera "AlbaType" nuk mund të kalonte pa u vënë re nga krerët e shtetit. Urim Qovanaj rrëfen se si projekti i tij ka marrë një mbështetje të jashtëzakonshme në Kosovë. Ai u prit në takim nga Kryeministri Albin Kurti, i cili shprehu entuziazëm të madh për nismën. Gjithashtu, gjatë një panairi teknologjie në Prishtinë, ai pati mundësinë të takohej me Presidenten Vjosa Osmani, e cila e pëlqeu shumë idenë.

Kjo përkrahje e lartë institucionale ka hapur dyert për diskutime serioze që "AlbaType" të bëhet tastiera standarde nëpër zyrat e administratës publike, universitete dhe shkolla. Reagimi nuk ka qenë pozitiv vetëm nga politika; edhe publiku, veçanërisht pjesëmarrësit nga Shqipëria në panairin e Prishtinës, e kanë blerë produktin menjëherë, duke dëshmuar se nevoja për një mjet të tillë është reale dhe e përbashkët për të gjithë shqiptarët./dritare.net