Na ndiqni edhe në

Emisionet

Ekskluzive/ Si e detyrova avionin e NATO-s të ulej në Rinas! Flet ish-piloti Hamza Koci!

Ekskluzive/ Si e detyrova avionin e NATO-s të ulej në Rinas! Flet

Në një rrëfim ekskluziv, ish-piloti luftarak Hamza Koci ndau kujtimet e tij nga një karrierë 32-vjeçare në aviacionin ushtarak shqiptar, një periudhë e mbushur me sfida, patriotizëm dhe ngjarje historike. Në emisionin "Dekalog", 86-vjeçari Koci, me një kthjelltësi mbresëlënëse, zbuloi se si një rastësi e ktheu në një nga figurat më jetëgjata të forcave ajrore të kohës, duke i shërbyer vendit me parimin e vetëm, besnikërinë ndaj Atdheut.

Karriera e tij nisi në mënyrë të papritur. I lindur në fshatin Brut të Kukësit, Koci u frymëzua nga një nxënës i shkollës ushtarake "Skënderbej", veshja elegante e të cilit e bëri të ëndërronte për një të ardhme në ushtri. Pasi shkëlqeu në shkollën "Skënderbej", ai u përzgjodh për të studiuar për pilot në Bashkimin Sovjetik, në shkollën prestigjioze të aviacionit në Borisoglepsk. Për katër vite, ai u stërvit intensivisht, duke mësuar të pilotojë avionë si Jak-18, Mig-15 dhe Mig-17. "Fluturimi im i parë ishte një prezantim me ajrin.

Kur instruktori më pyeti se çfarë ndjeva kur u ngritëm, i thashë se mu duk sikur u hodha nga një lis i lartë," kujton ai me një buzëqeshje. Jeta studentore në BRSS ishte një përvojë unike. Koci përshkruan Moskën si një qytet modern dhe jetën shoqërore si shumë të hapur. Megjithatë, pavarësisht marrëdhënieve shoqërore me vajzat ruse, ai kishte vendosur të mos martohej me një të huaj. "Më zuri sedra e kukësianit," shpjegon ai.

"Thashë me vete, po të marr një të huaj, do të më shajë i gjithë logu." Ky vendim i tij reflektonte një lidhje të thellë me rrënjët dhe traditën. Pasi u kthye në Shqipëri, Koci filloi karrierën e tij në bazën ajrore të Kuçovës, duke shërbyer për 16 vite atje, e më pas në Gjadër dhe Rinas. Ai përshkruan një regjim të rreptë stërvitjeje dhe një gatishmëri të lartë luftarake, ku pilotët ishin të përgatitur për çdo skenar.

Përveç stërvitjeve, ai kujton edhe incidente reale me avionë të huaj që shkelnin hapësirën ajrore shqiptare, duke përfshirë uljen e detyruar të avionëve anglezë, grekë, jugosllavë dhe madje edhe të një avioni të NATO-s në Rinas. I pyetur për figurat drejtuese të kohës, Koci ndau përshtypjet e tij për Beqir Ballukun, të cilin e përshkruan si një njeri të komunikueshëm dhe të përgatitur. Jeta e një piloti ishte e privilegjuar, me një normë ushqimore speciale që përfshinte mish, çokollatë dhe fruta, por gjithashtu e mbushur me rreziqe.

Rrëfimi i tij tregon për një jetë të dedikuar ndaj profesionit dhe atdheut, një dëshmi e gjallë e një epoke të rëndësishme të historisë shqiptare./dritare.net