Na ndiqni edhe në

Editorial

Lufta te pragu!

Lufta te pragu!

Nga Dritan Hila

SHBA nuk ka një dallim mes të djathtës dhe të majtës në politikën e jashtme. Madje sipas standardeve evropiane janë e kundërta e të djathtës britanike apo franceze, le të themi. E djathta evropiane dallohet mbi të gjitha për synimet territoriale dhe koloniale. E djathta amerikane është izolacioniste dhe nuk do që ta harxhojë fuqinë amerikane përtej kontinentit. Mjaftohet me territoret kufitare ose maksimumi në Amerikën Latine. Është koncentruar kjo në doktrinën Monroe, manuali i izolacionizmit amerikan. Në dy luftëra botërore, Uillson dhe Rusvelt mezi ia dolën të fusnin SHBA në luftë. Dhe të dy ishin demokratë. Sikurse më vonë luftërat në Vietnam me Kenedin e më pas në konflikte të tjera ka qenë e majta amerikane ajo që ka marrë iniciativën e intervecionizmit ushtarak. Kjo ka lidhje edhe me karakterin hyjnor që pretendohet se ka SHBA, sipas themeluesve te saj. Pas Luftës së 2-të Botërore, SHBA-të kuptuan se ishte më rentabël të mbanin nën kontroll kontinentin e vjetër sesa ta linin në punën e tij e më pas të paguanin me jetët njerëzore për rivendosjen e rendit.

Sot, me kërcënimin e rikthimit të Trump, një fenomen kontravers, por që gjithsesi në vija të trasha mbart izolacionizmin tradicional amerikan, rrezikohet që bota të dalë jashtë kontrollit. Dhe në momentin që bota është jashtë dominimit të një perandorie, si dikur nën Pax Romana dhe sot Pax Americana, rrezikohen luftëra rajonale dhe pse jo edhe botërore.

Dhe një tërheqje amerikane si përkthehet për Evropën?

Aktualisht në kontinentin e vjetër ka një luftë në zhvillim e sipër. Në njërin krah janë rusët. Ekonomia e tyre tashmë ka një vit që është futur në shinat e luftës. Kjo e shpjegon edhe rritjen e tyre ekonomike me mbi 3% në vit. Më shumë tanke, topa dhe predha ruse hidhen në frontin ukrainas. Ndërkohë Ukraina nuk ia del të balancojë sasinë ruse. Për çdo predhe ukrainase, rusët hedhin katër. Ukraina nuk do ia dilte të mbahej pa ndihmën e vendeve të NATO. Ndihma perëndimore duke hequr atë të SHBA është e papërfillshme dhe do ishte rrëzuar me kohë qëndresa ukrainase. Kjo është një dëshmi tjetër pse pa SHBA, perëndimi e ka të pamundur t’i rezistojë një vale ruse. Aq më shumë që korrespondentë të pavarur në front por edhe analistë ushtarakë bëjnë me dije se pa mbështetjen amerikane, ushtritë evropiane veç e veç e kanë të vështirë të përballojnë një luftë të tipit lindor ku numri i humbjeve njerëzore ka qenë gjithmonë një shifër statistikore sesa dramë humanitare.

Industritë evropiane ende vazhdojnë të prodhojnë për luftën me ritmet e viteve ‘90-të, kur bota flinte mbi gërmadhat e Murit të Berlinit. Mirëpo tashmë dy fuqi të reja, Rusia dhe Kina po kërkojnë vendin e tyre në botë, dhe meqenëse nuk ka vende të lira, do fillojnë të shtyjnë, diku me luftë e diku me para. Bota ka ndryshuar dhe perëndimi, ku me këtë term kuptohet çdo aleat amerikan, pa SHBA, e ka të vështirë të përballet dhe do fillojnë forcat centrifugale. E pas kësaj, asnjë nuk mund të parashikojë sesi do sillen gjermanet apo japonezët pa trupa amerikane të dislokuara në territoret e tyre dhe askush nuk garanton që këta nuk do fillojnë të rishohin ëndrrat e dikurshme. Askush nuk mund të verë bast për një Evropë paqësore pa amerikanët brenda, sikurse askush nuk e mendonte një luftë në ish Jugosllavi, tre vjet pas rënies së murit të Berlinit

Ndaj një rikthim i Trump mbase do të ishte një zgjedhje e diskutueshme amerikane, por pa diskutim do të ishte një katastrofë për perëndimin. Pa një Amerikë prezente në botë, shumë shpejt do asistonim në luftëra lokale dhe pse jo botërore.

Ndaj emigrantëve të rinj në SHBA që vijnë nga Evropa i del punë të frenojnë Trump, pasi me një Trump në Shtëpinë e Bardhë, vendet e tyre të origjinës do të jenë më pranë luftës. Dhe dihet qe në luftë e pësojnë gjithmonë më të dobëtit, kategori ku futet edhe Shqipëria

E sa i përket Shqipërisë, mbetet aksioma romake “Si vis pacem para bellum” (nëse do paqen, përgatit luftën). Dhe perëndimit, ku tashmë futemi edhe ne) i del punë që të riarmatoset. Rikrijimi një force të armatosur gjitharmëshe, shtimi i numrit të rezervistëve, pasi për një ekonomi si jona është e vështirë ushtria profesioniste e madhe në numër, duhet të jetë një imperativ i ditës. As serbët, as kroatët, dy kombe faktorë në Ballkan dhe ashtu si ne me probleme të ndërsjella fqinjësie, nuk armatosen për parada. /dritare.net