Nga Dritan Hila
Për herë të parë Rapsodinë ma rekomandoi përpara 18 vitesh Edmond Laçi. Sapo isha kthyer nga Italia dhe të gjithë restorantet shqiptare ofronin menynë bazë me biftek, djathë, salcë kosi dhe patate të skuqura. Shko në Lezhë, më tha, merr kthesën për Shëngjin dhe nga mesi i rrugës në krah të djathtë ke restorantin “Rapsodia”. U nisa për ta provuar dhe pastaj mbeta për 18 vite klient i tij. Para 18 viteve por edhe sot lokali ishte një gjetje që në arkitekturë, punime në gur, me tavan të punuar në dru nga mjeshtër vendas, dyer dhe pajisje po ashtu.
Fredi ishte kthyer nga Italia dhe kishte vendosur të bënte një revolucion në një vend konservator në kulinari si Shqipëria, ku 15 vite pas urisë së komunizmit, uria në tru ende bënte që të konsumohej mishi në sasi gargantueske.
Kur e pyeta se a e pati të vështirë, më tha se shumica e klientëve prisnin që pas pjatave të njëpasnjëshme me kombinime me bazë peshku apo mishi, se kur do vinte bifteku. Për të arritur në ditët e sotme kur një nga klientët pasi kishte konsumuar menynë i kishte kërkuar edhe një levrek në furrë dhe pasi nuk e kishte prekur, shqetësimit të Fredit i ishte përgjigjur se gjithçka ishte ok, por pasi ngopi barkun donte të ngopte edhe syrin.
Fredi nuk u ndal tek kuzhina italiane. Ashtu si një rapsod ai krijoi baladën e tij. Tashmë nga Italia i ka mbetur vetëm fantazia, kurse kombinimet janë të gjitha me prodhime vendase. Ai ka krijuar atë që nuk i thotë as magazinë e as punishte por laborator. Aty konservon lëngun e shegës, reçelrat e manaferrës, likonë e fikut të egër, rakinë e lules së pishës, e shumë krijime që nuk i mbahen mend emrat. Nuk mund ta quash kuzhinë gourme pasi është diçka përtej saj.
Bashkë me të shoqen është motori i një sipërmarrjeje që është bërë shkollë. Rini lezhjane aty ka mësuar profesionin e kuzhinierit dhe kamerierit. Shumë ikin që të provojmë fatin e ca rrinë. Por Fredi nuk mërzitet. I ngjan Salvatores tek tregimi i William Somerset Maugham, që sido që t’i vijë jeta, ai i buzëqesh asaj dhe i gëzohet familjes dhe fëmijëve të tij. Dhe në atë kullën e tij ai vazhdon dhe eksperimenton duke krijuar meny sipas stinëve e ku klientët i ka jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga bota.
Tashmë Lezha është një lokomotivë në artin e ushqimit. Djemtë dhe vajzat e saj kanë krijuar një miriadë agroturizmesh ku sapo hyn të presin me buzëqeshjen e mikpritjes së veriut ku ti je jo vetëm klient por edhe mik që i ke respektuar. Ku një shembull i saj që nuk të zhgënjen kurrë është Fredi, rapsodi i kuzhinës./dritare.net