
Çfarë e shkakton diabetin? Gjithçka që duhet të dini rreth kësaj sëmundjeje!
Dritare.net
Diabeti është një sëmundje që vitet e fundit është rritur me shifra alarmante. Si një rrezik i heshtur ai sulmon gjithmonë e më shumë, duke qenë ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve të zemrës apo dhe humbjes së jetës. Diabeti shfaqet kur pankreasi nuk prodhon sasi të mjaftueshme të insulinës, ose kur trupi nuk mund ta shfrytëzojë në mënyrë efikase insulinën e prodhuar nga pankreasi. Insulina është një hormon që rregullon nivelin e sheqerit në gjak. Për më tepër mjeku endokrinolog Florian Toti, shpjegoi në emisionin "Dritarja e Doktorit" shkaqet dhe mënyrën si të mbrohemi nga kjo sëmundje.
"Ka një faktor, i cili e shpërthen diabetin, kryesisht atë Tip1. Ndonjëherë bëhen shkak edhe virozat, të cilat shkatërrojnë qelizat beta. Në rastet e diabetit Tip2 janë personat që kanë një lidhje familjare me diabetin, ose vuajnë nga obeziteti dhe mbipesha. Stresi është një faktor madhor, pasi në rastet kur ne kemi stres trupi çliron disa hormone më tepër, siç janë kortizoli, adrenalina dhe noradrenalina. Të gjitha këto hormone e lodhin veprimtarinë e pankreasit dhe bëjnë që të shpërthejë, apo të shfaqet diabeti.
Por ka edhe faktorë të tjerë. Mendohet që kur nëna vuan nga diabeti Tip1, fëmija ka 3% rrezik , në rastin e babait, fëmija ka 6%, ndërsa kur janë të dy prindërit të prekur, atëherë fëmija ka rrezik 15%, që të ketë diabet. Ndryshe ndodh në diabetin Tip2, pasi këta persona e kanë në trashëgimi, dhe sa më afër të jetë brezi familjar, aq më rrezik ka që edhe fëmija të jetë i prekur.
Materiali jonë gjenetik është përgjegjës për 70% të sëmundjeve që ne mund të na shoqërojnë gjatë jetës, por ama kemi një 30% për të cilin duhet të kujdesemi. Nëse ne konsumojmë 3 vakte të rregullta në ditë, të pasur me fruta dhe perime, e ulim me gati 20% rrezikun e prekjes nga diabeti. Materialin gjenetik nuk e ndryshojmë dot, por ama kemi në dorë të ruhemi nga rreziku me atë 30%",- u shpreh mjeku Toti./ dritare.net

















