A kam artrit apo artrozë? Ja si të dalloni këto dy probleme shëndetësore
Dritare.net

Një nga pyetjet më të shpeshta që pacientët i drejtojnë reumatologëve është, a kam artrit apo artrozë?. Edhe pse termat tingëllojnë ngjashëm, ato përfaqësojnë dy realitete mjekësore krejt të ndryshme. Artroza (ose osteoartriti) është kryesisht një proces degjenerativ dhe mekanik.
Imagjinoni një makineri që punon për vite me radhë, me kalimin e kohës, pjesët e saj lëvizëse fillojnë të konsumohen. E njëjta gjë ndodh me kyçet tona. Sipërfaqja kërcore që mbulon kockat dëmtohet, dhe më pas dëmtohet vetë kocka. Ky proces nuk është autoimun, por lidhet ngushtë me plakjen, mbipeshën (obezitetin) dhe jetën sedentare. Pesha e tepërt ushtron presion të vazhdueshëm mbi kyçe, duke përshpejtuar degradimin e tyre, ndërsa jeta pasive dobëson muskujt që duhet të mbështesin këto kyçe.
Ndryshe nga artroza, artritet (si ai reumatoid) janë sëmundje inflamatore sistemike që nuk lidhen domosdoshmërisht me moshën apo konsumimin. Kjo diferencë është thelbësore sepse përcakton strategjinë e trajtimit: ndërsa për artrozën fokusohemi tek menaxhimi mekanik, humbja e peshës dhe fizioterapia, për artritet nevojiten medikamente që modifikojnë përgjigjen imunitare.
Një tjetër patologji madhore që shpesh bashkëjeton me këto gjendje është osteoporoza. E quajtur ndryshe si sëmundja e kockave të brishta, ajo është një çrregullim metabolik ku kockat humbasin densitetin e tyre mineral, kryesisht kalciumin. Biologjikisht, trupi ynë është në një proces të vazhdueshëm rigjenerimi qelizor, por për ta realizuar këtë, ka nevojë për nivele optimale të kalciumit dhe Vitaminës D. Kur ky ekuilibër prishet, qoftë nga ndryshimet hormonale si menopauza tek gratë, qoftë nga faktorë të tjerë si përdorimi i kortizonikëve, sëmundjet e veshkave apo diabeti, kocka bëhet poroze.
Statistikat janë alarmante, një në tre gra dhe një në pesë burra preken nga osteoporoza. Rreziku rritet ndjeshëm pas menopauzës për shkak të rënies së estrogjenit, një hormon mbrojtës për kockat. Megjithatë, osteoporoza nuk është ekskluzive për të moshuarit; ajo mund të prekë edhe gra të reja me çrregullime hormonale, histori abortesh apo dieta ekstreme. Fatkeqësisht, shumë njerëz e zbulojnë që kanë osteoporozë vetëm pasi pësojnë një frakturë, pasi sëmundja është e heshtur dhe pa dhimbje në fazat fillestare.
Kjo thekson rëndësinë e kontrolleve periodike të densitetit kockor, veçanërisht për kategoritë e rrezikuara./dritare.net
