
Dieta që duhet të mbajnë pacientët që vuajnë nga veshkat!
Dritare.net
Për të mësuar se si të mbrojmë veten nga dëmtimi i veshkave në mënyrë të pakthyeshme, Dritarja e Doktorit ishte këtë javë pranë mjekes nefrologe Benereta Hoxha. Doktoresha tha se pacientët që vuajnë nga veshkat duhet të shmangin kripën dhe yndyrat.
“Dieta është e nevojshme për çdo pacient sipas sëmundjes që ai ka. Në rast kur pacienti ka infeksione urinare duhet shtuar sasia e lëngjeve që duhet të jetë deri në 3 litra. Në rastet kur pacienti nuk ka urinim, kur azoti është në shifra shumë të larta, duhet të drejtohet drejt dializës. Dieta ushqimore përveç lëngjeve përfshin kufizim të proteinave. Kur fillon dëmtimi i veshkave janë të domosdoshme dy hapa: e para duhet shumë kujdes me kripën, dhe e dyta me proteinat. Proteina e rëndon më shpesh veshkën. Pra veshka sforcohet më shumë në punën e saj për të nxjerrë azotin. Duke mbetur i lartë në gjak azoti grumbullohet në të gjithë organizmin, sidomos edhe në tru duke shkaktuar pasoja serioze për jetën.
Në fazat e para kur shfaqet hipertension ne i këshillojmë pacientët të mos marrin shumë kripë, por kur funksioni renal bie veshka e eliminon vetë dhe në këto raste ne japim vetë pak kripë. Domethënë jo të gjitha ushqimet, i japim pa kripë.
Kemi edhe shtesa ushqimore për rastet që janë me dëmtime të funksionit renal dhe bëjmë këtë kufizim të proteinave, pra 120 gramë në ditë duhet të marrë, atëherë marrim elementët suplementet që janë të rimbursueshme, aminoacidet esenciale te cilat nuk kanë sasinë e proteinave që dëmtojnë veshkat, por kanë elementet e domosdoshme që i duhen trupit tonë.
Kufizimet në ushqime janë sipas sëmundjeve. Përveç kripës, e rëndësishme është edhe yndyra, që duhet kufizuar”, u shpreh doktoreshe Hoxha./L.F-dritare.net

















