Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Doktoreshë Qirjazi, apel prindërve: Mos i dënoni fëmijët me shurdhëri, ja çfarë duhet të bëni!

Doktoreshë Qirjazi, apel prindërve: Mos i dënoni
Nga Dritare.net

Mendoni për një moment një botë pa zhurma. Si do të ndiheshit? Çfarë do të mendonit? Po nëse fëmija juaj nuk do t’i dëgjonte fjalët tuaja? Nëse ju i thërrisni e ai nuk reagon e nuk ju kupton?

Me siguri e keni dëgjuar të thuhet që parandalimi i një sëmundjeje është më i rëndësishëm sesa trajtimi i saj. Është e vërtetë, prandaj mos e harroni. Mos i privoni fëmijët tuaj nga një domosdoshmëri!

Tashmë edhe në Shqipëri ka një mënyrë për të kuptuar nëse fëmija juaj ka dëgjueshmëri të ulët e më pas të korrigjohet ky defekt.  Falë një projekti Evropian, që i është besuar Universitetit të Mjekësisë, të gjithë prindërve ju jepet një mundësi që të testojnë dëgjimin te fëmijët e tyre të sapolindur.

Prof. Asc. Brikena Qirjazi, pedagoge e Departamentit të ORL- Okulistikës në Fakultetin e Mjekësisë është koordinatorja e projektit. Doktoreshë Qirjazi është ndër të vetmet audiologe në Shqipëri, e specializuar në Angli, që është marrë prej vitesh me këtë fushë dhe të dhënat e nxjerra prej saj përdoren në literaturë.  Pasi u kontaktua nga Erasmus, ajo pranoi menjëherë dhe filloi procesin e realizimit të këtij projekti madhor.

“Është një gjë që më pëlqen. Për më tepër dëgjimi është dëmtimi më i shpeshtë i lindur. Nëse te një fëmijë nuk e zbulon gjatë 3-4 vjeteve të para që nuk dëgjon, ai kthehet në fëmijë me paaftësi, nisma më pas është shumë e vështirë, në mos e pamundur”, thotë doktoreshë Qirjazi.

Projekti i parë studimor që përzgjedh një universitet shqiptar

Universiteti i Mjekësisë (UMT) është pjesë e projektit evropian “EUSCREEN”, (2017- 2020), që zhvillohet nën programin e Bashkimit Europian (BE) “Horizon 2020”. Konsorciumi i universiteteve udhëhiqet nga universiteti Erasmus i Roterdamit, Holandë. Doktoreshë Qirjazi tregon për Dritare.net fillimet e këtij projekti, që ka si qëllim depistimin e dëgjimit te fëmijët e porsalindur.

“Shqipëria është zgjedhur të pilotojë depistimin e dëgjimit te bebet. Tre zonat e përzgjedhura kanë karakteristikat e tyre gjeografike, kulturore apo socio-ekonomike. Tirana, me nivel më të lartë socio-ekonomik, ka numrin më të madh të lindjeve, rreth 10,000/vit. Kukësi është një zonë e thellë malore, me nivel të ulët socio-ekonomik dhe nga të paktat zona ku ende raportohen lindje në shtëpi, ndërsa Pogradeci ka probleme të tjera, për shkak edhe të popullsisë rurale”, thotë doktoreshë Qirjazi.

Depistimi përfshin një grup testesh të padëmshme që iu bëhen fëmijëve të porsalindur. Nëse fëmija i kalon këto stade, thuhet se është në rregull me dëgjimin. Nëse nuk i kalon, tregon se ka nevojë për një test diagnostik. Deri tani në Shqipëri janë zhvilluar dy projekte në këtë fushë, por që nuk janë çuar deri në fund. Doktoreshë Qirjazi tregon se ka qenë iniciatore e projektit të parë, në vitin 2004, por që nuk pati mbështetjen e duhur, pasi ishte një gjë e re për shqiptarët.

“Programi parë i depistimit, 2004-2008, mbulonte vetëm Tiranën. Ishte një projekt i vështirë me pamundësi infrastrukturore, pajisje apo personel, që gjithsesi çau akullin e se panjohurës dhe përbën një risi.  Në 2008, depistimi vazhdoi me një projekt italian, që kaloi kufijtë e Tiranës dhe më pas pauzë”.

Qirjazi tregon se të dhënat e programit aktual të depistimit do të shërbejnë për të kostifikuar procesin dhe për të treguar se cila skemë është më kost –efektive. Në këtë proces do të ndihmojnë të dhënat e programeve si-motra në Evrope dhe modeli statistikor i Erasmus MC.

Faza përgatitore e projektit është zhvilluar në vitin 2017, ndërsa që prej 1 janarit 2018 ka filluar depistimi në maternitet e tre rretheve të përzgjedhura.

Pse i duhet Shqipërisë një projekt depistimi për dëgjimin?

Në Shqipëri nuk  ka të dhëna përfundimtare dhe të sakta për numrin e personave që vuajnë nga problemet me dëgjimin. Por prevalenca e dëmtimit të dëgjimit te fëmijët, është e lartë. Sipas shifrave zyrtare në arenën ndërkombëtare, rezulton që 1-2 fëmijë në 1000 lindje, të kenë probleme dëgjimi, kjo shifër 10-fishohet në fëmijët e reanimacionit të materniteteve. Kështu që, sa më shpejt të kapet problemi, aq më e shpejtë do të jetë edhe zgjidhja. Doktoreshë Qirjazi tregon disa arsye pse ky projekt është kaq i rëndësishëm për Shqipërinë.

“Ne synojmë të ndërtojmë një database te transferueshëm në një regjistër kombëtar. Kështu, të gjitha të dhënat e nevojshme për të ndjekur një proces të tillë, do të jenë të grumbulluara dhe lehtësisht të përpunueshme. Ne nuk kemi një regjistër kombëtar, as dhe një listë pritëse për implant koklear, që të themi kush është fëmija i radhës për kryerjen e procedurës, siç ndodh me dializën apo sëmundje të tjera” thotë doktoreshë Qirjazi.

Ky projekt po krijon disa ekipe të afta që të merren me depistimin, me çështjet e lidhura me të, por jo vetëm.  Në të parashikohet përforcimi i të gjitha strukturave nga diagnostikimi deri në rehabilitim. Pavarësisht se projekti parashikohet të përfundojë në 2020, ai po krijon struktura të qëndrueshme, duke synuar vazhdimësinë e depistimit, për t’u bërë praktikë mjekësore e detyrueshme për të gjithë të porsalindurit në Shqipëri, ashtu siç ndodh me disa analiza të tjera.

Në kuadër të këtij projekti, në Shërbimin Universitar te ORL, QSUT, në bashkëpunim me drejtorinë e QSUT është ndërtuar dhe po plotësohet një kabinet audiometrie, unik në vend, që përmbush të gjitha standardet dhe parametrat e duhur për të bëre të mundur një diagnostikim përfundimtar të dëmtimit të dëgjimit. Krahas ngritjes së kabinetit të eudiometrisë, janë hartuar dhe botuar materiale informative për prindërit, në lidhje me rritjen e ndërgjegjësimit të tyre për depistimin e fëmijëve.

“Autoritetet kanë siguruar aksesin në maternitetet e përfshira në projekt duke mundësuar kryerjen e detyrave dhe të gjitha lehtësirat e nevojshme.  Pajisjet që do të përdoren në kuadër të projektit do u dhurohen materniteteve përkatëse duke mbetur në përdorimin e tyre sipas nevojave në të ardhmen.  Trajnimi i stafit që do të përfshihet në depistimin e dëgjimit është bërë në Tiranë nga pedagogët e Fakultetit të Mjekësisë, kurse ekspertët e aparaturave kanë shpjeguar përdorimin e pajisjeve. Kemi shkuar nëpër rrethe, kemi bërë praktika nëpër pavijone fëmijësh dhe kemi folur me shumë prindër që të mos hezitojnë por t’ju bëjnë testet fëmijëve të tyre”, tregon doktoreshë Qirjazi për Dritare.net.

Nga ana tjetër, ky projekt është i rëndësishëm për universitetin, pasi deri tani universitet e Shqipërisë nuk kanë qenë të përfshirë në projekte kaq të rëndësishme evropiane, duke e ngritur në një nivel më të lartë këtë universitet dhe duke iu hapur rrugën projekteve të tjera dhe kërkimit shkencor.

Si realizohet procesi i depistimit të dëgjimit?

Depistimi i dëgjimit ka disa protokolle dhe përfshin disa teste. Ato fillojnë sapo lind fëmija deri në 3 mujorin e parë të tij. Doktoreshë Qirjazi thotë se testi i parë duhet të bëhet 48 orë pas lindjes, e testet e tjera vazhdojnë të ndiqen edhe pas largimit nga materniteti.

“Në rastet e lindjeve natyrale është pak e vështirë të bëhet depistimi, pasi fëmija rri 24 orë ose me pak  në maternitet. Për nënat që lindin me operacion, apo për fëmijët që lindin me probleme, është dita e dytë dhe e tretë, e cila është më e përshtatshme. Pas lindjes së një fëmije, duhet të mbushet një fletë e miratimit të informuar. Është kusht që të informohet prindi, të bien dakord njëri apo të dy prindërit dhe të firmoset letra e konsentit. Pas kësaj bëhet testi i parë. Pjesa më e madhe e fëmijëve, mund të mos e kalojnë testin e parë, për shkak se fëmija nuk është i qete apo probleme te tjera, kështu që këshillohet testi i dytë, pas dy javëve”, shpjegon doktoreshë Qirjazi.

Sipas udhëzuesve evropiane, lidhur me vlerësimin e hershëm të dëgjimit, duhet që brenda muajit të parë, të mbarojnë të gjitha testet depistuese, ato diagnostike duhet të plotësohen gjatë tremujorit të parë dhe brenda 6 mujorit të parë, fëmija duhet të rehabilitohet.

Si pjesë e projektit, deri tani janë trajnuar personat që do të depistojnë fëmijët e porsalindur. Në vazhdimësi do të zhvillohen trajnime për terapeutë të të folurit, dhe për teknikët që do të bëjnë pjesën e diagnostikës. Trajnimi do të bëhet nga ekspertë të huaj pasi është një nivel më lartë.

Bashkëpunimi i prindërve, shëndet për fëmijët

Shumë prindër nuk janë të informuar për këtë proces dhe disa prej tyre refuzojnë të bashkëpunojnë. Doktoresha tregon se në projektin e parë të saj, në 2004, ishte një proces i panjohur, ndërsa sot janë disi më të hapur. Gjithsesi është e rëndësishme të kuptohet prej tyre se është gjëja më e mirë që mund të bëjnë për fëmijët e tyre, pasi nuk humbasin gjë po përkundrazi, mund të kenë përfitime. Nëse fëmija ka probleme me dëgjimin dhe zbulohet që në momentet e para të jetës, kursehet kohë e shpenzime si dhe shmangen rreziqet që i kanosen fëmijës.

“Kur fëmija ka probleme, prindërit shqiptarë thonë se kështu ka ndodhur me gjyshin e gjyshen. Por kur e shikojnë vërtet që e folura ka vonuar disa vite dhe fëmija nuk flet, kujtohen dhe e sjellin për diagnostikim. Po,r çfarë ndodh? Deri në 5 vjeç fëmija nuk bën dot një audiogramë standarde. Në Shqipëri përgjithësisht mosha e diagnozës është 4-5 vjeç, pra shumë e vonuar.  Kjo e fundit shpesh kërkon që testet të kryhen me sedacion/anestezi, gjë që ka rreziqet e veta. Ndërsa, nëse kryhet depistimi i dëgjimit brenda muajit të parë të jetës si pjesë e sistemit shëndetësor, kostoja është shumë më e vogël”.

Doktoresha tregon se njerëzit që nuk dëgjojnë fare, janë shumë të rrallë. Shumica e njerëzve nuk dëgjojnë spektrin e gjuhës së folur dhe prandaj dhe flasin keq. E duke qenë se këtë problem nuk e kanë korrigjuar në vegjëli, ata shkojnë në moshë madhore te mjeku. Por, në këtë fazë rikuperimi i aftësive gjuhësore është i pamundur.

“Bota sot përpiqet që çdo gjë ta bëjë brenda moshës 3-5 vjeçare, pasi çdo zonë e trurit mund të zhvillohet në varësi të shqisës përkatëse. Mosha rreth 3-3,5 vjeç quhet moshë kritike. Në një tru në moshë të re, i cili është si plastelinë, zhvillohen sinapse e fillon identifikimi i fonemave. Formohen zonat respektive dhe fëmija fillon të flasë. Pas moshës 4.5- 5 vjeç, dhe kjo është e studiuar me rezonanca e studime të shumta, kjo zonë fillon  e mbulohet gradualisht nga fusha vizive dhe somatike, duke zhdukur fushën e dëgjimit.”

Doktoreshë Qirjazi thotë se procesi i rifitimit të dëgjimit është i gjatë dhe përbëhet nga disa hallka, duke filluar nga vendosja e aparatit të dëgjimit, terapia e te folurit, e për të arritur te implanti koklear, i cili është shumë i kushtueshëm e nuk mund të jetë i përballueshëm për të gjitha familjet.

“Këtu në Shqipëri është folur më shumë për implantin koklear, që është një hallkë e zinxhirit, ndërkohë që duhet të flitet për të gjithë procesin. Flitet shume për operacionin, ndërkohë që operacioni është vetëm një pjesë e procesit. Pra, ti bën një implant që kushton shumë vërtet. Po pastaj? Operacioni mund të jetë i suksesshëm, por nuk mund të japë rezultatet e pritura nëse historia mbaron këtu. Implani koklear nuk është terapi, nëse nuk është pjesë e një procesi të madh rehabilitimi ku partneri kryesor është prindi. Ai duhet të punojë me fëmijën, të ketë disa teknika pune, t’i flasë gjithë kohën dhe me mbështetjen e specialistëve fëmija të bëhet i aftë.”

Procesi i depistimit nuk është i sjellë rishtazi në Ballkan. Vendet fqinje, si Greqia, Italia, Kroacia, e kanë pjesë të sistemit dhe në çdo maternitet shteti ofron që fëmijës së lindur t’i bëhet testi i dëgjimit.

Prandaj doktoreshë Qirajazi sugjeron që të krijohet një grup presioni ose lobimi nga poshtë që të promovoje depsitimin e dëgjimit si pjesë e sistemit shëndetësor.

“Pas dy projekteve që ngelën vetëm projekte, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke qenë në linjë edhe me strategjitë ekzistuese të saj, duhet të mendojë për përfshirjen e depistimit të dëgjimit në sistemin e shërbimeve që ofrohen për të porsalindurit. Në Shqipëri po krijohet  personel i specializuar si dhe baza materiale e nevojshme me aparatura e sistemin e ndjekjes së rasteve, mund të shtohen elementë e personel më i shumtë, nëse gjykohet e arsyeshme. Ka ardhur koha që një si sistem i tillë të bëhet pjesë e jona. Pse të mos i sjellim diçka të mirë vendit tonë?”, thotë doktoreshë Qirjazi./Dritare.net