Ndërkohë në një intervistë të fortë për revistën Madame Mapo, Dade ka komentuar në këtë mënyrë një batutë të Edi Ramës se atë mund ta shohim si Ministre të Brendshme në qeveri.
“Ishte një shaka e kryeministrit. Nuk besoj se e kishte seriozisht. Kryeministri ka autoritetin për të ftuar ministrat në qeverisje dhe unë nuk kam asnjë keqardhje që nuk jam në këtë qeveri, për arsye se detyrën që kam si kryetare e Komisionit të Jashtëm, përveçse e kryej me pasion dhe me shumë përkushtim, kam edhe kënaqësinë e veçantë që bashkëpunoj me kolegë, që kanë njohje të politikës së jashtme, siç janë Ben Blushi, Namik Dokle, Valentina Leskaj, por edhe nga ana e opozitës: Aldo Bumçi, Eduard Selami, Kastriot Islami, Jozefina Topalli, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, si dhe disa kolegë të rinj në këtë detyrë si Luljeta dhe Edlira. Me angazhimin e tyre, ne e kemi bërë Komisionin e Jashtëm të funksionojë si kurrë më parë. Por kam kënaqësinë të bashkëpunoj ngushtësisht edhe me kryetarin e Kuvendit, zotin Meta, i cili i njeh mirë dhe i vlerëson çështjet e politikës së jashtme”.
Ajo e ka një koment edhe për kolegen Mimoza Hafizi, e cila është rebeluar ndaj kreut të PS.
“Gratë me personalitet të fuqishëm, gra eksperte në fushate e tyre, specialiste dhe shkencëtare si rasti i Mimoza Hafizit, sigurisht që nuk i mungojnë Shqipërisë. Për fat të keq, edhe qeveria aktuale nuk ka ditur t’i përfshijë gra me këto cilësi në Administratën Publike apo në struktura të tjera të qeverisjes”.
“Duhet të shohim nëse “Shqipëria e gjeneratës tjetër” është thjesht retorikë apo fakt! Shoh që brezi i ri përvetëson më shpejt disa praktika pragmatiste, të cilat mund të sjellin dëm për një karrierë normale politike, sesa vlerat”.
“Druaj se një numër i madh i afrohen strukturave partiake kur partia është në qeverisje, jo se e kanë pasion politikën, por sepse e shohin si të vetmen mundësi për të rregulluar në njëfarë mënyre jetesën”.