U mbajt peng për shtatë vjet gjatë luftës në Liban, ndahet nga jeta gazetari amerikan!
Dritare.net
Terry Anderson, gazetari amerikan i cili u mbajt peng për gati 7 vite gjatë luftës civile në Liban është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Anderson asokohe punonte si korrespodent për Lindjen e Mesme për Associated Press, kur u kap nga militantët islamikë në 1985.
Lajmi për vdekjen e gazetarit është konfirmuar nga vajza e tij, e cila përmes një mesazhi shprehet: “Asnjëherë nuk i pëlqente të quhej hero. Megjithëse jeta e babait tim u karakterizua nga vuajtje ekstreme gjatë kohës në robëri, ai gjeti paqe vitet e fundit. Ai zgjodhi të mbahet mend jo nga përvoja e tij më e keqe, por përmes punës humanitare me Fondin e Fëmijëve të Vietnamit, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, veteranët e pastrehë dhe shumë kauza të tjera”.
Anderson u rrëmbye në Bejrut më 16 mars 1985. Ai sapo kishte mbaruar së luajturi tenis kur persona të armatosur e tërhoqën zvarrë në një makinë dhe u larguan me shpejtësi, citon BBC. Shumica e më shumë se 100 të mbajturve midis 1982 dhe 1992 ishin nga SHBA dhe Evropa Perëndimore, duke përfshirë të dërguarin e Kishës së Anglisë, Terry Waite, i cili u mor peng nga grupi që mbante Anderson kur negociatat u ndërprenë më 20 janar 1987. Anderson u lirua në 1991 pasi lufta civile përfundoi. Ai u takua me vajzën e tij për herë të parë kur ajo ishte gjashtë vjeç.
Ai shkroi gjithashtu një autobiografi të titulluar, Den of Lions, ku ndante detaje nga koha që ndodhej në robëri./M.K-dritare.net