Kim Jong Un trondit botën. Vajza adoleshente drejt fronit të Koresë së Veriut
Dritare.net

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, besohet se ka zgjedhur vajzën e tij adoleshente, Kim Ju Ae, si pasardhëse. Sipas agjencisë së inteligjencës së Koresë së Jugut, prania e saj gjithnjë e më e dukshme në aktivitete zyrtare, si vizita shtetërore, ngjarje ushtarake dhe ceremoni të rëndësishme, tregon se ajo po përgatitet për të marrë një rol udhëheqës në të ardhmen.
Kim Ju Ae është fëmija i vetëm i njohur publikisht i Kim Jong Un. Ajo është shfaqur shpesh në mediat shtetërore, duke u paraqitur pranë të atit në aktivitete politike dhe ushtarake, madje edhe jashtë vendit. Thuhet gjithashtu se ajo po fillon të japë mendime për politikat shtetërore dhe po trajtohet si një figurë e rëndësishme politike.
Familja Kim ka sunduar Korenë e Veriut për tri breza dhe shumë analistë besojnë se pushteti mund të vazhdojë të mbetet në këtë familje, me mundësinë që në të ardhmen t’i kalojë vajzës së tij./K.C/dritare.net