
Balla shkresë zyrtare Shkëlzen Berishës: Hajde në komision, ose të dërgoj në Polici
Dritare.net

Në shkresën e dërguar dhe siguruar nga “BalkanWeb” Balla i kërkon Shkëlzen Berishës të paraqitet në komision ditën e hënë në orën 17:00 në të kundërt do ta shoqëronte me polici.
Shkëlzen Berisha ka mohuar më herët lidhjet me Nuel Kalajn dhe Kastriot Ismailaj.
Ai deklaroi se Taulant Balla nuk është i interesuar që të dalë e vërteta ndaj nuk lejoi që mbledhja e kaluar të drejtohej nga një prej kolegëve të tij.
“Përse ky komision duhet të drejtohet nga një njeri që është i dënuar për shpifje ndaj meje? Ai nuk deshi që ta zëvendësonte ndonjë koleg sepse nuk do të dalë e vërteta. Nuk kam asnjë lidhje me zotin Ismailaj dhe as me zotin Kalaj. Mirë zoti Kalaj që nuk gjendet por Ismailaj? Kjo është e ezauruar”, tha Shkëlzen Berisha.
I pyetur për provat që ka paraqitur Taulant Balla që e implikojnë në çështjen e CEZ, Shkëlzen Berisha tha se asnjë nuk e di se nga kanë dalë ato prova apo nëse janë të certifikuara.
“Nuk e di se çfarë provash ka ky komision. Asnjë nga ju nuk e ka parë nëse janë të certifikuara këto prova. Nuk kam lidhje me asnjë”, tha ai.
Sipas një letre të bërë publike me heret nga Balla, Nuel (Nue) Kalaj ka ndërmjetësuar një takim të Shkëlzen Berishës me drejtorin çek të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, gjë e cila dëshmohet në një letër që vetë Hejsek i dërgon n/drejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, edhe ky pjesë e takimit.
Vetë Nuel kalaj ka reaguar për këto akuza, duke u shprehur se ai se është kontraktuar nga kompania CEZ për të mbledhur informacione lidhur me fizibilitetin e tregut energjetik shqiptar për investime. Kalaj shprehet se nuk ka asnjë lidhje me Shkëlzen Berishën, ndërsa me ish-kryeministrin Berisha është takuar si pjesë e delegacionit të kompanisë çeke, kur ata kanë ardhur në Tiranë./BW

















