Balla për Koçekun: Të dorëzojë mandatin i përket PS!
Dritare.net

Nga mbledhja e grupit të PS, Taulant Balla e forcoi edhe njëherë qëndrimin e socialistëve se protestat para Kryeministrisë janë influencuar nga shtete armiqësore me Shqipërinë, përfshirë këtu Iranin, apo edhe për motive që lidhen me konkurrencë rajonale.
“Respektoj ata që dolën në protestë për çështje që lidhen me dyshime, respektimin e normave mjedisore në një investim jetik për ekonominë e vendit, një investim që do të bëhet sepse është mundësi e madhe për Shqipërinë dhe ndërkohë e kam thënë, brenda kësaj proteste janë përfshirë edhe elementë që nga dita e parë që e fryn këtë tullumbace, duket qartë që janë interesa që lidhen me konkurrencë rajonale, me influencë të vendeve jo miqësore me Shqipërinë. Ky tullumbace po shfryhet i plasur në sytë e gjithë qytetarëve shqiptarëve. 1 mln kërkesa dhe 500 kandidatë për kryeministër, kujt t’i përgjigjem. Po ju them, që këtu nuk kemi të bëjmë me një protestë që lindi për një rast të cilin besojmë që ndajmë të njëjtin shqetësim. Ajo dhunë në Zvërnec ishte dhunë e papranueshme. Sot atë çështje e kanë harruar dhe ata për të cilën u ngritën nuk flasin më. Sot protestën atyre që e nisën, ua kanë vjedhur”, tha Balla.
I pyetur nga gazetarët nëse ka marrë njoftim zyrtarisht nga Marjana Koçeku që nuk do të jetë më pjesë e grupit të PS, Balla i bëri thirrje deputetes që ta dorëzojë mandatin pasi sipas tij i përket PS.
“Për këtë çështje ua kam sqaruar dhe nuk dua t’i kthehem më komenteve për të ushqyer një telenovelë që nuk më pëlqen. Një njeri që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur dhe personin në fjalë e ka zgjedhur PS. Të dorëzojë mandatin, s’është person i votuar drejtpërsëdrejti”, tha Koçeku.
Një përgjigje e ka edhe për kritikat e publikuara nga Koçeku që sipas saj në grupin e PS nuk lejohej mendimi ndryshe.
“S’kam asnjë koment sepse gjatë gjithë 8 muajve, kam pasur vetëm falënderime nga deputetja për mënyrën si e drejtoj”, tha Balla.
Në mbledhjen e grupit të PS ishte i pranishëm edhe kryesocialisti Edi Rama.