Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Agron Shehaj, i pari i Vlorës që hyri në politikë për gjatë

Agron Shehaj, i pari i Vlorës që hyri në politikë për

Nga Dritare.net

Agron Shehaj ishte vetëm 13 vjeç, kur së bashku me vëllain e vogël dhe prindërit u larguan për në Itali. Në një shtet të panjohur, por me  mundësi të reja dhe shanse më të mira për t’ia dalë mbanë e të qenurit të suksesshëm. Historia e djalit nga Vlora është një prej atyre historive frymëzuese, i cili nga udhëtimi i gjatë me anijen ushtarake shqiptare drejt Italisë, u kthye në Shqipëri për të krijuar një perandori. Bëhet fjalë për Intercom Data Service, kompania e parë call center në Shqipëri, me më shumë se 3000 punonjës.

Me kalimin e viteve shërbimet e ofruara nga kompania e tij shtoheshin, por njëkohësisht biznese të tjera lulëzonin.

Ndërkohë, i propozuar nga lideri  i opozitës, Shehaj kryeson listën e Partisë Demokratike, në qytetin e Vlorës.

Përse një sipërmarrës kaq shumë i suksesshëm vendos të lërë gjithë bizneset për t’u marrë me politikë?

Në një intervistë për dritare.net, Shehaj tregon arsyen përse vendosi të bëhej kandidat për deputet, kur gjithmonë i ka qëndruar larg asaj. Ndër të tjera, ai flet për përballjen në Vlorë me Kryeministrin Rama. Nuk përmend Gjiknurin, as njerëz të tjerë nga lista e PD, që këto zgjedhje janë të panjohur, jo vetëm për të. Sepse gara e Shehaj është me Ramën, për Vlorën. Dhe më pas, ku i dihet. Jeta është garë dhe gara vazhdon../dritare.net

Dritare.net- Jeni quajtur “mbreti i call center”,  call centeri është një trampolinë për të rinjtë për të shkuar atje ku duan, apo një profesion që duhet zhvilluar?

Secili e zgjedh vetë se për çfarë do ta bëjë. Te bizneset e mija punon i riu, studenti që është në shkollë e ka nevojë për lekë, punon nëna me fëmijë, me një rrogë shumë të mirë e kushte pune të garantuara. Por punon edhe personi që krijon një karrierë në këtë sektor. Call center është një mundësi për të bërë një punë të ndershme e të mirëpaguar. Është dhe një trampolinë, në 2005 kur fillova unë, në Shqipëri ajo ishte mundësia më e mirë për të punuar. Deri sot ku ne kemi shtuar shërbimet dhe shtimin e vendeve të punës.

Dritare.net- Ju IDS-në e keni hapur në 2005, në atë kohë erdhi Partia Demokratike në pushtet, por ndërkohë biznesi juaj është zhvilluar shumë edhe në këto katër vite. Si ka qenë mbështetja nga këto dy qeveri?Unë nuk kam pasur shumë besim te politika, madje në atë kohë i rrija larg politikës. Mua më kanë ardhur propozime dhe kanë dashur që të përfshihem, për benefite të mundshme nga qeveria e politika në përgjithësi. Por, unë kam zgjedhur që të mos përfshihem në atë kohë. Unë jam me mendimin që biznesin e ndihmon më shumë, thjesht duke i krijuar kushtet që të operojë në një treg të lirë e të ndershëm.

Dritare.net- Përveç IDS-së, ju keni 5 kompani të cilat operojnë në disa prej qyteteve kryesore të Evropës. Përse me gjithë këto biznese në administrimin tuaj, vendosët të hyni në politikë?

I hyra politikës për një sfidë të re. Unë gjithmonë kam menduar se me bizneset ti mund të ndryshosh jetët e njerëzve, por është politika ajo që bën realisht diferencën. Kësaj rruge unë nuk i jam futur për lekë apo ndonjë përfitim personal. Politika jonë është një skandal, plot me mashtrues, gënjeshtarë, politikanë që vetëm duan të vjedhin. Ulen te ajo karrige për të mos lëvizur më.

Dritare.net- Në një intervistë për corriere.it, ju kanë pyetur nëse do t’i hyni politikës, ndërkohë ju e keni mohuar kategorikisht. Keni thënë se, mund të kontribuohet për komunitetin edhe përmes sektorit privat , duke krijuar vende të reja punë. Çfarë ndryshoi në këtë moment?

Ndryshoi që propozimi i bërë nga Lulzim Basha ishte shumë interesant. Propozimi ishte shumë i thjeshtë, shumë i hapur. Me fjalë të thjeshta, eja, sepse Shqipëria ka nevojë. Dhe ne të gjithë e kuptojmë që vendi ynë ka shumë nevojë për ndryshim.  Është e vështirë t’i thuash jo një propozimi të tillë. Unë Bashën nuk e njihja më parë, kam qenë demokrat gjithmonë, por nuk jam marr asnjëherë me politikë.

Dritare.net- Por hezituat për të pranuar ofertën e kryetarit Basha?

Politika është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Por, nëse e bën me idenë se do shkosh për të bërë lekë, kthehet në biznes. Në rastin që ti i hyn politikës, me mendimin se duhet e do të bësh diçka, të bëj diferencën. Ndaj për mua ishte dhe është një përgjegjësi shumë e madhe. E kisha shumë të vështirë atë luftën e brendshme, për të dhënë një përgjigje.

Dritare.net- Ju do të hiqni dorë nga të gjitha bizneset tuaja për t’u bërë deputet?

Po, dhe mund të heq dorë nga bizneset e mia, nuk e kam fare problem. Në bizneset e mia ka drejtorë administratorë, persona që unë kam deleguar gjithmonë, nuk është një biznes që e kam krijuar para një viti. Bizneset janë të organizuar dhe mund të ecin shumë mirë edhe pa mua në krye. Nga kjo anë nuk shoh asnjë rrezik.

Dritare.net- Përse u zgjodh që listën e Vlorës ta kryesonit ju?

Kjo ishte një zgjedhje e Kryetarit Basha, unë nuk kam kërkuar asnjëherë një gjë të tillë. Madje e vetmja gjë që i kam kërkuar, ka qenë të jem i lirë në atë që them, bëj e mendoj. Mund të ketë pasur edhe nga ata që kanë pakënaqësi ndaj listës. Mua më vjen keq që dikujt mund t’i ketë mbetur qejfi, pasi praktikisht unë i kam zënë vendin dikujt. Por, kjo është diçka që unë nuk e kërkova, mu kërkua që të vija e të jepja kontributin tim.

Në takimet që bëj shoh që ka një numër të jashtëzakonshëm të simpatizantëve të Partisë Demokratike, që kërkojnë më shumë nga kjo parti. Shoh njerëz të pakënaqur nga ajo që është bërë në 27 vjet. Dhe mua kjo pakënaqësi më shqetëson, e mbi të cilën unë dua të punoj që këta njerëz të mos jenë të pakënaqur, por të jenë krenarë për atë që ne do të bëjmë.

Dritare.net- Në këto 27 vite që përmendni ju, në qeverisje ka qenë edhe Partia Demokratike. Ajo ku ka gabuar?

Unë nuk dua t’i futem specifikave e analizave se ku kanë gabuar. Unë di që ka një problem dhe Partia Demokratike ka filluar një ndryshim, të cilin e ka nisur nga vetja, ku ka ndërruar kandidatët.

Dritare.net- Problemi vinte nga ata kandidatë që u lanë jashtë?

Ta shohim në gjerësi, jo në veçanti. Po them thjeshtë që Partia Demokratike ka filluar një drejtim të ri, një ndryshim brenda vetes, sepse do që të vijë një qeveri dhe të bëjë atë politikën e re për të cilën flasim. Nuk do ishte e besueshme nëse do të flitej për një politikë të re, pa ndryshuar njëherë brenda. Dikush mund ta quajë të gabuar e dikush të saktë, por ky është vizioni i Partisë Demokratike, i Lulzim Bashës.

Dritare.net- Sa i duhen partive politike biznesmenët, a janë ata një pikë kyçe në zonat ku partitë ndihen të pasigurta për votën?

Unë mendoj që nuk i duhet biznesi partive politike, madje politikës i duhen njerëz që nuk janë politikanë, por që janë të suksesshëm. Pasi një njeri që nuk është politikan dhe është i suksesshëm në atë që bën, di ta bëjë shumë mirë politikën. Sigurisht, më mirë se këta që e kanë bërë sot.

Dritare.net- Vlora është një prej atyre zonave, pasi njihet si një bastion socialist.

Unë nuk e di nëse vlonjatët janë gati të ndryshojnë krahun, por di me siguri që nëse do e bëjnë do të jetë zgjedhja e duhur. Jo, sepse jam unë, por kushdo i ri, i cili nuk është marrë më parë me politikë, që ka treguar që në jetë di të bëjë diçka, një punë të ndershme, nuk ka mashtruar.

Unë mendoj se vlonjatët këtë ndryshimin e krahut qeverisës do ta bëjnë në masë, 90% e vlonjatëve do të votojnë PD-në. Ajo që unë dua është që ata të më besojnë mua, ky jam unë e kjo është ajo që dua të bëj. Një gjë është e sigurt, që nuk kam për të paguar për vota, as duke i çuar të rinjtë me anije nëpër Karaburun e Sazan apo schuma party. Asnjë gjë nga politika e vjetër, unë jam këtu për të bërë politikë të re.

Nëse vlonjatët duan politikanët e vjetër, që i ka gënjyer, mashtruar, i ka detyruar që të ikin jashtë shtetit, atëherë unë nuk jam, pasi nuk e bëj dot një politikë të atillë. Nuk do të bëhem i tillë, thjesht për një karrige. Nuk premtoj çudira dhe nuk jam magjistar për t’i përmbushur.

Dritare.net- Lungomare është një prej investimeve më të përfolura dhe që Kryeministri Rama krenohet më të. Është fasadë elektorale apo një zhvillim real?

Lungomare është mirë, por kosto për ta bërë, ka qenë shumë e lartë dhe ato para mund të investoheshin në shumë gjëra të tjera. Por, është edhe kosto që ka pasur qyteti për katër vjet, i cili ka qenë një kantier e hapur. Edhe sot aty nuk mund të bëhet plazh, pra iku dhe ky sezon. Që turizmi në Vlorë është një potencial i jashtëzakonshëm, i pashfrytëzuar. Por, në Vlorë potencial janë edhe ata të rinj e të reja, që largohen për në Tiranë, ose jashtë shtetit.

Dritare.net- Çfarë kujtoni nga Vlora e fëmijërisë , edhe pse jeni larguar 13 vjeç për në Itali, sa ndryshon me Vlorën sot?

Mua më qan zemra për Vlorën, kur shoh atë potencial të humbur. Për një qytet që mendoja se në 27 vjet, do të ishte ndryshuar totalisht për mirë. Nuk është gjendja e ’91, por ama mund të bëhet shumë më shumë për qytetin. Vlora duhej të ishte plot me turistë të huaj, bregdeti është i jashtëzakonshëm, kemi një kuzhinë të shkëlqyer.

Dritare.net- Kujtuat ’91, kur pak vite më vonë Vlora u kthye në vatër për bandat kriminale. Ekzistojnë ato edhe sot?

Nuk e di këtë gjë, por di që Vlora është e rrezikshme sa është e gjithë Shqipëria. Dhe mendoj se kjo është një nga arsyet e tjera pse njerëzit ikin jashtë shtetit, ekonomia është e para, e siguria është e dyta. Këto janë arritjet e kësaj qeverie. Fut në burg ata që nuk paguajnë energjinë elektrike sepse duan t’i japin për të ngrënë fëmijëve të tyre.

Dritare.net- Qeveria i ka lënë vetë këta kriminelë të qarkullojnë të lirë?

Po kush i ka lënë, i kam lënë unë apo ti?! Nga kush varet rendi, nga opozita?! Normale që nga qeveria, qeveria ka përgjegjësinë. Qeveria flet për gjoba, e ndërkohë njerëzit vriten lartë e poshtë, e rrezikojnë jetën e të gjithëve. Kjo është e vërteta.

Dritare.net- Nëse ju zgjidheni deputet i Vlorës, si do t’i luftoni këto grupe kriminale?

Unë mendoj se ekonomia është gjithçka. Ne duhet të përqendrohemi totalisht te vendet e punës, të krijohen kushtet për tu rritur rrogat, pasi këtë nuk e bën qeveria. Por është qeveria që krijon kushtet që biznesi e rrjedhimisht ekonomia të lulëzojë. Me rritjen ekonomike, rritet mirëqenia. Duket e çuditshme, por kur ka mirëqenie, ka më pak kriminalitet. Dhe në programin tim, përqendrim total ka ekonomia, ulja e taksave dhe hapja e më shumë vendeve të punës.

Unë po e përsëris, nëse unë shkoj në Parlament, do të jetë e gjithë një politik e re. Dhe politikani i ri është ai i cili është i përqendruar te puna, nuk e ka mendjen te llafet, midis interesit të vetë dhe të qytetarit, ai zgjedh këtë të fundit. Sot Shqipëria për këta ka nevojë./ dritare.net