Ne, brezi i shekullit të ri, që lindëm pak pas ardhjes së shumëpritur të demokracisë dhe pak para vitit të tmerrshëm të 97’, vitit të çmendurisë kolektive, u rritëm në shekullin e ri, shekullin e teknologjisë, shekullin e mrekullisë kapitaliste e bumit ekonomik në mbarë botën. U rritëm nën fjalët e prindërve tanë, se ky vend do të behët, do të bëhej dhe ne do ta shijonim në çdo qelizë botën e re, të ardhur në vendin tonë pas 1990-ës.
U rritëm, me shpresën se ky vend do të bëhet një ditë, dhe ne do të ishim brezi që do të shijonim Evropën, jo duke ikur në Evropë, por duke u afruar afër, e duke u bërë pjesë e tyre. Por siç duket qartë si drita e diellit, as Evropa s'e ka ndër mend të vijë te ne, as ne të shkojmë tek Evropa, pasi një grup të çmendurish për pushtet, para e luks, kanë vendosur që të na vënë barriera të pakapërcyeshme në pistën tonë të vrapimit drejt asaj që u krijua si një projekt i vogël shtetesh, por që burra e gra me mendje të ndritura e bënë atë që sot të jetë Bashkimi Evropian.
Ishin burra dhe gra që ndërtuan një unionin të pathyeshëm, ndërsa frikacakët shqiptarë, që në psikozën e tyre u është ngulitur thellë ideja të varfërojnë, të largojnë, e shkatërrojnë këtë popull, nuk kanë qenë për 30 vjet, e as sot nuk janë të zotët të na udhëheqin drejt një jete normale. Teksa shohim botën të ecë përpara, dhe ish-armiqtë e pashembullt të dy shteteve, të nominohen për çmime Nobel për paqe, këta tanët këtu e 30 vjet më parë, nuk kanë lënë gjë pa i bërë këtij populli. E kanë vjedhur, kanë vrarë, kanë hedhur në erë fshatra duke i fshirë nga harta, kanë përzënë e varfëruar shqiptarët, e sot ja ku jemi! Jemi një vend, që po tallet dynjaja me ne! Jemi një vend, që e keni bërë rininë të mallkojë ditën që ka lindur këtu. Na keni bërë të mallkojmë vendin tonë, o të mallkuar.
Sot nuk po pyet më, çfarë shkolle po vazhdon? Sot nuk pyetet më çfarë ëndërron të bëhesh?! Sot pyetet, kur do të ikësh dhe ku do të shkosh?! Nuk janë emocione të çastit, nuk janë as shpërthime emocionale të çastit, nuk është as një fragment inati e neverie për politikën, por janë fjalë që i mendon çdo shqiptar të paktën një herë në këto ditë kaosi e trazirash.
A mund të dalë dikush të thotë, boll më?!
A mund të na hapni rrugën, neve që duam të ecim, e ju që doni të rrini në fushë-betejë duke luftuar me njëri-tjetrin, në dreq të mallkuar shkofshi!/dritare.net