

Në Kosovë, edhe ditën e djeshme, 19 shkurt, gjërat u përsëritën: gaz lotësjellës në sallën e parlamentit, deputetë me maska kundërgaz, lotë, të dëmtuar, deputetë të përjashtuar ng seancat, të tjerë të arrestuar, njerëz që protestojnë, personeli i sigurimit të Kuvendit të Kosovës që nxjerr jashtë deputetët e opozitës; këta të fundit, si edhe më parë, që për çdo gjë i vërsulen policisë, pasi kanë mbaruar thirrjet kundër qeverisë; një deputet, që rastësisht quhet lider, e krahasoi Kuvendin e vendit të tij me Kuvendin e Rashkës serbe, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, largohet nga misioni i tij si parlamentar, në tavolinën e të ardhmes është hedhur versioni i largimit të të gjithë opozitës nga parlamenti, ambasadorë që shfryjnë, zakonisht duke iu përveshur opozitës, si ndodhi edhe ditën e djeshme me ambasadorin amerikan në Prishtinë, i cili sjelljen e opozitës e quajti të turpshme, deklarata politike nga të dy anët, dikush më i zbutur dhe dikush edhe më i egërsuar nga zbutja e tjetrit; ekonomia që nuk po njeh zhvillim, fakte të reja për rrjepjen e fondit të dikurshëm të Qeverisë “Bukoshi” në mërgim, dhe njëri nga rrjepësit mendohet të jetë pikërisht shefi i tashëm i qeverisë, Mustafa, pra një lëmsh politik i përmasave të pandodhura ndonjëherë në atë vend, ku mbi 90 për qind e popullsisë janë të një gjaku me bashkëkombasit në vendin që ata e quajnë, vendi amë.
Të gjitha kancelaritë perëndimore e jo vetëm ato janë të trazuara, dhe si është në praktikën e tyre, ato nuk heshtin. Po japin mendime, dërgojnë njerëz të specializuar që e njohin mirë Kosovën dhe liderët e saj, marrin takime, prononcohen burrat e shteteve të ndryshme, pastaj përsëri ekipe të tëra, bisedime, ftesa për dialog, rrugë të menduara se mund të zgjidhin diçka. Edhe Serbia, matanë kufirit, për fat të keq ndaj një kufiri që është shtyrë shumë tej në tokat e tjetërkujt, nuk hesht. E thonë një fjalë, herë për të thënë se jemi aty, herë herë për të shtyrë urat e zjarrit, herë tjetër për të dëshmuar se janë ende të fortë. Ndërsa liderët në Kosovë janë hasmëruar, ndërsa Serbia dënon me gjyqe të kurdisur ish drejtues të rëndësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lëshon urdhër arresti ndërkombëtar, ndërsa diplomacia e shumë vendeve të botës ka njërin sy dhe vemendjen tek Kosova… i vetmi vend që hesht, është Shqipëria. Ajo që duhej të fliste e para, që ka marrëveshje bashkëpunimi e traktate të së ardhmes. Të duket sikur për Shqipërinë, pushtet e opozitë bashkë, Kosova me hallet e saj është diku nga mesi i Afrikës dhe nuk ekziston.
Pushtetarët janë në dilemë: Cilën rrugë të ndjekin. Përkrahja pa asnjë rezervë e opozitës do të ishte një kundër-rrymë e mendimit politik perëndimor. Përkrahja pa asnjë dyshim e qeverisjes do të ishte një bjerje besimi tek një masë e ndjeshme e të rinjve në Kosovë, por edhe nuk e dinë se si mund të pritej kjo brenda sinorit të tyre administrativ. Për më tepër, nuk e dinë ende se si do të reagonte elektorati i saj në një “përzierje” të politikës zyrtare shqiptare në Kosovë.
Kanë gjetur rrugën e heshtjes. Kanë folur një herë a dy me zë të ulët e pastaj, të vejë si të vejë. Politika qeverisëse në Prishtinë, sidomos nga lidhjet e afërta Rama-Thaçi, do të ketë shpresuar për një mbështetje më të hapur, më të drejtpërdrejtë. Ata, sigurisht se e kanë kaluar fazën e dyshimit se mos heshtja e tashme e qeverisë Rama është një hakmarrje e vonë ndaj qeveritarëve lëdëkistë, të cilët, paburrërisht e tinëzisht, braktisën sallën e Kuvendit, kur aty do të fliste shefi i qeverisë shqiptare. Ose, duke dëgjuar nga njëri vesh Isa Mustafën, që tha se nuk ka kush nevojë për mendjen e Tiranës dhe të rrinë në punët e tyre, mendojnë se Mustafa është ligji, e vërteta dhe saktësia në Kosovë. Për Isa Mustafën nuk duhej të kishte kurrëfarë Shqipërie, ose një gjë të dobët, meskine dhe të përvjedhur nga udbashët e miqtë e tij titistë.
Presidenti Nishani, po ashtu, hesht. Ai ka heshtur edhe kur ka pasur mustaqe, edhe tani, pa mustaqe, çka tregon edhe një herë saktësinë e asaj fjalës së vjetër se, “burrë nuk të bëjnë mustaqet”. Heshtja e Nishanit është e kuptueshme: Ende nuk ka folur Shqup-i dhe, pa folur njësia bazë e tij, ose më saktë, formacioni i tij ushtarak, ai nuk mund të flasë. Nuk e kanë dërguar aty të flasë para Shqup-it, por pas tij, në mbështetje të tij.
Shefi i opozitës, Basha, megjithëse thotë kam gjak drenicaku, nuk flet. Hesht edhe ai. Nuk kam njohur deri më tash ndonjë drenicak që hesht kur Kosova është në ethet e dridhjes. Por, ashtu si zvjerdhet gjaku, ashtu zvjerdhet edhe burri, nëse ndonjëherë ka pasur burrëri. Basha, shefi i opozitës, për të disatën herë kërcënon shefin e qeverisë së tij se do të tërheqim zvarrë, kështu që, duke menduar për heqjen zvarrë e për të ardhur në pushtet, në djall le të shkojë Kosova. Ka mundësi edhe diçka tjetër, që mund të jetë më themelore: Nuk flet, sepse e di se nuk ia varin.
Çuditërisht, edhe i kudogjenduri Berisha që flet për gjithçka, hesht për Kosovën. Ai është mes dy dilemave të mëdha: nga njëra anë është në pushtet miku i tij, Isa Mustafa, që vjen nga e njëjta derexhe nga vjen edhe Berisha; nga ana tjetër, përkrahësi i tij më i madh në Kosovë, Ramush Haradinaj. Kujt t’ja prishë, kujt t’ja ndreqë?
Gjërat mund të eskalojnë në Kosovë. Ajo që po shohim sot mund të jetë nesër vetëm një filiz i parëndësishëm. Sepse, duam apo nuk duam, tëduket sikur opozita i ka shpallur luftë qeverisë dhe kjo e fundit i përgjigjet me të njëjtën monedhë. Dy duar, për një kokë, por asnjë kokë për të ndryshuar gendjen. Dhe, nëse ndonjë ditë gjërat eskalojnë, çka askush nuk do e donte këtë, në një të ardhme, njerëzit do të pyesin: Po Shqipëria ku ishte.
Do të vijë një përgjigje e idhët: Ajo kishte heshtur. Kishte heshtur e gjitha, pozitë e opozitë, sepse Kosova nuk ishte në atë kohë në planet e saj politike.
Në vitin 1998, fillimin e luftës, mes të vrarëve të tjerë, ishte edhe një djalë i ri, me emrin Elbasan. Ishte koha kur shteti shqiptar ende nuk e kishte marrë seriozisht luftën në Kosovë. Ngurronte, planifikonte, heshtëte. Shkrova atëherë një shkrim nën titullin, “A u thotë gjë qeveritarëve në Tiranë emri Elbasan”, dhe duke treguar vrasjen e këtij djali të ri, bëja pyetjen se deri kur do të kishte heshtje. Më vjen keq, që pas kaq shumë viteve bëj të njëjtën pyetje, megjithëse nuk është luftë, nuk janë dy palë që luftojnë, si kishin luftuar dekadash, nuk është hasmërimi shekullor mes dy kombeve, por një gjë është e sigurtë: Nëse nuk flasin tani, le të rrinë gjithnjë në heshtje. Të nesërmen mund të jetë vonë.

















