
Antigonea është vetëm 14 kilometra nga Gjirokastra, rruga është e shtruar, parku është 44 hektarë që mund ta përshkruash me këmbë dhe të kënaqesh me natyrën. Nëse vete në Gjirokastër duhet t’i bësh patjetër këto kilometra për të parë çfarë fshihet përgjatë kësaj rruge, nga fshatrat e reja, te bunkerët e kthyer në magazina, komplekset e kalërimit, bujtina, baxhoja e fshatit Arshi Lengo, ku ndalon çdo turist për të marrë produkte bio që nuk kanë të dytë. Kjo rrugë është e rrethuar me gjelbërim që të kënaq sytë me bukuri dhe shpirtin me qetësi.
Gjatë udhëtimit nga Gjirokastra për në Antigone, me stafin e Dritare Tv, gazetari Engjëll Serjani, dikur drejtori i Parkut Arkeologjik të Antigonesë tregon se përse duhet ta bëni të paktën një herë në jetë këtë udhëtim.
“Rruga nga Gjirokastra në Antigone është vetëm 14 kilometra dhe përshkohen 5 fshatra, Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krina, Saraqinishta dhe Tranoshishta.
Arshi Lengo dhe Asim Zeneli janë dy fshatra të rinj që kanë marrë emrat e luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore, njëri dëshmor dhe tjetri hero i popullit. Në qendër të të dyja fshatrave janë dy bustet e heronjve.
Pa hyrë në fshatin Arshi Lendo, në majë të kodrës është kështjella e Shën Triadhes. E ka ndërtuar Ali Pasha këtë kështjellë. Jashtë saj është edhe një kishë për ushtarët e krishterë dhe ortodoksë.
Në qendër të fshatit Asim Zeneli që është i mbushur me lule, është vendosur përmendorja e Asim Zenelit, ka një bujtinë dhe fshatarët që nuk e lënë kurrë vendin e tyre.
Sapo del ng fshati Asim Zeneli ështe një kompleks me 50 kuaj. Nuk pranohen shqiptarë, veç të huaj, për arsye të planifikimit të udhëtimeve dhe sepse punon me njerëz me patentë në kalërim.
Peizazhi që të ofron kjo rrugë është i jashtëzakonshëm. Duhet patjetër të vini ta vizitoni!”, thotë gazetari Engjëll Serjani./K.C/dritare.net

















