
Në Shebenik, në parajsë, sepse kështu është vërtetë ky vend, një mrekulli e Shqipërisë sonë turistike. Dritare TV ishte në parkun Shebenik-Jabllanicë, në një prej parqeve më të bukura në vendin tonë, tashmë zonë e mbrojtur.
Fatmir Brazhda, Drejtori i Zonave të Mbrojtura Elbasan, tregon për Dritare TV, pse ky park është ndër më të veçantët në Shqipëri.
“Parku kombëtar Shebenik është shpallur në më 21 maj të 2008. Parku kombëtar Shebenik shtrihet në pjesën veri-lindore bashkisë Librazhd dhe Përrenjas dhe kap edhe një pjesë të bashkisë së Bulqizës. Rreth 1200 hektarë, shtrihet në bashkinë e Bulqizës.
Në pjesën lindore kufizohet i tëri me kufirin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kurse në pjesën e poshtme shkon deri në 270 metra mbi nivelin e detit, që është pika më e ulët. Këtu në Fushë-Studen, jemi në nivelin 1100 metra mbi nivelin e detit.
Parku Kombëtar karakterizohet nga një fitogjeografi e ndryshme e cila fillon nga 270 metra mbi nivelin e detit deri në 2260 metra mbi nivelin e detit. Ky park karakterizohet nga bimë të shumëllojshme, nga bimë e shkurreve, dushqet, pishat, ahu, bredhi, deri në kullotat alpine. Ka një larmishmëri bimësh, ku janë regjistruar 1700 lloje, të cilat janë 35% të florës së Shqipërisë. Është një park me vlera të mëdha natyrore, për sa i përket florës, por edhe faunës.
Dhe shkaku që ky park është shpallur Park Kombëtar është regjistrimi i rrëqebullit të Ballkanit në Parkun Kombëtar Shebenik, në vitin 2002. Për këtë shkak, për ta mbrojtur pasi është një specie në rrezik zhdukjeje, ne e kemi shpallur zonë të mbrojtur. Ka qenë një kontribut i gjithë komunitetit, aktorëve të tjerë vendorë, dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, që ky park është shpallur park kombëtar.
Parku dallohet gjithashtu nga një sërë destinacionesh turistike, siç është Shpella Eremite Kosharisht, liqenet e Shebenikut. Janë 14 liqene akullnajore, glaciale që rrethojnë vargmalet e Shebenikut në lartësinë mbi 1900 metra. Kemi disa maja, si maja e Shebenikut, maja e Reduçit, maja e Rrinës, liqenet e Rrajcës”, tregoi Brazhda për Dritare TV./L.F-dritare.net

















