
National Geographic: Ja pse Riviera Shqiptare është destinacioni ideal për një udhëtim me makinë!
Dritare.net
Nga Dom Tulett-National Geographic
Duke nisur nga qyteti i Vlorës në veri e deri në Ksamil në jug, Riviera Shqiptare është quajtur me të drejtë “Maldivet e Europës”. Me ujëra të kristalta dhe plazhe me rërë të bardhë, nga zonat më të frekuentuara me resorte moderne deri te gjiret e fshehura, kjo pjesë e vendit ofron më shumë sesa vetëm detin: fshatra tradicionale në kodra me ullinj shekullorë, rrënoja antike dhe mbetje nga koha komuniste.
Me fluturime të drejtpërdrejta që e lidhin Tiranën me disa qytete europiane, mbërritja është më e lehtë se kurrë. Nga Tirana, një udhëtim prej dy orësh ju çon në Vlorë, pikënisja ideale për një aventurë përgjatë rrugës bregdetare SH8, ku deti Jon ju shoqëron pothuajse gjatë gjithë rrugës. Nëse keni vetëm një fundjavë, do arrini të shihni pikat më të njohura, por qëndroni më gjatë për të zbuluar thesare arkeologjike dhe plazhe të qeta.
Dita 1: Histori dhe fshatra të fshehura në kodra
Mëngjesi
Nisni në Vlorë, qyteti i tretë më i madh në Shqipëri dhe vendlindja e shtetit modern. Në Sheshin e Flamurit gjendet Monumenti i Pavarësisë, aty ku u ngrit për herë të parë flamuri shqiptar në vitin 1912. Më pas ecni përgjatë bulevardit “Ismail Qemali” për të vizituar Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, që tregon historinë e krijimit të shtetit shqiptar.
Udhëtoni pak më në jug drejt fshatit Radhimë për një drekë me peshk të freskët në “Qendra e Peshkimit”, një restorant me pamje nga porti i vogël.
Pasditja
Vizitoni Parkun Kombëtar të Llogarasë, rreth një orë larg me makinë. Ecja në shtegun “Kalimi i Cezarit” ndjek rrugën ku thuhet se kaloi Jul Cezari gjatë ndjekjes së Pompeut. Në fund të shtegut do të shihni panoramën e Gjirit të Vlorës.
Vazhdoni drejt Porto Palermos dhe vizitoni kalanë e ndërtuar nga Ali Pasha në vitin 1804. Turet përfshijnë korridore, dhoma të errëta dhe një burg të frikshëm.
Mbrëmja
Shëtisni në fshatin Qeparo Fushë, përgjatë bregdetit me çakëll dhe lokale moderne. “Sunset Boulevard Cocktail Bar” ofron mojito fantastike dhe pamje nga perëndimi mbi ishullin e Korfuzit.
Ngjiteni në fshatin e vjetër Qeparo Fshat, një vend që ruan stilin tradicional shqiptar. Darkoni në restorantin “Ida & Xhorxhi”, ku ushqimi është i freskët dhe vendas, shërbyer në verandë nën hardhi, me raki të bërë vetë nga Xhorxhi.
Dita 2: Koha për detin
Mëngjesi
Shijoni mëngjesin tradicional me petulla dhe kafe turke në “Ida & Xhorxhi”, më pas enduni nëpër rrugicat e ngushta të Qeparo Fshatit. Shumë prej shtëpive të braktisura po rindërtohen duke përdorur materiale origjinale.
Kthehuni në SH8 dhe merrni një rrugë të paasfaltuar drejt plazhit të Bunecit. Ky vend ofron qetësi, ujëra të qeta për not, kayak dhe paddleboard.
Pasditja
Drekojeni në “Taverna Nikolas” me peshk të freskët nën çatinë prej kallami. Më pas shkoni drejt Syri i Kaltër, një burim i thellë dhe i freskët që dikur ishte i aksesueshëm vetëm për zyrtarët komunistë. Sot është atraksion turistik i njohur. Mund të ecni rreth 20 minuta deri në platformën e vëzhgimit dhe të freskoheni në lumin afër.
Mbrëmja
Kthehuni drejt bregut për të vizituar liqenin e Butrintit, me ujëra të përziera të kripura dhe të ëmbla, të përshtatshme për kultivimin e midhjeve. Fermeri Soraldo Nebo ofron ture me varkë dhe përgatit midhjet e freskëta për vizitorët, me hudhër, të ziera ose të pjekura, të shoqëruara me verë të bardhë shqiptare. Përfundoni ditën në plazhin privat të Kep Merli në Ksamil, një nga vendet më të qeta dhe luksoze të Rivierës. Vendosni paraprakisht për të rezervuar një vend në baret buzë detit.
Tre site arkeologjike për t’u vizituar
Orikumi
Në jug të Gjirit të Vlorës, pranë mbetjeve të bunkereve komuniste, qëndrojnë rrënojat e qytetit antik të Orikumit. Me histori që nis nga shekulli VI p.e.s., këtu gjenden mure bizantine, shtëpi romake dhe një teatër grek. Edhe Jul Cezari ndaloi këtu gjatë luftës civile kundër Pompeut.
Finiqi
Pranë qytetit të Sarandës, Finiqi ishte një qendër e rëndësishme e Mbretërisë së lashtë të Epirit. Rrallëherë vizitohet, por ofron një teatër helenistik, fusha me lule dhe bunkerë komunistë që lidhin të kaluarën antike me atë moderne.
Butrinti
Një nga thesaret më të mëdha arkeologjike të Shqipërisë dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Me histori mbi 2,500-vjeçare, Butrinti përmban rrënoja greke, romake, bizantine dhe veneciane. Atraksionet kryesore përfshijnë akueduktin roman dhe forumin antik, që dikur shërbente për mbi 16,000 banorë./K.C/dritare.net

















