

Diabeti i tipit 2, i quajtur ndryshe edhe diabet joinsulinovartës (pra shfaqja e tij nuk ka të bëjë më mangësinë e prodhimit të insulinës nga pankreasi), mund të prekë çdo moshë, por më i shpeshtë paraqitet në moshat e rritura mbi 45 vjeç.
Mjekja Ilda Xhelili sqaron se në përgjithësi simptomat e hershme të këtij tipi diabeti nuk vihen re nga pacienti, pasi fillojnë të bëhen të dukshme vetëm kur situata rëndohet dhe kuadri klinik bëhet i qartë.
Pankreasi në këtë lloj patologjie prodhon insulinë mjaftueshëm, por janë qelizat ato që nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë insulinën për futjen e glukozës brenda tyre.
Glukoza përdoret nga qelizat e organizmit si burim energjie dhe ushqyerje. Pra dallimi me diabetin tip 1, është se në këtë të fundit nuk prodhohet insulina e duhur për futjen e glukozës brenda qelizës.
Si rezultat i mospërdorimit të glukozës nga qelizat, niveli i saj do të rritet vazhdimisht në gjak (hiperglicemia), duke shfaqur shenjat klinike përkatëse.
Cilat janë shenjat klinike më të shpeshta?
Edhe pse diabeti i tipit 2 mund të mos ketë shenja të veçanta, simptoma më e hershme klinike është etja e vazhdueshme, shoqëruar me urinim të shpeshtë, ndjenja e urisë bëhet e pazakontë, teksa goja është vazhdimisht e thatë.
Gjithashtu, pacientët vuajnë edhe nga rënia, ose shtimi në peshë. Nëse niveli i sheqerit në gjak vazhdon të rritet vazhdimisht do të shfaqet një lodhje e shprehur, vizion i paqartë dhe dhimbje koke.
Siç e përmenda edhe më sipër, shpesh diabeti i tipit 2 identifikohet pasi shenjat klinike bëhet të qarta. Infeksione të ndryshme, apo plagë që kërkojnë një kohë më të gjatë se normalisht për t’u shëruar janë një shenjë paralajmëruese për diabetin e tipit 2.
Shenja të tjera mund të jenë infeksione të shpeshta mykotike (sidomos midis gishtave të këmbëve dhe duarve, rrëzë kofshëve dhe poshtë gjoksit), infeksione të lëkurës, apo edhe të aparatit urinar.
Studimet tregojnë se rreth një e treta e personave që vuajnë nga diabeti tip 2, janë të prekur edhe nga çrregullime seksuale,kryesisht ulje të potencës seksuale. Kjo vjen pasi diabeti shkakton çrregullime të enëve të gjakut dhe sistemit nervor, duke sjellë çrregullime edhe të sferës seksuale.
Cilët janë faktorët që favorizojnë shfaqjen e këtij lloj diabeti?
Në radhë të parë renditen konsumatorët e duhanit, mbipesha (sidomos obeziteti në zonën e belit), konsumimi i një diete të pasur me yndyra, mish të kuq, ëmbëlsira.
Po, ashtu me risk të lartë paraqiten edhe personat që kanë nivel të lartë të triglicerideve mbi 250 mg/dl, si edhe ata që kanë nivel të ulët të kolesterolit të mirë, LDL nën 35 mg/dl. Sa i përket racave, më të predispozuar janë amerikanët, aziatikët dhe afro-amerikanët.
Po ashtu personat mbi 45 vjeç kanë rrezik më të madh për t’u prekur, se sa më të rinjtë (në dallim nga diabeti tip 1 që prek moshat e reja nën 45 vjeç), si edhe personat që kanë histori familjare të diabetit tip 2 (kryesisht prindër, motër ose vëlla).
Mjaft të rrezikuara janë edhe gratë që kanë zhvilluar nivele të larta të glicemisë gjatë shtatzënisë, si edhe gratë që vuajnë nga sindromi polocistik i vezoreve (formimi i kisteve në vezore).
Prania e kisteve në vezore për periudha kohore të çrregullta është e lidhur pjesërisht me rezistencën insulinike duke bërë që këto femra të jenë të rriskuara për të zhvilluar diabetin e tipit 2.
Çfarë ekzaminimesh ndihmojnë në zbulimin e këtij lloji diabeti?
Ekzaminime të posaçme bëhen për diagnostikimin e diabetit, por më të zakonshme janë matja e glicemisë esëll (niveli sheqerit në gjak), por edhe dy orë pas buke.
Mjaft rëndësi ka edhe matja e hemoglobinës së glukozuar, e cila tregon gjendjen mesatarë të glukozës në gjak për rreth tre muajt e fundit.
Si trajtohet diabeti tip 2?
Në rast se në diabetin e llojit të parë, përdorimi i insulinës është kusht i panegociueshëm (pasi keni mangësi të prodhimit të saj), në rastin e diabetit tip 2, mënyra e ushqyerjes dhe stili aktiv i jetesës, luajnë rolin kryesor në trajtimin e këtij çrregullimi.
Trajtimi bëhet nga mjeku specialist endokrinolog, i cili në raport me situatën tuaj shëndetësore do të formulojë edhe një plan ushqimor të shëndetshëm, si edhe një plan të aktivitetit fizik. Lëvizja e rregullt duke përfshirë edhe ecjen ndihmojnë në uljen e niveleve të glukozës në gjak, në uljen e presionit të gjakut dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Është e rekomandueshme që personat që vuajnë nga diabeti i tipit 2, të ushtrojnë 30 minuta aktivitet të moderuar fizik në shumicën e ditëve të javës.
Megjithatë, çdo gjë përcaktohet nga mjeku në raport me situatën individuale shëndetësore. Një faktor mjaft shqetësues renditet stresi, prandaj menaxhimi i tij është mjaft i rëndësishëm në këtë sëmundje.
Stresi jo vetëm që rrit nivelet e presionit arterial, por edhe nivelet e glukozës në gjak. Në menaxhimin e kësaj sëmundjeje rol të veçantë luajnë edhe periudhat e pushimit relaksues, bisedat me të afërmit dhe familjarët, apo edhe këshillimet me psikologun.
Përdorimi i medikamenteve të posaçme natyrisht që bëhet me këshillimin e mjekut specialist. E rëndësishme është që çdo pacient duhet të bëhet mjek i vetes së tij dhe të jetë i vetëdijshëm për pasojat e sëmundjes dhe rëndësinë e trajtimit me rigorozitet sipas këshillimit të mjekut.
Me aparate të thjeshta në përdorim, çdo pacient duhet të masë rregullisht nivelin e sheqerit në gjak esëll në mëngjes, para dhe pas buke, para dhe pas ushtrimeve fizike, si edhe para gjumit. Kjo për periudha të caktuara sipas këshillave të mjekut.
Cilat janë ndërlikimet e sëmundjes?
Nivelet e larta të sheqerit në gjak, me kalimin e kohës dëmtojnë enët e gjakut, duke shkaktuar çrregullime kardiovaskulare si tromboza, infarkte, tension i lartë.
Këta persona kanë gjithashtu rrezik të lartë për zhvillimin e sëmundjeve kronike të veshkave. Mostrajtimi në kohën e duhur mund të çojë në insuficiencë kronike të veshkave (pamjaftueshmëri e punës së veshkave).
Nga dëmtimi i enëve të gjakut nuk mbeten pa prekur as sytë, dëmtim, i cili mund të çojë deri në humbjen e përhershme të shikimit. Mjaft e njohur është edhe neuropatia diabetike, e cila perceptohet si shpim në formë gjilpërash, mpirje dhe ndjesia e gjembave.
Kjo ndodh më shpesh në duar, këmbë dhe gishta. Kjo shkaktohet pasi diabeti dëmton sistemin nervor si rezultat i mosushqyerjes së mirë me gjak.
Komplikacion tjetër janë plagët që shoqërohet me vështirësi, të cilat mund të shkojnë deri në gangrenë dhe amputim (prerje) të gjymtyrëve, nëse situata është e rëndë. Diabeti i tipit te dytë në ditët e sotme synon të parandalohet që në fazat e hershme të tij, nëpërmjet ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit të rregullt fizik.
Ndërlikime kronike
Në qoftë se diabeti nuk kurohet ashtu si duhet, hyrja e tepërt e sheqerit në gjak (hiperglicemia), shkakton me kalimin e kohës dëme në të gjitha organet.
Ndërlikimet e shkaktuara nga diabeti, shkatërrojnë të gjitha arteriet e një kalibrit të madh (zemra, truri, gjymtyrët e poshtme) dhe të kalibrit të vogël (sytë, veshkat), dëmtojnë edhe nervat (sistemin nervor simpatico e sistemin nervor autonom).
Kjo gjë sjell një rrezik të madh në çdo pjesë të trupit:
Objektivat e kontrollit metabolik
Këto ndërlikime përparojnë me ngadalë dhe për këtë arsye mund të parandalohet, o të ngadalësohet shfaqja nëpërmjet një kontrolli optimal të diabetit, që do të thotë të kesh nivelin e glicemisë (sheqerit) sa më afër normales ose:
- Glicemia esëll e përfshirë nga 80 – 100 mg/dl.
- Glicemia pas 2 orësh nga ngrënia e vaktit < 140 mg/dl.
Është e mundur, gjithashtu, që të shmangen ndërlikimet kronike të diabetit duke mbajtur këto vlera:
- Glicemia esëll 80 – 120 mg/dl.
- Glicemia pas 2 orësh nga vakti 120 – 160 mg/dl.
- HbA1c më të vogël se 7 %.
Përveç kontrollit të glicemisë është nevojshme që të kontrollohen e të korrigjohen:
- Tensioni Arterial me qëllim që tensioni të jetë < 130/85 mmgHg.
- Kolesteroli total me qëllim që Kolesteroli të jetë < a 200 mg/dl.
- Trigliceridet me qëllim që Trigliceridet të jetë < a 150 mg/dl.
- Të ndërpritet pirja e duhanit.
- Dieta.
- Aktiviteti fizik.
Disa rregulla që duhen kujtuar
- Kontrollo peshën e trupit dhe masën e belit (maksimumi 88 cm tek gratë dhe 102 cm
tek burrat) që tregon shkallën e grumbullimit të yndyrave në brendësi, pra unanimisht i njohur si
faktori kryesor i rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, është hapi i parë për të kuruar diabetin.
Pra, kush është në mbipeshë duhet të zbatojë një program të përshtatshëm, për një ushqim të ekuilibruar, i kontrolluar në sasi dhe në cilësi.
- Shmang ëmbëlsirat, duke përfshirë dhe “ëmbëlsirat për diabetikët”, sepse edhe këto përmbajnë shumë sheqer dhe yndyrë.
- duhet të marrësh vetëm një tip karbohidrati të përbërë në vakt.
- Zarzavate çdo ditë dhe në çdo vakt.
- Mish (tul) 2–3 herë në javë, jo më shumë.
- Peshk të paktën 3 herë në javë.
- Djathë jo më shumë se 1 herë në javë.
- Fruta të freskëta 2 herë në ditë.
- Përdor vaj ulliri për t’i dhënë shije ushqimit, por me sasi të kufizuar.
- Duhet të pish ujë sipas dëshirës, lejohet gjysmë gote verë në vakt, por kujto që vera, birra, tretësit, aperitivët, të hidhurat përmbajnë shumë kalori dhe nuk qetësojnë urinë, ndaj nuk duhet që ta teproni as me këto.
- Mos pini kurrë alkool me stomak bosh.
- Të hash disa vakte gjatë ditës (duke kujtuar që të mos kalosh sasinë kalorike ditore): mëngjesin, pas mëngjesit, drekën, pasdite, darkë, dhe diçka para se të shtrihesh në darkë, duke kontrolluar sasinë e hiseve. Kjo gjë lejon që të pakësohet uria e papritur dhe përmirëson gliceminë.
- Është i rëndësishëm një aktivitet fizik ditor, një shëtitje, një xhiro me biçikletë. Është e rëndësishme që të bësh një aktivitet fizik çdo ditë, të paktën 30 minuta./Pranvera Kola/DITA

















