Voto Florinin në Prato! Pse e dua votën e shqiptarëve!
Dritare.net

Sot Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, sjell historinë e shqiptarit Florin Dervishi nga Prato, i cili ka hyrë në garën elektorale për Këshillin e Komunës së Pratos, në Itali.
Dervishi, i cili prej vitit 1995 jeton dhe punon në Prato në industrinë e tekstileve, rrëfeu gjatë intervistës rrugëtimin e tij të gjatë në emigracion, angazhimin shoqëror dhe vendimin për të përfaqësuar komunitetin shqiptar në politikën lokale.
Ai theksoi se kandidatura e tij nuk është një iniciativë individuale apo thjesht politike, por një proces i lindur nga komuniteti shqiptar në Prato, i cili prej vitesh ka diskutuar nevojën për një zë të drejtpërdrejtë në institucionet vendore.
“Ne jemi një grup shqiptarësh që prej vitesh diskutojmë për hallet tona, për integrimin dhe përfaqësimin. Kjo kandidaturë nuk është e imja personale, por e komunitetit,” u shpreh Dervishi.
Ai kandidon në një listë civile të quajtur “Orgoglio per Prato” (Krenari për Praton), e cila mbështet kandidatin e qendrës së majtë për bashkinë e qytetit. Në total, në këtë garë janë rreth 160 kandidatë nga pesë lista që mbështesin të njëjtin kandidat për kryetar bashkie.
Dervishi shpjegoi se zgjedhjet në Prato zhvillohen më 24 dhe 25 maj, ndërsa rezultati final pritet të shpallet në mbrëmjen e 25 majit.
Një nga mesazhet kryesore të tij gjatë intervistës ishte nevoja për pjesëmarrje dhe aktivizim politik të komunitetit shqiptar, duke e cilësuar indiferencën si “armikun kryesor”.
“Indiferenca është një luks që ne nuk e kemi. Nuk mund të jemi të painteresuar për atë që ndodh në qytetin ku jetojmë dhe punojmë,” tha ai.
Dervishi theksoi gjithashtu se shqiptarët në Prato përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha në qytet, me mijëra qytetarë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve tashmë kanë shtetësi italiane dhe të drejtë vote.
Ai ngriti si një nga prioritetet e tij mbështetjen për komunitetin shqiptar, përfshirë hapjen e shkollës shqipe për fëmijët e emigrantëve, si dhe forcimin e lidhjeve kulturore mes brezave.
“Shumë familje kërkojnë që fëmijët të mos harrojnë gjuhën shqipe. Ky është një nga objektivat tanë,” u shpreh ai.
Në fund të intervistës, Dervishi bëri thirrje për pjesëmarrje në votime, duke theksuar se vetëm 600 vota mund të bëjnë diferencën për të fituar një vend në këshillin komunal.
Historia e tij shihet si pjesë e një tendence më të gjerë të rritjes së angazhimit politik të diasporës shqiptare në Itali, veçanërisht në qytete ku komuniteti shqiptar është i konsoliduar prej dekadash si Prato.
Ai u shpreh gjithashtu optimist se shqiptarët do të kenë gjithnjë e më shumë përfaqësim në institucionet lokale, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë qytetar dhe politik.
“Ka ardhur momenti që të votojmë për shqiptarët dhe të jemi pjesë e vendimmarrjes,” përfundoi ai./K.C/dritare.net