Na ndiqni edhe në

Shqip

Tradhtia e Gazsjellësit TAP/ Si humbi Shqipëria 90 milionë dollarë në vit dhe pavarësinë energjetike!

Tradhtia e Gazsjellësit TAP/ Si humbi Shqipëria 90 milionë

Në një rrëfim tronditës dhe të detajuar për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip në DritareTV, ish-zëvendësministri i Energjetikës, Pajtim Bello, ka zbardhur prapaskenat e panjohura të negociatave për Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Ajo që nisi si një ëndërr e madhe gjeopolitike në vitin 2003 nën qeverisjen e Fatos Nanos, përfundoi në vitin 2013 me një marrëveshje që, sipas Bellos, i hoqi Shqipërisë të drejtën për përfitime financiare direkte, duke e lidhur fatin e vendit tonë me tekat e Greqisë.

Sipas analizës së detajuar të zotit Bello, buxheti i shtetit shqiptar humbet çdo vit rreth 90 milionë dollarë nga mungesa e tarifës së tranzitit (transit fee), një pagesë që vendet e tjera joanëtare të BE-së e përfitojnë rëndom. Ai shpjegon se si në vitin 2005, ekipi shqiptar arriti një fitore diplomatike dhe teknike duke bindur partnerët ndërkombëtarë dhe vetë Greqinë që gjurma e gazsjellësit të kalonte nga Shqipëria, duke përdorur argumentin e kostos më të ulët (kursim prej rreth 2 miliardë eurosh duke shmangur kalimin nënujor të gjatë) dhe sigurisë gjeopolitike.

Megjithatë, kthesa dramatike ndodhi në vitin 2013. Bello akuzon qeverinë e asaj kohe për nënshkrimin e një marrëveshjeje dhe ratifikimin e një ligji që përmban klauzola absurde. Ligji specifikon se Shqipëria do të përfitonte çështje specifike financiare vetëm nëse Greqia do t'i përfitonte ato. "Ne e lidhëm pavarësinë tonë energjetike me Greqinë. Greqia, si vend i BE-së, ka rregulla të tjera dhe hoqi dorë nga tranzit-fija për interesa të saj madhore. Duke e lidhur fatin tonë me të tyren, ne automatikisht humbëm të drejtën tonë," argumenton Bello.

Përveç humbjes financiare, intervista hedh dritë mbi një tjetër skandal: shkatërrimin e infrastrukturës ekzistuese që mund të përdorte gazin. Bello përmend me emra dhe data vendimet për çmontimin e TEC-it të Fierit dhe Azotikut, asete që mund të viheshin në punë me gazin e TAP, duke garantuar prodhim energjie dhe bujqësi të zhvilluar. Në vend të kësaj, sot Shqipëria është thjesht një korridor gjeografik ku kalon tubi, por pa gaz dhe pa para, ndërsa bota përballet me krizën më të thellë energjetike të dekadave të fundit./dritare.net