
Tmerret që pashë në spitalet e Kosovës pas luftës! Flet mjeku
Dritare.net
Sot në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga vjen në një rrëfim të veçantë, mjeku Matjan Hitoaliaj, nga Vlora në SHBA prej 18 vitesh. Në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga, Hitoaliaj tregon për pasionin për mjekësinë, punën si mjek në Kosovë pas lufte dhe kthimin në Tiranë, për t’u zhvendosur pastaj në SHBA. Gjatë kohës që ka punuar në Kosovë, mjeku tregon çfarë tmerresh ka parë e dëgjuar në spitalin e Gjakovës, e cila ishte e copëtuar asokohe.
“Unë kam 18 vjet që kam ikur nga Shqipëria dhe sot jetoj në Amerikë. Pasi mbarova gjimnazin në Vlorë, shkova në fakultet dhe në 1975-ën u shpërngulëm në Tiranë. Pasi mbarova fakultetin shkova 10 vjet në Laç, pastaj erdha punova në Tiranë, te spitali i burgjeve. Kam punuar për 1 vit e gjysmë në Kosovën e pas luftës. Unë shkova në Kosovë pas luftës, për dy javë për ta provuar. Ishte një punë jashtëzakonisht shumë e madhe dhe më pëlqeu shumë. Por unë kam parë gjëra nga më të tmerrshmet në Kosovë. Unë punoja 8 me 8, bënim mbi 100 vizita në ditë. Bashkë me mua ishin edhe mjekë të huaj, që na sillnim medikamente falas. Kosova e pasluftës sistemin shëndetësor e kishte të mbyllur. Ne kthyem klinikë shtëpinë e një pediatreje. Aty na vinin shumë të traumazituar, njerëz në depresion dhe asokohe kishte më shumë nevojë për psikiatër dhe neurologë, sepse patologë. Unë u nisa për dy javë në Gjakovë dhe ndenja 1 vit e gjysmë. Më kanë treguar banorët tmerret që kanë parë me sy. Një kryeinfermier i spitalit më ka treguar se si kishte parë kokën e prerë të kirurgut të Gjakovës. Sa herë që vinte te psikiatri, tregonte historinë e tmerrshme. Gjakova ishte e shkatërruar komplet atëherë, e rrënuar.
Pasi mbarova misionin në Kosovë, e lashë punën në spital në Tiranë. Unë kam ikur në Amerikë me lotari amerikane, fëmijët i kisha të vegjël. Kam ardhur 51 vjeç në Amerikë. Nuk punova dot mjek. Në fillim kam punuar punë të ndryshme, ndërsa pas disa kohësh si unë dhe gruaja, nisëm punë në një kompani farmaceutike, si mbikëqyrës. Pasioni im i vërtetë është mjekësia dhe unë kam shkruar një libër për mjekësinë dhe nutricionin.”, tregon zoti Hitoaliaj në DritareTV./K.C/dritare.net

















