Na ndiqni edhe në

Shqip

“Taulantët” e Italisë, krenaria shqiptare që bashkon një komb përmes futbollit

“Taulantët” e Italisë, krenaria shqiptare që bashkon


Nga emocionet në fushë te përkushtimi jashtë saj, historia e skuadrës shqiptare “Taulantët” në Itali është një rrëfim suksesi, bashkimi dhe krenarie kombëtare. Të ftuar në emisionin shqip nga Rudina Xhunga Artan Zogu, Alfred Memaj, Lucjano Gega dhe Erion Lila tregojnë një histori frymëzuese që tejkalon kufijtë e sportit: historinë e ekipit “Taulantët”, skuadra shqiptare e futbollit që garon në Itali dhe që prej vitesh është kthyer në një simbol bashkimi dhe krenarie për diasporën shqiptare.

E krijuar nga një grup të rinjsh në vitin 2012, që jetojnë e punojnë në Itali, skuadra “Taulantët” nuk është thjesht një ekip futbolli. Ajo është një projekt komunitar, një mision për të ruajtur dhe promovuar identitetin shqiptar përmes pasionit për sportin. Në intervistë me Rudina Xhungën, figurat kryesore të ekipit ndanë emocionet, sfidat dhe arritjet e kësaj nisme që sot ka marrë përmasa të mëdha.
Në krye të këtij rrugëtimi qëndrojnë themeluesi Fatbardh Hoxha dhe Artan Zogu, presidenti i ekipit.
“Ky klub u themelua zyrtarisht nga Fatbardh Hoxha, me një ekip të përbërë nga të gjithë shqiptarë. Ekipi lindi nga dashuria për futbollin, por edhe nga malli për vendin. Donim të krijonim diçka që na bashkon si shqiptarë, që na bën të ndihemi si në shtëpi, edhe pse jemi larg Shqipërisë.” tha Zogu.

“Taulantët” e Italisë, krenaria shqiptare që bashkon


Ai theksoi se emri “Taulantët” nuk është zgjedhur rastësisht, por si një mënyrë për të nderuar fiset ilire dhe për të vendosur një identitet të fortë historik mbi skuadrën.
“Jemi krenarë për emrin që mbajmë. Nuk është vetëm një klub sportiv, është një lëvizje, një familje që po rritet çdo ditë.”

“Taulantët” e Italisë, krenaria shqiptare që bashkon

Alfred Memaj, zëvendëskapiteni i skuadrës, është një nga figurat më të dashura dhe veterani i ekipit.
“Fillimisht nisi si një nismë amatore, jashtë federatave italiane, thjesht si një shoqëri mes shqiptarësh që luanin futboll. Më pas, Bardhi u takua me Tanin, presidentin dhe vendosën ta çonin skuadrën në FIGC, pra në federatë, të krijonin një ekip zyrtar dhe të shihnin si do ecte. Skuadra nisi zyrtarisht para dy vitesh. Viti i parë ishte pa eksperiencë, por arritëm vendin e gjashtë në kampionat. Këtë vit, me më shumë përvojë dhe vullnet, fituam kampionatin.”
Ai rrëfeu se ndjen emocione të mëdha sa herë hyn në fushë me fanellën ku shkruhet “Taulantët” dhe se për të, çdo ndeshje është një mision për të bërë krenar komunitetin shqiptar në Itali.
“Kur dalim në fushë, ndiejmë sikur jemi në stadiumin kombëtar. Sepse shqiptarët vijnë, na mbështesin, bëjnë tifozllëk me zemër. Kjo nuk është vetëm lojë. Kjo është Shqipëria e vogël këtu.”

“Taulantët” e Italisë, krenaria shqiptare që bashkon


Erion Lila, një tjetër emër i rëndësishëm në klub që merret me organizimin dhe drejtimin teknik të ndeshjeve dhe stërvitjeve.
“Është e pabesueshme sa shumë energji dhe pasion japin këta djem. Jemi një skuadër ku asnjëri nuk paguhet, por të gjithë japin maksimumin sikur të ishin profesionistë. Kjo është fryma jonë. Ne kemi tifozë shumë të zjarrtë. Na mbështesin në çdo ndeshje dhe na japin fuqinë për të ecur përpara. Vijnë familjarë, gra, fëmijë. Ne stërvitemi dhe luajmë në stadiumin Ponte Valleceppi, këtu në Peruxha, në rajonin e Umbrias. Është stadium i madh dhe i rëndësishëm për qytetin. Presidenti ynë ka bërë të mundur që të kemi atje fushën tonë – stërvitemi dy herë në javë dhe luajmë çdo të diel, ora 15:00.”

“Taulantët” e Italisë, krenaria shqiptare që bashkon


Erioni foli edhe për rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri:
“Na vijnë shumë të rinj shqiptarë që duan të luajnë me ne. Nuk është vetëm për të fituar trofe, por për të mbjellë një frymë dashurie dhe përkatësie për Shqipërinë. Fëmijët tanë këtu rriten si shqiptarë falë kësaj fryme.”

“Taulantët” e Italisë, krenaria shqiptare që bashkon

Fryma shqiptare që nuk shuhet
Gjatë transmetimit u shfaqën edhe pamje nga ndeshjet e fundit të skuadrës, ku emocionet ishin të prekshme. Në njërën prej tyre, “Taulantët” fituan një finale vendimtare, me një stadium të mbushur nga tifozë shqiptarë që valëvitnin flamujt kuqezi dhe thërrisnin “Shqipëri, Shqipëri!”
“Nuk ka sharje, nuk ka dhunë, vetëm kulturë dhe dashuri. Tifozët tanë janë shembull,” – thanë pjesëtarët e ekipit.

“Taulantët” e Italisë, krenaria shqiptare që bashkon

“Taulantët” janë ambasadorë të Shqipërisë në Itali. Ky është emisioni më i bukur që mund të japim sot për vendin tonë. Në një kohë kur flitet shumë për emigracionin si humbje, Artani, Erioni, Luçjano dhe Alfredi treguan që Shqipëria nuk është braktisur, por është shtrirë në zemrat e tyre.
“Taulantët” nuk janë vetëm një ekip. Janë një komb i vogël në mërgim, që luan me zemër të madhe. Në çdo pasim, në çdo gol, në çdo përqafim pas ndeshjes, pulson një zemër shqiptare. Dhe kjo zemër rreh fort edhe në Itali./K.C/dritare.net