Sylë Ukshini: Krizat politike po e dëmtojnë Kosovën, zgjedhja e presidentit kërkon konsensus
Dritare.net

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, i ftuar në emisionin “Shqip nga Dritan Hila” në DritareTV, u shpreh se Kosova po përballet me një krizë të vazhdueshme politike, e cila po ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin institucional dhe në imazhin ndërkombëtar të vendit.
Ukshini theksoi se zvarritja e proceseve politike dhe mungesa e kompromisit mes partive rrezikon të dobësojë pozicionin e Kosovës në një moment të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Sot Kosova ndodhet në një situatë ku institucionet nuk po arrijnë të funksionojnë me kapacitet të plotë. Kjo krijon pasiguri politike dhe e dobëson vendin në raport me sfidat që ka përpara,” u shpreh ai.
Sipas Ukshinit, një nga çështjet më të rëndësishme mbetet zgjedhja e presidentit, e cila kërkon domosdoshmërisht konsensus politik.
“Zgjedhja e presidentit nuk duhet të jetë një proces përplasjeje, por një moment bashkimi. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe kjo arrihet vetëm përmes kompromisit,” tha ai.
Ukshini u ndal edhe te marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se tensionet që shfaqen herë pas here lidhen më shumë me raportet personale të liderëve sesa me bashkëpunimin institucional.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë shumë më të forta sesa debatet politike të momentit. Bashkëpunimi institucional ka qenë dhe duhet të mbetet prioritet,” u shpreh ai.
Në fund, Ukshini theksoi se përçarjet e brendshme politike rrezikojnë të dëmtojnë interesat strategjike të Kosovës.
“Në këtë moment, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për unitet politik dhe strategjik. Përndryshe, rrezikojmë të dobësojmë vetë pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare,” përfundoi ai./K.C/dritare.net