Na ndiqni edhe në

Shqip

Si mund të fitojë PD-ja pas 13 humbjeve? Flet Fatbardh Kadilli!

Si mund të fitojë PD-ja pas 13 humbjeve? Flet Fatbardh Kadilli!

Në një intervistë në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Fatbardh Kadilli analizoi situatën e Partisë Demokratike pas 13 humbjeve radhazi dhe protestave të saj opozitare. Ai e përshkroi situatën politike si “jo fort të ndezur” dhe kritikoi strategjitë e PD-së, duke theksuar se protesta e fundit nuk arriti të mobilizojë as anëtarët e partisë, as qytetarët që kërkojnë një zgjidhje reale.

Kadilli foli qartë për rolin dhe natyrën e protestave politike:

“Protesta është një gjuhë politike. Unë gjithmonë e kam parë protestën si një mjet për të komunikuar politikisht. Kur protesta lind nga një forcë politike, nuk është e njëjta gjuhë si një protestë qytetare, që lind nga nevoja për të ndryshuar politikën ose qeverinë. Një protestë politike është mënyra që një forcë ka zgjedhur për të komunikuar me të vetët, me pushtetin dhe me ndërkombëtarët.”

Ai kujtoi gjithashtu modelin e kulturës politike të Sali Berishës:

“Kultura politike e Sali Berishës historikisht ka qenë që kundërshtari duhet goditur fort, pavarësisht nëse ka rezultat. Prandaj dëgjoni gjithmonë deklarime si: ‘Heren tjetër do jemi aty dhe nuk shkulemi.’ Kjo lidhet me rrëfimin që Rama nuk mundet me vota sepse i vjedh ato; synimi nuk është përmbysja reale, por dominimi politik dhe dërgimi i mesazheve te të tjerët. Unë jam marrë vetë me organizimin e tyre. Në këtë rast, nuk kishte më shumë se 3–4 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që Partia Demokratike numëron mbi 22 mijë anëtarë vetëm në Tiranë. Ky është një tregues që gjuha e komunikimit me të vetët nuk po funksionon. Molotovët bëjnë përshtypje vizuale, por nuk ndikojnë tek institucionet apo populli në mënyrë të qëndrueshme.”

Ai shtoi se protestat shpesh nuk arrijnë të ndikojnë te qytetarët që kërkojnë një zgjidhje reale:

“Historia ka treguar se marrja e godinave nuk është marrje pushteti. Shteti është i strukturuar dhe pushteti nuk rrëzohet me molotovë apo okupim të përkohshëm. Qëllimi i protestës politike është energjizimi i bazës dhe dërgimi i mesazheve ndërkombëtare se opozita po lufton për të drejtat e veta. Protestat e PD-së shpesh janë një dominim i skenës politike dhe një mënyrë për të treguar autoritet ndaj vetë anëtarëve të partisë. Fatkeqësisht, kjo kulturë shumë e vjetër politike vazhdon të ushqejë vetëm ata që janë rreth saj, dhe jo qytetarët që kanë nevojë për alternativa reale.”

Ai përfundoi me mesazhin kryesor për opozitën:

“Sa kohë nuk krijohet një alternativë e re, pushteti nuk rrëzohet. Populli nuk është aty për të mbështetur një opozitë të pashpresë. Ai sheh vetëm një kundërshtar të Ramës, jo një alternativë që mund ta zëvendësojë. Nëse nuk ka vizion dhe alternativë të qartë, protestat mbeten thjesht spektakël, dhe qytetari i lodhur nuk gjen zgjidhje.”/K.C/dritare.net