Shqiptarët bashkë kundër kancerit, në SHBA! Roberta: E gjitha nisi kur motra ime u sëmur!
Dritare.net
“Albanians Fighting Cancer”, “Shqiptarët Luftojnë Kancerin” është një shoqatë që u krijua në vitin 2019-ën nga dy motrat Noela dhe Roberta Panariti. E gjitha nisi kur Noela u diagnostikua me kancer të zorrës së trashë. Roberta e gjendur mes dhimbjes, tronditjes, ndjenjës së pafuqisë për të bërë diçka, vendosi që bashkë me dy shoqet e saj të krijojë një event, që hapi rrugë për krijim e shoqatës që ndihmon shqiptarët kudo ku janë që të luftojnë me kancerin dhe po ashtu të mësojnë si parandalohet kjo sëmundje.
Ndërsa më 28 shtator në Boston do të mbahet një koncert gala ku do të performojnë artistët tanë të mrekullueshëm, Ramë Lahaj dhe Genc Tukiçi. Ky koncert, ashtu si shoqata kanë një mision, për ndihmuar ata po kalojnë kohën më të vështirë të jetës së tyre. Në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga në emisionon Shqip në DritareTV, Roberta Panariti, presidentja e AFC-së tregon më shumë detaje për shoqatën dhe koncertin që do të mbahet për 10 ditë.
“Në vitin 2019 kur motra ime u diagnostikua me kancer ndjenjat e para që përjetova ishin frika e dëshpërim. Këto ndenja më bënë të pafuqishme. Kështu më duhet të gjeja një mënyrë që të ndihmoja motrën dhe të tjerë qe po përballeshin me këtë sëmundje, si dhe të mësonim rrugën për ta parandaluar kacerin. Me 2 shoqet e mia arritëm të krijonim një mbrëmje gala me 300 persona që jetojnë në Amerikë, ftuam dhe mjekë. Mjekët që erdhën folën, mbajtën kumtesa dhe u mirëpritën nga të gjithë ne dhe ato 15 mijë të ardhura që u mblodhën ia dhuruam spitalit ku kurohen shqiptarë të tjerë. U nis pa pasur parasysh çfarë do të ndodhte më vonë. Prej pak vjetësh ne operojmë si shoqatë jofitimprurëse dhe punojmë në mënyrë vullnetare.
Ne donim të krijonim një rrjet që përmes kësaj shoqatë të ndihmonim, të paktën në ato momentet e para, për të mësuar se si të veprosh ose si të reagosh kur merr vesh që ke kancer. Gjatë rrugës mësuam se edhe stigma te shqiptarët ishte e madhe. Kur të afërmit morën vesh që motra ime ishte diagnostikuar me kancer, i rralluan telefonatat, nuk vinin më për vizitë, nuk na afroheshin, u ftohën. Stigma është e madhe. Edhe tani thonë është diagnostikuar me një sëmundje të keqe, nuk thonë kancer. Por nëse ti nuk e pranon emrin, nuk e lufton dot kancerin. Hapi i parë është të pranosh që ke kancer dhe pastaj të mësosh të gjesh rrugët për ta përballuar dhe luftuar.
Kështu ne u afruam te njerëzit, për të treguar për sëmundjen e motrës. Ne mbështetëm njëri-tjetrin për të kuptuar, parandaluar, për ta pranuar sëmundjen dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin. Tani kanë kaluar 5 vjet dhe ne çdo herë mundohemi të ndihmojmë në parandalimin e kancerit, duke bërë evente për të folur me shqiptarët, duke ndihmuar njëri-tjetrin të gjejmë doktorët më të mirë, spitalet më të mira. Po ashtu edhe për të ndihmuar spitalet në Shqipëri. Ne u dërgojmë pako spitaleve në Shqipëri me mjete spitalore.
Po ashtu organizojmë shpesh edhe koncerte gala dhe mbledhim para për të ndihmuar të prekurit me kancer. Këtë herë kemi koncertin më 28 shtator me artistët tanë të mrekullueshëm, Rame Lahaj dhe Genc Tukiçi. Të gjithë për një mision, duke ndihmuar vëllezërit dhe motrat tona që po kalojnë kohen më të vështirë të jetës së tyre.”, tregon zonja Roberta Panariti në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV./K.C/dritare.net