
Bukuria e Shqipërisë dhe letërsia e saj do të jenë në fokus të FjalaFest, edicioni i parë i festivalit të letërsisë shqipe, i cili do të zhvillohet në datat 18 dhe 19 maj 2024 në Milano, në hapësirat e Qendrës Kulturore Slow Mill.
Anna Lattanzi, kryeredaktorja e revistës “Albania Letteraria”, e cila organizon këtë festival erdhi sot në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të treguar më shumë detaje. Zonja Lattanzi thotë se veprimtaria e organizuar në partneritet me qytetin e Shkodrës, lindi nga sinergjia me realitete të ndryshme të nxitura nga objektivi i përbashkët për të mbështetur përhapjen e kulturës letrare shqipe në Itali.
“FjalaFest” do të bëjë bashkë autorë shqiptarë në një diskutim mbi letërsinë, historinë, traditën letrare, përkthimin, artin e shkrimit. Po ashtu edhe studiues, shkrimtarë dhe gazetarë italianë që kanë botuar vëllime duke u interesuar për Tokën e Shqiponjave. Tryezat e rrumbullakëta, diskutimet mes shkrimtarëve, botuesve dhe përkthyesve do të ofrojnë një pasqyrë, sa më të plotë, të kulturës shqiptare.
Jo vetëm libra dhe autorë në FjalaFest: edhe leximi do të bëhet protagonist i eventit.
Gjatë festivalit do të jepet edhe Çmimi i Përkthimit FjalaFest. Ky çmim do t’i jepet përkthyesit që ka bërë përkthimin më të mirë nga shqipja në italisht në dy vitet e fundit./K.C/dritare.net

















