
Kasmi: Dokumenti i dalë nga Arkiva, i pavërtetë. Zogu nuk mori 250 mijë franga ari!
Dritare.net
Historiani i njohur Mariglen Kasmi i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV foli për dokumentin e publikuar nga Arkivi i Shtetit, në lidhje me sasinë e arit që mori Mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria. Zoti Kasmi tha se ky është një dokument që nuk mund t’i referohemi si të vërtetë, por duke bërë një llogari të shifrave të shifrave që shfaqen në letër, tha se vlera e arit të përmendur, përkthyer në ditët e sotme, arrin në 120 milionë dollarë.
“Unë kam bërë një llogari të përafërt të shifrave që përmenden në dokument, me vlerat e sotme. Janë shuma të majme. Një napolon flori kishte rreth 20 franga ar, dhe një frangë ari, nëse i referohemi prerjes më të madhe një-qindëshes, kishte 0.29 gramë ar në përbërje. Nëse i referohemi kësaj shume, del një shifër marramendëse. 250 mijë napolona ari janë jo pak. E përkthyer në shifra sot, janë 120 milionë dollarë.
Por ky është një dokument që për një profesionist nuk thotë asgjë. Sepse nuk të jep mundësinë e një informacioni të besueshëm që t’i referohesh. Ky dokument është njësoj si të dalë nga një zyrtar i sotëm dhe nesër të merret për referencë. Ne ende nuk e dimë se kush ishte ky person, çfarë përfaqësonte ai. Megjithatë ky dokument ngacmon një problem që edhe sot është i hapur. Por Arkiva duhet të jetë e kujdesshme kur nxjerr të tilla dokumente. Sepse dokumentet që publikohen duhet të kenë forcën e të vërtetës dhe të referencës. Pra të jetë e vërtetuar dhe e pakontestueshme”, u shpreh zoti Kasmi në Dritare TV./L.F-dritare.net

















