
Sa i kushton një emigranti nga SHBA, udhëtimi në Shqipëri! Flet Meti Mulla!
Dritare.net

Meti Mulla nga SHBA ndau një shqetësim në DritareTv, se nuk arrin të marrë dot paratë e pensionit në Amerikë, si pasojë e mungesës së një certifikate martese. Zoti Mulla tregoi se fakti që nuk ka kartë identifikimi shqiptare, ai nuk mund të logohet në portalin e-albania për të tërhequr certifikatën e martesës dhe të vazhdojë procedurat për pensionin.
Ndër të tjera, zoti Mulla rrëfeu se udhëtimi në Shqipëri është mjaft i kushtueshëm, nëse udhëton shpesh për të plotësuar të gjithë dokumentacionet e nevojshme.
“Unë kam dy vjet që kam qenë në Shqipëri. Një biletë avioni nga Miçigani ku unë jetoj për në Shqipëri më shumë se 1600 dollarë. Kostoja është shumë e madhe, ndaj unë kam këtë shqetësim. Unë kam dalë në pension në Amerikë. Që të marr pagesat, duhet një certifikatë martese.
Unë duhet të vij në Shqipëri për këtë certifikatë sepse në e-albania nuk më të marr asnjë shërbim, sepse më ka skaduar karta e identitetit. Unë duhet të paguaj 2000 dollarë që të marr një certifikatë. Unë kam pasaportë amerikane, ndaj nuk e disponoj një ID. Unë kam numrin e regjistrit themeltar ndaj nuk duhet që kjo të jetë pengesë për të mos marrë një dokument në Shqipëri. Unë jam akoma shqiptar, kam nënshtetësi shqiptare, ndaj shteti duhet të më ndihmojë! Shteti shqiptar duhet ta ndihmojë emigrantin kudo qoftë ai. Unë mund ta bëj kartën e identitetit nëse është një herë në 10 vjet, por çdo dy vjet për ne shqiptarët që jetojmë në Amerikë është shumë e vështirë që të vijmë dhe ta rinovojmë.
Ajo çfarë do të na lehtësonte tani punë është që të përdornim e-albania përmes numrit të regjistrit themeltar që unë kam në Shqipëri”, tha zoti Mulla në Shqip nga Rudina Xhunga./M.K-dritare.net

















