
Rrëfimi i emigrantit shqiptar për udhëtimin 3 ditor drejt Italisë me fuçi në 91-shin: Halli të detyron të bësh gjithçka!
Dritare.net
Sot në “Shqip” me Rudina Xhungën, i ftuar ka qenë një emigrant shqiptar, Maksim Shaholli, i cili ka treguar historinë e tij të veçantë. Një histori, e cila nis dhimbshëm si e shumë djemëve të rinj shqiptarë, që lanë vendin, ca nga mali e ca me gomone e varka drejt “kepit të shpresës për një jetë më të mirë”. Maksimi rrëfen vuajtjet e tij, të cilat janë historitë e çdo familjeje shqiptare që ka provuar emigrimin.
"Në 91-shin kemi tentuar të ikim me fuçi. Fuçitë ku ishim ne, mos qoftë as dreqi. Nuk kishim dijeni se çfarë po bënim. Drejtohemi drejt Italisë me fuçi. Ne mendonim se deti Adriatik ishte si kur laheshin ne të vegjël. Pas 3 ditësh ishim shumë afër brigjeve italaine, por nuk arritëm se na mori një motovedetë, na çuan tek Guardia di Finanza dhe na kthejnë në Durrës. Nga Durrësi me autobus për në shtëpitë tona. Lëkura ime ndërroi 6 herë brenda javës. Xhinset që kisha veshur u shkërrmoqën komplet nga kripa e detit.
Nuk ia uroj asnjërit të marrë një iniciativë të tillë, sepse ne ishim në një moshë që nuk e denim se çfarë bënim. Ne kujtonim se të kaloje Adriatikun ishte një gjë që zgjaste 30 minuta.
Halli të detyron të bësh gjithçka", tha Maksim Shaholli në Shqip/J.H/dritare.net

















