
Pse Shqipëria e ka të nevojshme shërbimin ushtarak. Flet ish-pjesëtari i Forcave Speciale!
Dritare.net

Ish-pjesëtari i Forcave Speciale, Denis Deliu në Shqip nga Dritan Hila u shpreh se vendi ynë duhet të shqyrtojë mundësinë për të vendosur shërbimin ushtarak të detyrueshëm.
Zoti Deliu shpjegoi se edhe pse e mbrojtur nga NATO, Shqipëria mund të vendosë shërbimin rezervist, i cili përgatit brezin e ri nga ana psikologjike dhe fizike, në rast se në Ballkan shpërthen luftë.
“Fat shumë i madh që Shqipëria është në aleancën e NATO-s, ndër marrëveshjet më të mira historike të lidhura ndonjëherë. Duke qenë në NATO, ne jemi të mbrojtur. Por NATO ka kritere që i përcakton vendeve anëtare, për forcimin e kapaciteteve. Shqipëria është një vend i vogël, me mundësi jo shumë të mëdha ekonomike, por ndër kriteret që na ka vendosur NATO, është shërbimi rezervist. Presim disa ditë që të kalojë projektligji. Shërbimi rezervist, do forcojë dhe do mbështesë ushtrinë shqiptare me kapacitete, do të rrisë lidhjen mes popullsisë civile dhe ushtrisë. Deri këto vite e kanë larguar mendësinë e popullit shqiptar se në një moment kritik, duhet t’i shërbejmë Atdheut. Mendësia politike dhe e popullsisë është bazuar se ne na mbron NATO. Patjetër që na mbron NATO, por ne duhet të punojmë për të forcuar kapacitetet tona. Shërbimi rezervist është i pari, përderisa shohim se shumë vende të forta, edhe pse në NATO po fusin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Edhe Shqipëria, duhet të fusë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, hap të radhës që duhet ta mendojmë shumë mirë.
Ky shërbim përgatit brezin e ri të trajnohet psikologjikisht për luftë, përballimin e vështirësive për luftë, që vetëm në ushtri provohen. Ushtria është sakrificë, por e bën më të fortë brezin e ri. Sot brezi i ri është më pak i sprovuar dhe i disiplinuar, ushtria i bën që të përballojnë më mirë jetën, nga ana psikologjike dhe fizike. Është mundësia që ne mos ta vendosim shumë gjatë ushtrinë, ku p.r.sh Kroacia ka propozuar për 4 muaj, po ashtu edhe Serbia ka në plan. Ekspertët ushtarak apo politik mund të gjejnë konsensus, për të marrë mendimin edhe të popullsisë civile, për të mos ta rënduar por t’i shërbejë me të vërtetë. Mund të punohet edhe me shkollat, mund të ketë orë edukative për përdorimin e orëve, të kombinuara me marshime ose ekskursione, ndihmojnë për ta përgatitur psikoligjikisht brezin e ri. Pas luftës në Ukrainës, e gjithë mendësia e Evropës po ndryshon. Por sot është prezentë, kemi ngjalljen e orekseve të vjetra, siç është Rusia dhe Kina, për zgjerimin e tyre apo zgjatjen e influencës në vende më pak të zhvilluara. Sot Rusia po bëhet kërcënim për gjithë Evropën, ndërsa kemi Kinën, që po e ndihmon politikisht dhe ekonomikisht Moskën. Kemi Serbinë si mik të vjetër të Rusisë, që me sulmin në Banjë, por dhe me gjithë tentativat në Bosnjë-Hercegovinë, mund të shërbejnë për destabilizim të Ballkanit. Nëse të gjitha këto ndodhin në të njëjtën kohë, do ta vendosnin në vështirësi NATO-n”, tha zoti Deliu./M.K-dritare.net

















