Na ndiqni edhe në

Shqip

Nuk jam ushtar i partisë. Kush është Admir Kadeli, djali i Gjovalin Kadelit, deputet i PS në Lezhë!

Nuk jam ushtar i partisë. Kush është Admir Kadeli, djali i

Admir Kadeli, djali i ndjerë Xhovalin Kadelit është deputeti më i ri që do i bashkohet Kuvendit të Shqipërisë, në sesionin e ri parlamentar.

Ai ishte i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, ku foli për jetën e tij personale, sfidat e mëdha që ka kaluar dhe angazhimin në politikë.

Kadeli rrëfeu se jeta e tij ka qenë larg lehtësisë së një “djali të një politikani të njohur”. Pas vitesh sfide me sëmundjen e nënës, e cila u shtrua në spital për tetë vite rresht, ajo ndërroi jetë, dhe më pas humbi edhe babanë. “U detyrova të bëhem burrë para kohe. Më mungon fëmijëria. E kuptova kur bleva një Playstation për djalin dhe u ula të luaja me të. Sikur po përpiqesha të fitoja me çdo kusht, sepse ndoshta po luftoja me veten që më munguan lojërat”, tregoi ai.

Kadeli theksoi se nuk ishte synimi i tij i parë të çonte përpara bizneset e babait, por e ndjeu si një detyrim për të mos lënë në harresë emrin e tij. “Ishte misioni im që emri i Xhovalinit të mos harrohej. E çova përpara biznesin që ai la dhe sot e them me krenari këtë.”, u shpreh ai.

Ai theksoi se ndryshe nga shumë figura politike që shfaqen vetëm në prag fushatash, ai është rritur dhe jeton në Lezhë dhe ka qenë gjithmonë pranë komunitetit, si përmes biznesit ashtu edhe në jetë sociale. “Unë nuk vij në Lezhë një herë në katër vite për vota. Jam këtu çdo ditë. Shkoj në vaki, takoj njerëzit, i njoh dhe më njohin.”, tha Kadeli.

I pyetur për përfshirjen në politikë dhe zgjedhjen e Partisë Socialiste, Kadeli u shpreh se fryma e majtë i ka qenë gjithmonë pranë, që nga shtëpia e Xhovalinit. “E kam pasur të lehtë të pozicionohem majtas, por nuk jam thjesht ushtar i një individi. Jam ushtar i të drejtës, i frymës që besoj se duhet të ketë vendi im,” tha ai.

Kadeli foli edhe për ndryshimet në qarkun e Lezhës dhe për vizionin e tij për të ardhmen. Ai përmendi projekte të mbetura pezull për shkak të pandemisë dhe tërmetit, por theksoi se Lezha ka nevojë për një zonë të re zhvillimore. “Duhet të hapim një zonë të re ndërtimi për të sjellë investitorë. Jam edhe tifoz i ndërtimeve të larta në bregdet. Kjo do i jepte më shumë bukuri dhe funksionalitet zonës,” deklaroi ai./K.C/dritare.net