
Nga puna me kryeministra dhe princa, në kryebashkiak të Vlorës. Ermal Dredha: Pse ky vendim!
Dritare.net
Sot në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV ishte i ftuar kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha. Ish-Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, ish-ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dredha tregon se përse la karrierën e pasur në diplomaci, për t’u bërë kryebashkiaku i Vlorës.
"Ishte një thirrje që kisha brenda vetes. Unë nuk kam kërkuar asnjëherë të jem kryetar i Bashkisë së Vlorës. Emri ka ardhur rastësisht nga kryeministri Edi Rama. Ndoshta ai ka besuar tek unë. Shtysën më të madhe ma dha babai. “Do ta bësh dhe do ta bësh mirë punën.”, më tha babai kur mori vesh. Sfidë është, por jo se jam në garë me tim atë Neki Dredha. Nuk marr ato merita që ai ka, sepse ka qenë shumëdimensional në rrugëtimin e tij, ka qenë kryebashkiaku i Vlorës në një kohë të vështirë, 1997-ta. Unë dua të bëj më të mirën për Vlorën që të mos e zhgënjej. Ndaj për mua është sfidë tjetër. Nuk ka lidhje me punën që bëja dhe atë që po bëj, por i lidh vetëm shërbimi. Nëse në diplomaci ti u shërben politikave më të mëdha shtetërore, këtu futesh në një dimension tjetër, ku i shërben komunitet tënd, që është pak më i vogël. Por nuk ka diskutim që është një sfidë shumë e madhe. Për Vlorën ia vlen të marrësh këtë rrezik, që të jesh në krye të Bashkisë së saj. Them se do të bëj gjënë më të mirë.", tha zoti Dredha në DritareTV./K.C/dritare.net

















