
Nga Onufri, në Hollivud! Historia e kompozitorit Aldo Shllaku!
Dritare.net
Kompozitori i filmave të njohur të Hollivudit është shqiptar. Ai është Aldo Shllaku dhe sot vjen në Shqip nga Rudina Xhunga në një rrëfim të veçantë për ndjekësit e DritareTV.
Nxënësi i shkollës Onufri në Elbasan jeton dhe punon me muzikën prej 20 vjetësh në Los Anxhelos. Ai u largua nga Shqipëria bashkë me familjen në 1991-shin, për një të ardhme më të mirë, fillimisht në Greqinë fqinje dhe më pas në Kanada, ku ndoqi studimet për kompozim dhe më pas u transferua në Los Anxhelos dhe përfundoi programin prestigjioz të USC 'Scoring for Motion Pictures and Television”.
Aldo Shllaku ka punuar me regjisorët më në zë të Hollivudit: George Gallo, Francesco Cinquemani, Ryûhei Kitamura, Martin Wood dhe aktorët më të mirë të të gjitha kohërave nga Roberto De Niro, te Al Paçino, John Travolta, Morgan Freeman, Van Damme. Ndër filmat që ka kompozuar përmendim: The Comeback Trail, The Doorman, The Poison Rose, Doënrange, Hoë to Kill Your Protagonist, Death Rite, Guardian Angel, Hard Matter, The Ritual Killer, Vanquish.
Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, zoti Shllaku tregon largimin nga Shqipëria, për të realizuar ëndrrën e tij, kompozimin dhe punën me yjet e Hollivudit.
“Unë erdha në Los Anxhelos para 20 vjetësh. Erdha për të vazhduar studimet pasuniversitare dhe ky rrugëtim imi sot është një lëvizje organike, e gjatë, hap pas hapi, punë pas pune. Jam me origjinë nga Shkodra, por i lindur në Elbasan ku bëra vetëm shkollën e mesme për muzikë te Onufri. Pastaj në 1991-shin ne ikëm familjarisht nga Shqipëria për në Greqi dhe më pas u zhvendosëm në Kanada. Studimet për kompozicion i kam bërë në Kanda, në Montreal, ndërsa studimet pasuniversitare, kompozicion i specializuar për muzikë filmi, në Los Anxhelos. Unë qeshë me fat sepse një profesor i imi mbas shkollës më mori me vete që të punoja me të. Puna me të ishte shkolla ime e dytë sepse profesori kompozonte muzikë dhe unë e ndihmoja vazhdimisht dhe shihja si realizohej një muzikë filmi. Ndenja me të 5 vjet dhe dola në profesion të lirë. Filmi është një grup i madh pune dhe marrëdhënia njerëzore është shumë e rëndësishme. Dhe kjo më shërbeu shumë. Unë jam një pjesë e vogël e gjithë filmit si kompozitor, ama kam grupin tim të punës.
Për shembull për kompozimin e filmit “The Comeback Trail” ku luan edhe Robert De Niro, unë kisha një grup me 100 vetë. Orkestrën në Berlin që incizonte anën orkestrale, korin në Shkup, një grup në Nashville dhe solistët instrumentalë i kisha këtu në Los Anxhelos në studio. Më duhet ta menaxhoja këtë grup dhe ia dola. Isha pjesë e një grupi të madh pune për të kompletuar vizionin që ka regjisori dhe producenti. E gjithë kjo fillon me një bisedë që kam me regjisorin, lexoj skenarin, shkruaj temat dhe më pas nis kompozimin.
Ndonjëherë harroj faktin që kam ardhur nga Shqipëria këtu dhe po punoj me De Niron, Al Paçinon.
Thonë disa sa çudi kur sheh një shqiptar në Hollivud. Ka shumë shqiptarët që punojnë këtu. Por ne jemi të shpërndarë dhe nuk ka një sistem që të integrohemi më njëri-tjetrin. Unë kam bërë disa gjëra për Shqipërinë, kam bërë kontributin për vendin. Por sa më shumë sukses të ketë një shqiptar jashtë dhe ta thotë që është shqiptar, aq më mirë është për të gjithë të tjerët sepse shohin një figurë dhe ta marrin si referencë për ta arritur në një moment edhe për ta kaluar sepse vetëm kështu mund të ecim përpara. Duhet të punosh. Kjo është motoja ime: puno, puno dhe mos iu ndaj punës sepse pa punë nuk ka sukses.”, u shpreh kompozitori për gazetaren Rudina Xhunga./K.C/dritare.net

















