
Në SHIK zbulova vrasësit e babait tim! Rrëfimi i jashtëzakonshëm!
Dritare.net
Një histori tronditëse u tregua sot në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV. Shkëlqim Çeloaliaj erdhi në DritareTV për të rrëfyer kalvarin e vuajtjeve të familjes së tij, si ia pushkatuan babanë në 1967-ën, kur ai ishte 9 muajsh, edhe si e gjeti trupin e tij pas rrëzimit të regjimit, në Morgun e Tiranës.
Zoti Çeloaliaj e përmbushi amanetin e gjyshit, e gjeti të atin pas 27 vitesh dhe e solli për ta varrosur në Dukat, atje ku më pas varrosi edhe nënën, afër burrit që e humbi ku ishte 23 vjeçe.
Sot thotë zoti Çeloaliaj, shpresoj që të kthehen fëmijët e mi në Dukat, të ndërtojnë shtëpi, edhe të jetojnë aty, në Dukatin që e kemi në zemër.
“Babai im në 1964-ën, merrej me sipërmarrje. Punonte me njerëzit e tij më të afërt. Babai im u dënua si grup i sabotatorëve në 1967-ën. Ata kanë ndërtuar fabrika, furra buke. Të gjitha janë sot në këmbë. Sabotimi sipas atyre qe i bene gjyqin ishte se mungonin babait 160 mijë lekë të vjetër. Ata i thoshin që babai im kishte bërë një dëm 160 mijë lekë dhe për këtë do pushkatohej. Babai im dhe daja u arrestuan 1966-ën dhe u pushkatuan në 1967-ën. U pushkatua babai im, daja, kunati dhe vëllai i tij bëri 15 vjet burg edhe e internuan. Gjyqi ndaj tyre u bë aty ku te shtëpia e beut. Pas pushkatimit të babait, nëna ime mbeti 23 vjeçe me mua 9 muajsh. Janë pushkatuar rreth 9 familjarë të mi, si nga nëna e si nga babai, që nga 1945-a në 1990-ën.
Pas vrasjes së babait jeta jonë vazhdoi mes vështirësish, vetëm ne të dy. Mua më rriti gjyshi. Gjyshi nuk foli kurrë për vrasjen e babait. Nuk e gjeti kurrë varrin e babait sepse nuk ia tregonin. Kur erdhi demokracia i thosha mamasë gjithmonë; Po ku është babai? Ku e ka varrin?” Babanë tim e kam gjetur në Morgun e Tiranës në 1993-shin. Kjo ishte vdekja e dytë e babait tim dhe takimi im i pare me te. Zonja që drejtonte Morgun e Tiranës kishte ruajtur trupin e babait tim dhe të një vlonjati tjetër, ndërsa dajën nuk e gjeta. Ajo e ruajti babanë për 27 vjet në morg. Kishte shumë trupa në morg. Ata që vriteshin përdoreshin për eksperimente në Universitetin e Mjekësisë dhe i mbanin në vaska uji shumë të mëdha. Kjo zonja nuk firmoste që trupi i babait të përdorej për eksperiment, sepse po të vendosej në tavolinë prishej trupi edhe e varrosnin. Ajo është një heroinë për mua. Unë shkova në 1993-shin, u futa në morg. Aty e takova babanë për herë të parë, të vdekur. Babai im ishte me dy plumba në ballë, me nofull të thyer. E tërhoqa nga morgu edhe e varrosa në Dukat. Pasi varrosa babanë nisa të hetoja se përse i ndodhi kjo gjë. Kështu u punësova si oficer i ndihmës së shpejtë në Vlorë, e pastaj në SHIK. Në dokumentet e SHIK-ut pashë që pas vrasjes së babait tim, do ishim ekzekutuar unë dhe nëna ime. Ishte në vendim.
Mua dhe nënën na ka shpëtuar Hysni Kapua. Nuk e kam treguar kurrë këtë histori. Po e tregoj për herë të parë në DritareTV. Unë nuk dua të vuajnë të tjerë shqiptarë si unë. Por dua që Shqipëria të ecë përpara dhe mos bëhet një luftë tjetër. Unë dua Shqipërinë të jetë e shqiptarëve. Unë e tregova historinë sot që njerëzit të bëhen me zemër të madhe dhe të mendojnë për këtë vend. Sepse sot të gjithë po ikin, të studiojnë dhe punojnë jashtë. Por duhet te kthehen, të vijnë të punojnë këtu në Atdhe. Edhe unë ika nga Shqipëria në 1995-ën në Itali, por e shikoj të afërt kthimin në Atdhe. Shpresoj që fëmijët tanë të kthehen një ditë në Dukat. Që të kthehen në Shqipëri shqiptarët duhet të jemi bashkë, pa kujtuar çfarë u la pas. Por nuk qemë bashkë nuk bëhet.” Me këtë mesazh e mbylli rrëfimin zoti Çeloaliaj. Një mesazh për të lënë pas të shkuarën, edhe për të ecur përpara bashkë drejt së ardhmes. E bëj këtë tregim te ju, sepse ju keni shpirt, iu drejtua ai në fund gazetares Rudina Xhunga, ndërsa u përlot përballë fotos së prindërve që dilte në ekran.
Shkëlqim Çeloaliaj është nipi i Xhelil Çelës, eksponent i lartë i Ballit Kombëtar, i cili bashkëpunoi me anglo-amerikanët gjatë luftës. Ai i vra në Itali./dritare.net

















