Na ndiqni edhe në

Shqip

Mesazhi që u dha me shpërthimin në veri të Kosovës! Flet Roland Bimo!

Mesazhi që u dha me shpërthimin në veri të Kosovës!

Ambasadori Roland Bimo i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv foli për shpërthimin në veri të Kosovës në kanalin Ibër-Lepenc. Me këtë shpërthim, thotë Bimo, autorët deshën t’i japin një mesazh Kosovës, që nuk po e kontrollon territorin e saj.


“Ironia e fatit të Kosovës dhe Shqipërisë është që ne kemi plotësisht të drejtë dhe e humbasim ndeshjen. Fajin e kanë serbët, por sanksionet i vendosen Kosovës nga BE-ja dhe i tërhiqet veshi nga SHBA-ja. Në gjithë këtë histori ne përveç se bëjmë viktimën, nuk dimë të themi çfarë nuk shkon me këtë sistem anarkik të organizimit të shteteve në botë. Ne kemi zgjedhur t’i qahemi BE-së dhe SHBA-se që nuk i tërheq veshin Serbisë. I gjithë ky viktimizim nuk na shërben edhe në këndvështrimin e mobilizimit tonë. Ne nuk kemi treguar ndonjë inferioritet në përballje me serbët. Në fushëbetejë u mundën, Kosova është e pavarur. Po, Beogradi është shumë përgjegjës për këtë atmosferë tensioni që krijon në Kosovë. Atmosferë që përbën shtratin e nxehtë ku veprojnë shumë grupe terroriste të inkurajuara nga kjo politikë që ndjek Beogradi. Po të thuash që ishte Vuçiçi ai që vuri minat, duhen prova.

Sa i përket diskursit politik Kosova ka të drejtë. Por nëse shpërthen një bombë në Kosovë, BE-ja thotë: “Mos Kosova nuk po e kontrollon dot territorin.” Ajo që është evidente është se këtë lloj shpërthimi e kanë bërë njerëz që dinë çfarë po bëjnë, dinë ku dhe si ta vendosin eksplozivin dhe në çfarë mase të shkojë shpërthimi. Dëmi nga shpërthimi ishte aq sa për të dhënë një mesazh. Se mund të ishte shpërthyer gjithë kanali dhe Kosova nuk do e ndërtonte dot për 5 vjet. Është një mesazh për të thënë që: “Shikoni se ju nuk po e kontrolloni territorin.” Edhe kjo duhet t’i dokëndise më shumë autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë dhe mos e marrin për të mirëqenë mbrojtjen e infrastrukturës kyçe. Unë mendoj që Kosova duhet ta fuqizojë vetën në shumë mënyra, legale, gjysmëlegale, të shfrytëzojë marrëdhëniet që mund t’i ofrojë Shqipëria në rritjen e mbrojtjes së territorit, bashkëpunimin ndërkombëtar, etj.”, tha zoti Bimo në DritareTV./K.C/dritare.net