
Mesazhi që i dha agjenti sekret amerikan, Alfred Moisiut në 1996-ën!
Dritare.net
Historiani ushtarak Sali Onuzi ishte pjesë e rëndësishme e dokumentarit “Në besë të shqiptarëve” prodhim i gazetares Rudina Xhunga dhe DritareTV. Historiani dha informacione, të dhëna që pak i dinë për rrëzimin e avionit me 30 infermierë dhe mjekë amerikanë në Çestije të Belshit më 8 nëntor 1944-ën. Zoti Onuzi erdhi sërish në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të folur për dokumentarin, ku tregoi të tjera informacione për operacionin e jashtëzakonshëm të shpëtimit nga shqiptarët të 30 infermierëve amerikanë. Zoti Onuzi tregon takimin me togeren Agnes Jensen dhe kapitenin amerikan të zbulimit, Lloyd Smith në vitin 1996, kur erdhi në Shqipëri për të përmbushur një amanet, dorëzimin e telegramit me një mesazh falënderues të marrë në 1944-ën, nga Komandanti Amerikan i Lindjes së Afërme, ku shprehej mirënjohja për shqiptarët që shpëtuan 30 amerikanët.
Ndiqeni emisionin në linkun më poshtë!
"Takimi me Agnes Jensen dhe Lloyd Smith!
Unë i takova Agnes Jensen dhe Lloyd Smith kur ata erdhën në Shqipëri.
Smith është kapiteni i zbulimit amerikan, ose OSS-së, paraardhësja e CIA-s amerikane sot. Ai erdhi në bregdetin shqiptar me urdhër nga eprorët e tij për të pritur infermieret dhe sanitarët dhe për t’i shoqëruar për në Amerikë. Ai në bregdet qëndroi, nuk u fut më thellë. Amerikanët qenë ndërlidhur me misionin britanik, për t’u siguruar që vajzat ishin të sigurta.
Historia e telegramit që erdhi pas 52 vitesh në Shqipëri!
Për historinë e shpëtimit të 30 infermierëve amerikanë nuk u fol as në Shqipëri, e as në Amerikë. Komandanti Amerikan i Lindjes së Afërme i dha kapitenit Lloyd Smith në 1944-ën një telegram me mesazh falënderimi për ta sjellë në Shqipëri. Ai nuk e solli. Kur e pyeta Lloyd Smith se përse nuk e solli; -“Nuk munda”-më tha. Telegrami erdhi në 1996-ën. Ishte e jashtëzakonshme. Nuk iu dorëzua Enver Hoxhës, por iu dorëzua Alfred Moisiut. Nuk dihej fare ky telegram. Ai ishte deklasifikuar, edhe u dorëzua në Arkivin e Shtetit. Lloyd Smith erdhi në 1996-ën në Shqipëri dhe solli telegramin: -“E kam pasur amanet. Tani ndihem shumë i lirë. E plotësova detyrën që kisha marrë.”, tha Smith.
Kjo detyrë që iu dha Lloyd Smith për të shoqëruar infermierët amerikanë në Himarë, e ngriti atë në gradë, nga kapiten i zbulimit, u bë major, nënkolonel në OSS.”, tregon studiuesi në DritareTV.
Dokumentarin “Në Besë të Shqiptarëve“ mund ta gjeni në Youtube Dritare TV./K.C/dritare.net

















