
Dashamir Shehi thotë se të fortët e politikës i duhen kryetarit dhe jo partisë. I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në Dritare TV, zoti Shehu u shpreh se ai nuk ka pranuar që të ketë të fortë në LZHK sepse sipas tij ai bën politikë në mënyrë të ndershme, ndërsa ngulmon për lista të hapura.
“Të fortët nuk i duhen partisë. I duhen kryetarit të partisë. Ka të fortë për sherr e dhunë dhe të fortë për para. Unë nuk kam pasur asnjëherë të fortë në partinë time. Por as ata nuk vijnë në partinë time sepse nuk kanë asnjë interes. Por as nuk i dua. Unë kërkoj lista të pastra që vërtet marrin më pak vota, ama kanë fytyrën e një njeriu që nuk është kriminel.
Ndaj unë ngulmoj për hapjen e listave sepse në momentin që hapen listat, bie roli i kryetarit. Ai nuk është më i plotfuqishëm. Ndërsa sot deputetët i përcakton kryetari sepse nëse vihesh i pari në listë, ti bëhesh deputet që atë ditë kur të caktojnë në listë”, u shpreh Dashamir Shehi në Dritare TV./L.F-dritare.net

















