
Në një analizë në emisionin “Shqip” të Dritan Hilës në DritareTV, ambasadori Roland Bimo u ndal gjatë mbi filozofinë e presidentit amerikan Donald Trump dhe ndikimin e tij në marrëdhëniet me Evropën dhe aleancat ndërkombëtare.
Sipas Bimos, një moment kritik për perandoritë historike është kur interesat nga borxhi publik fillojnë të tejkalojnë shpenzimet ushtarake, gjë që ka ndodhur tashmë edhe me Shtetet e Bashkuara. Në këtë kuadër, ai tha se veprimi i Trump për të kërkuar nga aleatët evropianë të rrisin shpenzimet ushtarake ka një qëllim të dyfishtë: nga njëra anë përfitimi ekonomik për industrinë e armëve amerikane dhe nga ana tjetër për të përmbushur filozofinë e tij për tërheqjen e trupave amerikane nga jashtë.
“Zoti Trump këtë e bën sepse ai 5%-shi duhet të shkojë për të blerë armë amerikane,” – tha Bimo. “Kjo ndihmon ekonominë amerikane dhe është në përputhje me filozofinë e tij të tërheqjes së trupave dhe pakësimit të shpenzimeve për bazat jashtë vendit.”
Ai theksoi se evropianët, në përpjekje për t’i bërë qejfin Trumpit, po kontribuojnë realisht në argumentin për tërheqjen amerikane. Në këtë mënyrë, Trump mund të shkojë në Kongres dhe para bazës së tij elektorale dhe të thotë se Evropa tashmë paguan vetë për mbrojtjen e saj, kështu që nuk ka më arsye që SHBA-të të mbajnë trupa atje.
“Europianët kanë më shumë frikë nga largimi i trupave amerikane sesa nga kërcënimi rus,” – u shpreh Bimo.
Më tej, ai ngriti pyetjen nëse duhet që Evropa të ndjekë një qasje më të matur ndaj Trump-it, duke kërkuar më shumë dialog dhe më pak konfrontim. Në vend që të mbivlerësojnë kërcënimin rus, Bimo sugjeroi se ndoshta duhet të thuhet e vërteta: Evropa është një kontinent që po plaket dhe ka nevojë për buxhete sociale, jo për rritje të mëdha të armatimeve.
Për Bimon, fushata elektorale e Trump tregoi përpjekjen e tij për t’u shkëputur nga establishmenti neokonservator dhe liberal i politikës së jashtme amerikane. Ai përmendi edhe zhgënjimin e Trump me aleatët evropianë dhe përdorimin e SHBA-së si “xhandare ndërkombëtare” për interesa të të tjerëve.
“Trump ka një ndjeshmëri për t’u shkëputur nga përdorimi që i bëjnë shtetet e tjera SHBA-së,” – u shpreh ai. “Kur Trump pa që përfituesit kryesorë të marrëveshjes me Iranin ishin kompani europiane, e tërhoqi Amerikën prej saj.”
Në fund, Bimo theksoi se SHBA-të janë lodhur nga sistemi ndërkombëtar që vetë e ndërtuan, por që tani përdoret kundër tyre. Kjo është arsyeja pse në të ardhmen pritet që Trump të kërkojë marrëdhënie dypalëshe, jo më rolin global të mbikëqyrësit.
“Në këtë kakofoni të jashtëzakonshme, duhet t’i marrim gjërat siç i thonë. Nëse Rubio thotë se sistemi ndërkombëtar është kthyer në armë kundër nesh, atëherë kjo është rruga që po ndjekin.” – përfundoi Bimo./K.C/dritare.net

















