
Kosova s’ishte në tavolinë. Koloneli Goxhaj zbulon të vërtetat e marrëveshjes Serbi-NATO, në 1999-ën
Dritare.net
Në përvjetorin e 10 qershorit 1999, Ditës së Çlirimit të Kosovës, gazetarja Rudina Xhunga solli në ekranin e DritareTV një dëshmitar të orëve të para, të asaj dite historike, ish-kolonelin Dilaver Goxhaj, një nga figurat kyçe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Goxhaj rrëfeu për publikun shqiptar çastet vendimtare të kapitullimit të Serbisë dhe bashkëpunimit me NATO-n. Ai kujtoi se marrëveshja për tërheqjen e forcave serbe ishte firmosur mes NATO-s dhe përfaqësuesve të Serbisë, pa praninë e Kosovës dhe UÇK-së.
“Më 10 qershor 1999 unë isha në shtabin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Katund i Ri në Drenicën e Poshtme. Në datën 9 qershor u nënshkrua marrëveshja midis Serbisë dhe NATO-s, ku Shqipëria nuk ishte, Kosova nuk ishte, UÇK-ja duhet të ishte prezente. Nuk ishte prezentë sepse amerikanët kërkonin që atje të ishte shefi i shtabit ose më saktë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës de facto që kishte drejtuar luftën dy vjet dhe ai ishte Bislim Zyrapi. Thaçi donte të ishte në atë mbledhje, por nuk pranonin amerikanët. Thaçi ishte drejtori i drejtorisë politike të Ushtrisë Shqiptare të Kosovës për arsye sepse Ushtria Shqiptare e Kosovës është një ushtri dhe organizatë politike dhe ushtarake. Amerikanët thoshin që nuk duhet të jenë në mbledhje ata që kanë drejtuar politikisht, por ata që kanë drejtuar luftën, që kanë bashkëvepruar me NATO-n.", shpjegoi Goxhaj./K.C/dritare.net

















