Na ndiqni edhe në

Shqip

Kapedan Sali Vranishti, Heroi i Labërisë! Flet nipi Arben Saliu

Kapedan Sali Vranishti, Heroi i Labërisë! Flet nipi Arben Saliu

Sot në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, u soll në vëmendje figura e kapedanit legjendar të Labërisë, Sali Vranishti, përmes rrëfimit të nipit të tij, Arben Saliu.

Arben Saliu prezantoi librin kushtuar gjyshit të tij, një figurë e njohur e historisë shqiptare që luftoi për lirinë e vendit për më shumë se 25 vite, duke marrë pjesë në beteja kundër pushtuesve osmanë, bandave shoviniste greke, forcave serbe dhe në Luftën e Vlorës.

Një jetë në luftë për liri

Sali Vranishti, emri i vërtetë i të cilit ishte Sali Murati, lindi në Vranisht të Lumit të Vlorës, një trevë me traditë të fortë patriotike. Ai vdiq në janar të vitit 1926, vetëm 45 vjeç, nga plagët e shumta të marra në luftëra. Sipas nipit të tij, Saliu nisi që në rini përballjen me pushtuesit, duke u burgosur në Janinë dhe duke realizuar një arratisje spektakolare. Më pas ai u bë komit dhe krijoi çetën e tij patriotike, e cila ndërmori aksione të rëndësishme për çlirimin e vendit. Një nga momentet më të rëndësishme ishte takimi me Ismail Qemali në vitin 1908, i cili ndikoi drejtpërdrejt në orientimin patriotik të Sali Vranishtit. Pas këtij takimi, ai organizoi çetën e tij dhe kreu disa aksione, ndër më të bujshmit hapjen e burgut të Vlorës në vitin 1912.

Heroi i këngëve popullore

Figura e Sali Vranishtit është ruajtur edhe në folklorin shqiptar. Sipas Arben Saliut, rreth 70 krijime popullore i janë kushtuar kapedanit, të krijuara si gjatë jetës së tij, ashtu edhe pas vdekjes. Ai përmendi edhe balada të poetëve të njohur të Labërisë si Lefter Çipa, si dhe këngë të tjera që tregojnë trimërinë e tij në beteja nga Janina deri në Dibër.

Kapedan Sali Vranishti, Heroi i Labërisë! Flet nipi Arben Saliu

Lufta e Vlorës dhe plagët e rënda

Sali Vranishti luajti rol të rëndësishëm në Luftën e Vlorës, ku u plagos rëndë gjatë luftimeve në kalanë e Kaninës. Pas kësaj, ai mbeti invalid, por vazhdoi të ishte aktiv në çështjet kombëtare.


Një jetë pa pasuri, por me nder

Arben Saliu theksoi se, ndonëse kishte mundësi të përfitonte pasuri, Sali Vranishti jetoi dhe vdiq në varfëri. Ai nuk la pasuri materiale, por vetëm emrin dhe nderin.

“Dy pasuri la gjyshi: zemrën që e mori me vete dhe dyfekun që la në mur për brezat”, tha nipi i tij.

Kapedan Sali Vranishti, Heroi i Labërisë! Flet nipi Arben Saliu

Monumenti i rrëzuar dhe rikthimi i figurës

Pas viteve ’90, busti i Sali Vranishtit në Vranisht u shkatërrua me dinamit, por më vonë u rindërtua pas reagimeve të intelektualëve dhe komunitetit. Sipas Arben Saliut, përpjekjet për të fshirë figurën e tij dështuan, pasi ai mbeti i gjallë në kujtesën popullore dhe në këngët e Labërisë.

“Nga kënga nuk të rrëzon askush”

Në fund, Arben Saliu theksoi se figura e gjyshit të tij mbetet e gjallë në histori përmes këngës popullore.

“Po të vuri populli në këngë, je në histori. Nga piedestali i këngës nuk të rrëzon dot asnjë furtunë”, u shpreh ai.

Figura e Kapedan Sali Vranishtit mbetet sot një nga simbolët e patriotizmit dhe trimërisë së Labërisë, një burrë që luftoi gjithë jetën për lirinë e Shqipërisë dhe la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë kombëtare./dritare.net