
Në një rrëfim të sinqertë në Dritare TV modeli shqiptar Jurgen Likaj ndau historinë e tij të pabesueshme, një rrugëtim nga Tirana në pasarelat prestigjioze të New York-ut.
I prezantuar me krenari si “Jurgeni nga Shqipëria”, ai zbuloi se si një ëndërr fëmijërie e ushqyer nga filmat dhe muzika amerikane u bë realitet falë këmbënguljes, pasionit. Hapi i parë drejt Amerikës ishte fitorja në Lotarinë Amerikane, një shans që i erdhi vetëm në tentativën e katërt.
Ky moment i dha fund një kapitulli në Shqipëri, ku ai kishte përfunduar studimet për mjekësi veterinare, një rrugë e zgjedhur më shumë nga familja sesa nga vetë ai. Megjithëse kishte punuar edhe si prezantues radiofonik në Radio Kontakt dhe si imazh për disa kompani të njohura, ëndrra e tij e vërtetë ishte bota e modës. Mbërritja në New York ishte vetëm fillimi i një sfide të re.
Jeta larg familjes, në një “xhungël” siç e përshkruan ai, nuk ishte e lehtë.
Megjithatë, momenti kyç erdhi me pjesëmarrjen në New York Fashion Week, një përvojë që e bëri të dashurohej përfundimisht me botën e pasarelave, dritave dhe kamerave. Ai theksoi me emocion se ishte i vetmi model shqiptar në audicionet ku mori pjesë, një fakt që e mbush me krenari.
Në rrugëtimin e tij, dy figura kanë qenë thelbësore: nëna e tij dhe fotografi me famë botërore, Fadil Berisha.
Jurgen rrëfeu me lot në sy se si këshillat e nënës së tij, të cilat i ka shkruar në murin e dhomës, i shërbejnë si frymëzim i përditshëm. “Bëhu krenaria e vetes tënde.
Mos harro qëllimet, ëndrrat dhe dëshirat,” janë vetëm disa nga fjalët që i japin forcë.
Ndërkohë, Fadil Berisha ishte ai që i hapi dyert e para, duke i realizuar një set fotografik profesional që i shërbeu si portofoli kryesor për të depërtuar në industrinë e modës. Për të siguruar jetesën, Jurgen punon me kohë të plotë si stilist flokësh dhe make-up artist në një sallon në pronësi ruse, një zanat që e mësoi në Shqipëri para se të largohej.
Ai vlerësoi thellësisht mbështetjen e punëdhënësve të tij, të cilët e inkurajojnë të ndjekë ëndrrat e tij në modeling./dritare.net